Ashtu siç ka observuar para gati dy shekujsh mareshali gjerman, Von Moltke, që: “Asnjë plan nuk i mbijeton kontaktit të parë me realitetin e fushëbetejës”, ashtu edhe sot NSS-i nuk i mbijetoi kontaktit të parë me realitetin e politikës së jashtme amerikane
Kur administrata Trump publikoi vitin e kaluar Strategjinë Kombëtare të Sigurisë (NSS), një avalansh i tërë i analizave dhe kryetitujve pasuan për të shpjeguar implikimet e saj radikale për politikën e jashtme amerikane dhe botën. Unë nga ana tjetër në një nga kolumnet pata konkluduar se asnjë dokument i shkruar apo proces shtetëror amerikan nuk mund të disiplinojë impulsin personal, kaotik dhe transaksional të Trumpit dhe rrjedhimisht në atë kohë sugjeroja që gjëja më e mirë që mund të bëjmë është që për herë të parë të injorojmë NSS-in në tërësi.
As 100 ditë nuk kanë kaluar dhe Trump ka shembur themelet kryesore mbi të cilat është ngritur NSS-i. Katalizator kryesor i kësaj ka qenë vendimi i tij për të sulmuar Iranin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE para, në kuadër të NSS-it administrata Trump dënonte administratat paraprake që synonin “ndryshimin e regjimit” dhe në vend të kësaj bënte thirrje për një qasje krejtësisht të re. Ajo u quajt realizëm fleksibil. Realizmi fleksibil nënkuptonte, mes tjerash, “marrëdhënie të mira me kombet e botës pa u imponuar atyre ndryshime demokratike ose ndryshime të tjera shoqërore që ndryshojnë nga traditat dhe historitë e tyre”. Me sulmin mbi Iranin, Trumpi hodhi në plehra realizmin fleksibil të MAGA-së dhe u kthye në botën tradicionale amerikane të ndryshimit të regjimeve. Duke komentuar synimet në Iran, Trumpi tha se: “Ndryshimi i regjimit është gjëja më e mirë që mund të ndodhë”, ndërsa duke iu drejtuar popullit iranian ai iu bëri thirrje drejtpërdrejt që të ndryshojnë regjimin iranian dhe të përqafojnë demokracinë liberale. Kësisoj Trump iu bashkua elitës tradicionale amerikane, e cila shpesh ka parë politikën e jashtme si kryqëzatë morale e promovimit të vlerave amerikane në botë, qoftë edhe me ndryshim të regjimit.
E dyta, në kuadër të NSS-it, administrata Trump dënoi “luftërat e përhershme amerikane” dhe njoftoi botën se tash e tutje do të jetë “America First”. Në mbrojtje të politikës së re amerikane Trump madje u kthye te “Founding Fathers”, të cilët, sipas tij, “vendosën preferencën e qartë për mosndërhyrje në punët e shteteve të tjera”. Trumpi jo vetëm se vendosi të ndërhyjë në “punët e shteteve të tjera”, por ai vendosi t’i bombardonte ato. Me sulmin mbi Iranin, Trumpi hodhi në plehra idenë e “America First”. Ai u kthye në shtratin tradicional të politikës proaktive të jashtme dhe rolin historik amerikan si “Polici i Botës” – pikërisht qëllim ky që NSS tentoi ta evitonte.
E treta, një nga synimet kyç të NSS-it ishte që të largonte vëmendjen e SHBA-së nga Lindja e Mesme dhe ta fokusonte atë te ballafaqimi me fuqitë e mëdha, në veçanti me Kinën. Në këtë frymë, NSS konkludoi se ditët kur Lindja e Mesme ka dominuar politikën e jashtme amerikane, “kanë përfunduar”. Kjo është edhe arsyeja përse në kuadër të NSS-it, Lindja e Mesme është prioriteti i fundit, ndërsa Azia është prioriteti i parë pas hemisferës perëndimore. Me sulmin mbi Iranin, Trumpi minoi në tërësi synimet e NSS-it duke kthyer kështu vëmendjen përsëri te Lindja e Mesme dhe duke larguar resurset amerikane nga Kina.
Së katërti, një nga parimet kyç të NSS-it ka qenë se “siguria ekonomike është thelbësore për sigurinë kombëtare” dhe se rrjedhimisht “mbajtja hapur e Ngushticës së Hormuzit përbën interes kyç nacional”. Me sulmin mbi Iranin, Trumpi arriti pikërisht të kundërtën.
Janë tri konkluzione që mund të nxjerrim nga ky episod i Trumpit me Iranin. E para, ashtu siç ka observuar para gati dy shekujsh mareshali gjerman, Von Moltke, që: “Asnjë plan nuk i mbijeton kontaktit të parë me realitetin e fushëbetejës”, ashtu edhe sot NSS-i nuk i mbijetoi kontaktit të parë me realitetin e politikës së jashtme amerikane. Në kontaktin e parë me realitetin, idetë e MAGA-së u shpërbënë. Kjo na shpie te konkluzioni i dytë, politika e re e jashtme amerikane apo “America First” nuk ka ekzistuar asnjëherë. Ajo në fakt nuk ka qenë asnjëherë politikë apo strategji serioze, por thjesht slogan dhe retorikë fushate. Dhe së treti, fiaskoja e Iranit ekspozoi naivitetin dhe fragjilitetin e qasjes personale të Trumpit ndaj politikës së jashtme, si dhe fitoren e “deep stateit”, të cilën MAGA aq shumë u mundua të mposhtë. “Schadenfreude” i Trumpit në Iran tregoi se aparati tradicional shtetëror amerikan mbetet forca dominuese në Washington. Kur përpjekjet e rrethit personal të Trumpit – të udhëhequr nga figura si Steve Witkoff dhe Jared Kushner – dështuan, atëherë Trump u kthye për shpëtim te “deep statei”. Pak ditë pas nisjes së konfliktit me Iranin, Trumpi kuptoi se i vetmi që mund të shpëtojë nga fiaskoja e plotë në Iran është establishmenti ushtarak dhe diplomatik amerikan. Thënë ndryshe, fiaskoja në Iran zbuloi se nuk ekziston një gjë e tillë si politika e jashtme Trumpiane, por vetëm politika tradicionale e jashtme amerikane, por kësaj radhe e kamufluar me një përdorues agresiv të Twitterit.