Kolumne

Kur presidenti lexonte gazetën

Një zbulim nga gërmimet e Bejtë Destanit dhe udhëzimet nga presidenti Clinton për të parë çka më tutje me Kosovën e çliruar

1.

Është vjeshta e parë e Kosovës së çliruar dhe jam në Paris. Kurdo, në çfarëdo stine dhe prej ngado të vish Parisi është i njëjtë në veçantinë e tij, por aq më shumë për mua që lë për disa ditë Prishtinën e dhunës së përditshme, trafikut të shkaktuar nga ardhja e menjëhershme e veturave të UNMIK-ut dhe të të kthyerve kosovarë, zhurmën e gjeneratorëve, tensionet politike...

Jam në Paris me ftesë të Grupit strategjik të Aspenit, një institucion brenda Institutit Aspen që kryesohet nga një personalitet eminent i afërt ose pjesë e Partisë Demokratike dhe një i Partisë Demokratike. Kur janë bërë vetëm disa muaj nga çlirimi i vendit dhe vendosja e Kosovës nën administrim ndërkombëtar, Grupi strategjik kërkon të shohë ardhmërinë e tërë regjionit, në një bashkëbisedim të lirë me personalitete nga politika botërore, amerikane dhe evropiane. Në mënyrë që diskutimi të jetë i hapur, vlejnë rregullat e moscitimit dhe i prodhimit të dokumenteve vetëm për përdorim intern të Grupit strategjik.

2.

Në mesin e të ftuarve është Jim Hoagland, opinionisti i “Washington Post”-it, shkrimtar dhe figurë e respektuar gjithandej Washingtonit politik, nga të gjitha rrymimet politike. Gjatë mëngjesit më pyet dhe merr menjëherë pohimin se mund të më citojë diskutimin tim në shkrimin që po e përgatit. 

E boton më 4 nëntor të vitit 1999, me titull “Kosova në limbo” (apo në gjendje pezull).

PARIS — Pesë muaj pasi u çlirua nga sundimi serb përmes bombardimeve të NATO-s, Kosova jeton në një gjendje të qëllimshme pezullimi politik dhe ekonomik. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po shmang marrjen e vendimeve për Kosovën përtej nevojave të menjëhershme humanitare, përballë dimrit të ashpër ballkanik që po afrohet. E ardhmja e Kosovës do të dalë gradualisht nga zhvillimet në terren në muajt dhe vitet që vijnë, dhe jo nga një plan i hartuar tani nga burrështetas të ulur rreth një tryeze konferencash.

Këtë tablo e paraqesin zyrtarët e OKB-së — përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm — të cilët e kanë marrë Kosovën si një protektorat ndërkombëtar. Ai nuk kërkon ndjesë që shumica shqiptare e Kosovës të mbetet formalisht pjesë e Jugosllavisë së Slobodan Millosheviqit, ndërkohë që jeton në pavarësi virtuale. Rezoluta e Këshillit të Sigurimit që qeveris Kosovën e vendos këtë kundërshti themelore, pranon ai.

Por nuk janë vetëm kosovarët ata që mbeten pezull nga politika e pashpallur e OKB-së për t’i shtyrë sa më larg në kohë vendimet për zhvillimin ekonomik afatgjatë, pronësinë dhe institucionet politike në gjithë territorin. Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë do ta kenë shumë të vështirë të dalin nga një Kosovë që ekziston në një tokë ligjore “pa zot”, ende e cenueshme nga rikthimi i kontrollit serb. 

(...)

Edhe mendja gazetareske e urren paqartësinë gri, duke vlerësuar mbi të gjitha qartësinë dhe faktet. Fillova të raportoja për strategjinë e pezullimit i bindur se duhet të kishte një rrugë më të mirë e më vendimtare për t’u ndjekur — ndoshta një konferencë e fuqive të mëdha për Ballkanin për të rishkruar kufijtë dhe për t’i zgjidhur gjërat një herë e përgjithmonë. Por pas dy bisedave të gjata me Annanin dhe dy ditësh pjesëmarrjeje në një diskutim të Grupit Strategjik Aspen për Ballkanin këtu, jam më pak i bindur për këtë. Të presësh për Kosovën mund të jetë alternativa më e mirë ndër të këqijat — nëse periudha e pezullimit menaxhohet mirë.

Annan është i vetëdijshëm për rreziqet që sjell vonesa. “Nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund të shihemi si një forcë pushtuese nga njerëzit atje,” më tha ai. “Kjo nuk mund të lejohet të ndodhë”.
Për ta shmangur këtë, duhen plotësuar dy kushte, thotë Veton Surroi, botuesi me mendësi të pavarur që flet për komunitetin e vogël intelektual të moderuar të Kosovës.

Kosovarët duhet të shohin se OKB-ja nuk po bën asgjë për të bllokuar rrugën e tyre drejt pavarësisë eventuale. Dhe administrata e përkohshme duhet të funksionojë me efektivitet për të përmirësuar jetën e përditshme në territor. Ajo duhet të paguajë rrogat e policisë dhe shërbimit civil që menaxhon, të rihapë termocentralet dhe të vazhdojë me rindërtimin dhe përgatitjet për dimër.

Nëse këto detyra përmbushen, një prani ndërkombëtare afatgjatë do të jetë e qëndrueshme në Kosovë, beson Surroi. Por ai hodhi poshtë idenë e rehatshme se koha duhet blerë që forcat demokratike të përmbysin Millosheviqin dhe ta bëjnë republikën jugosllave një entitet politik ku kosovarët do të rikthehen me dëshirë. “Nuk do të ndodhë,” tha Surroi, “as nëse Vaclav Havel do të ishte president i Serbisë.” Përmendja e presidentit çek me mendësi të lartë përmbante ironi dhe një mesazh të qartë: Rezultati më i mirë që Serbia mund të shpresojë është një ndarje paqësore e Kosovës përmes referendumit, siç lejoi Havel për Sllovakinë.

(...)

Përpjekjet e tij për të ngritur një administratë funksionale vendore, që përfshin grupet kryesore politike të territorit, duket se janë penguar nga kujdesi i tepruar në selinë e OKB-së po aq sa nga kushtet në terren.

Annan së shpejti do të shpallë një datë për zgjedhjet lokale në vitin 2000, ndoshta në mes të vitit. Por ai është i paqartë për kohën e asaj që e quan “zgjedhje mbarëterritoriale, jo kombëtare”. Këto do ta afronin Kosovën në mënyrë të pakëndshme me atë që më duket pavarësi e pashmangshme.

(...)

3.

Presidenti Bill Clinton e lexon artikullin e Hoaglandit dhe shënon me dorë : “Sandy, ç’bëhet këtu?”.
Sandy të cilit i adresohet presidenti Clinton është Sandy Berger, këshilltar i Sigurisë kombëtare, njëri prej tre zyrtarëve të lartë amerikanë që ishte në sallën e takimeve kur në krye me dr.Rugovën si delegacion i Kosovës (dr.Bujar Bukoshi, prof. Fehmi Agani dhe unë) takuam presidentin Clinton në Shtëpinë e Bardhë në maj të vitit 1998.

Berger e mori porosinë nga presidenti më 8 nëntor dhe zyra e tij kërkoi që të përpilohet një raport dy-tri faqësh për këtë problematikë, pra ardhmërinë e Kosovës. Në zinxhirin komandues, kërkesa kalon nëpër udhëzimin për “Chrisin” (supozohet Christopher Hill) në State Department dhe Kaidanow (Tina Kaidanow, më vonë ambasadorja e parë në Republikën e Kosovës).

Raporti duhej dorëzuar Sandy Bergerit më 11 nëntor.

Dhe kaq.

4.

Rrëfimi përfundon këtu sepse ky është një rrëfim i nxjerrë nga një dokument të cilin e gjeti Bejtullah Destani-gërmuesi i palodhur i arkivave dhe diplomat kosovar- për të dëshmuar për një kohë në të cilën opinionistët kishin nam e peshë, presidenti lexonte gazeta, gazetat ishin standard besueshmërie, një kohë me shumë fat për Kosovën.

Tash i mbetet Bejtë Destanit të na sjellë vazhdimin e rrëfimit, në mos për kurrgjë ,për të treguar se sa i gjerë e thellë është tregimi për Kosovën dhe se si çdo rrëfim për të kaluarën është në të vërtetë gjithnjë i ritreguar në ardhmëri.