Çdo javë, krijojmë një vendtakim të ri.
Kësaj radhe në veriperëndim të Kosovës.
Në mes të rrugës na “ndërroi” edhe stina. Nga lagështia e vjeshtës, hymë në dimrin e ftohtë.
Meqenëse kishte borë, për të arritur deri në fshatin Kuqishtë, na ndihmoi njëri nga banorët e këtij fshati e që njëherësh ishte edhe pronari i vilave që shihen në video.
Në fshatin Kuqishtë, aty ku nga ajri i pastër mund të marrësh frymë lirshëm e të kënaqesh me pamjen që të ofron ky vend. Nga lart mund të shohësh të gjithë vendin me sy, për aq sa të lejon flora e dendur.
Ky fshat është kthyer në një nga zonat më te mira turistike që tërheq jo vetëm turistët vendorë.
Në udhëtimin tonë mësuam më tepër rreth Rugovës e Kuqishtës, nga 75-vjeçari Isuf Dreshaj.
“Jeta ka qenë e vështirë por ka qenë më e lumtur se sot. Ka pasur gjallëri dhe kemi qenë më të afërt me njëri-tjetrin”, thotë Dreshaj.
Razë Dreshaj, e cila në ketë vend erdhi si nuse në moshën 15-vjeçare rrëfen se si u përshtat me traditat e zakonet e kësaj krahine.
“Me kuaj kanë ardhë më kanë marrë nuse. Për herë të parë i vesha rrobat tradicionale të Rugovës. Tash janë bërë 15 vjet që nuk i përdori më”, rrëfen ajo.
Pas bisedave të këndshme, nuk mund t’i neglizhonim vilat e bukura prej druri.
Njëri nga pronarët, e “Guri i Kuq”, na udhërrëfeu drejt tyre.
“Kompleksi ynë ka 12 vila, të cilat janë të madhësive të ndryshme. Ato kanë hapësirë për 2 deri në 13 persona”, thotë Genc Dreshaj.
“Ndërtimin e tyre e kemi filluar në vitin 2005 e që nga atëherë vazhdimisht kemi zgjeruar hapësirat”, shton ai.
Ndonëse nga jashtë nuk dukej ndryshe nga të tjerat, vila me perde të kuqe na mahniti me pamjen që të ofronte.
E ato që e bënin edhe më të veçantë ishin kërcitjet e djegies së druve në kaminë.
Ne u ngjitëm edhe më lart.
Pjesa e madhe e shtëpive nga druri janë të ndërtuara nga personat që jetojnë në Kosovë, megjithatë ne takuam një mërgimtar që mendon të kthehet në atdhe e të sigurojë të ardhurat përmes shtëpive malore.
Fshati Kuqishtë u bë shtëpia jonë për tërë ditën. E në fund, në shtëpi nuk mungoi as ushqimi.