JETA

Jeta në stanet e bjeshkëve të Junikut

Bjeshkët e larta me natyrë unike e bëjnë të jetë ndër vendet me potencial të lartë turistik.

Ky është Juniku që edhe ishte destinacioni ynë i radhës.

Udhëtimin tonë deri në lartësi të bjeshkëve të veçanta të Junikut nuk mund ta bënim me veturë të zakonshme pos me makinë malore.

Nga qendra e qytetit për në bjeshkë ngjitja zgjat jo më pak se 1 orë e gjysmë, por mundësia për të shijuar ajrin e pastër e një peizazh të rrallë vjeshtor nuk i linte hapësirë monotonisë së rrugës.

Po këndej përshkohet rruga nga të gjithë vizitorët që duan ta ngjisin majën e Gjeravicës.

Të shpeshta i ka vizitat edhe vetë Januz Bajraktari, që po e mundësonte shkuarjen tonë lart.

Pos freskisë malore, teksa po përshkonim këtë rrugë, ishte e pamundur të mos ndalonim për të parë nga afër burime uji të krojeve atje.

Kishte tabela orientuese e po ashtu edhe pajisje bore që dëshmonin terrenin e përshtatshëm edhe për turizëm dimëror atje.

Tashmë kishim mbërritur dhe me të ndaluar të dy bashkudhëtaret tanë po na përshkruanin stanet e tyre e të shumë vendasve.

Këtë stan që ishte modern për nga ndërtimi, Bajraktari thoshte se e shfrytëzon shpesh, porse nuk i mungonte edhe kujdesi për gjithçka që e rrethonte atë.

Ishte vetëm stani i parë ku ne ndaluam e qëndruam për pak aty.

Para nesh kishte ende rrugë që duhet të bënim.

Kësaj radhe për ta takuar të vetmin banor që ende po jetonte në stanin e tij në bjeshkë për tre muaj me radhë.

Por deri te stani i tij duhet të kalohej nëpër lagjen që banorët e bjeshkës e njohin si “Lajthiza”.

Kishim arritur në afro 2000 metra lartësi e jehona e zërit nga shpati në shpat të kthente shumë vjet pas në kohë.

Gaxherri atë ditë kishte pritur edhe mysafirë që jo rrallë e vizitojnë në stan.

Arsim Miroci, kampion në hedhjen e gjyles, stërvitjet për gara thotë se i bën shumë shpesh në natyrën që ia ofron bjeshka.

Qëndrimi ynë në stanet ku jetohet larg çdo rutine tjetër të zakonshme ishte në fund. Në po të njëjtën rrugë që u ngjitëm, andej edhe po ktheheshim duke shijuar prapë bukuritë e Junikut piktoresk…