Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
INTERAKTIV

Hyseni thotë se Adem Demaçi kishte kërkuar të jetë pjesë e LDK-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hydajet Hyseni, ka deklaruar se Adem Demaçi kishte kërkuar të jetë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Derisa ishte duke folur në Interaktiv të KTV-së për konferencën e Rambujesë, Hyseni tregoi se Demaçi me këtë kërkesë nuk e kishte për qëllim t’i prijë LDK-së, por ta bënte këtë subjekt që të angazhohej dhe të aktivizohej për ta funksionalizuar Kuvendin e zgjedhur që nuk po thirrej nën frikën se mund të kishte burgime atë kohë.

“Ka një tendencë të deformimit të qëndrimit të Demaçit. Demaçi në të vërtetë duke qenë veprimtar me shumë përvojë, ai kishte kërkuar që të angazhohej në Lidhjen Demokratike të Kosovës jo për t’i prirë, por për ta aktivizuar Lëvizjen Demokratike, veçanërisht për ta funksionalizuar Kuvendin e zgjedhur në zgjedhje dhe që s’po thirrej sepse kishte frikë që mund të na burgosnin. I kishim kërkuar një kreut që të merrnim ne këtë përgjegjësi, por nuk funksiononte dhe Adem Demaçi e mori përgjegjësinë që të thotë ‘unë po e thirri’, kishte vdekur i ndjeri Anton Çetta, dhe Demaçi pranonte të bëhej deputet i asaj legjislature të parë dhe ai ta thërriste mbledhjen e Kuvendit. Thoshte se nëse do e burgosnin dikë, do ta burgosnin atë dhe të tjerët do të kishin vazhduar me konferenca për shtype tjera, nuk u mundësua dhe prandaj ndarja ishte e pashmangshme dhe shpëtimtare, por nuk ishte konfrontuese”, ka thënë ai.