Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se pret që PDK-ja të jetë prezentë në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, lidhur me kërkesën e Serbisë për mbajtjen e referendumit në Kosovë, për ndryshime kushtetuese në shtetin e saj.
Kryeziu ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të premten se qëndrimi i PDK-së lidhur me vendimin e Qeverisë që të mos lejojë mbajtjen e referendumit në mënyrën siç po kërkon Serbia, ishte pozitiv dhe se pret që kjo parti ta shpreh vullnetin e saj politik edhe në Kuvend sot.
“Qëndrimi i PDK-së, ai i parë sot gjatë ditës, i cili ishte në linjë me qëndrimin e Qeverisë ka qenë qëndrim pozitiv dhe meqë është i tillë, është në linjë me Qeverinë, mendoj se pjesëmarrja e tyre vetëm do t’i kontribuonte këtij diskutimi demokratik në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe këtë pozicionim politik ta përkthejnë në vullnet politik të shprehur në Kuvend përmes pjesëmarrjes por edhe mbështetjes së Rezolutës. Unë pres që ata të jenë në Kuvend. Uroj që të jenë për shkak se është shumë e rëndësishme që për çështje që kanë karakter të tillë, për ndërprerje të praktikave të këqija që zanafillën e kanë tek qeverisjet e kaluara”, ka thënë Kryeziu.