INTERAKTIV

Ajazi paraqet një dokument me të cilin thotë se Lladrovci pranon se është vjedhës

 

Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin ka paraqitur në Interaktiv të KTV-së një dokument për të cilin thotë se kundërkandidati i tij në balotazh për të parin e kësaj komune, Ramiz Lladrovci, ka pranuar se ka kryer vjedhje.

“Unë akuzohem nga ai për mikun tim që ka pas gurore, a realisht ai është i dënuar me marrëveshje pikërisht për një gurore. Ai më akuzon mua për guroren që e ka pasur vëllai i Bislim Zogajt. Por këtu kemi një aktvendim të Gjykatës që ai pranon me marrëveshje gjyqësore se ai pikërisht, pa asnjë leje, pa asnjë procedurë ka marrë në shfrytëzim pronë në vend të quajtur Godanc dhe ia ka shitur atë material, një kompanie në Drenas, kompanisë “Standard”, dhe me shitjen e atij guri ka fituar mbi gjysmë milionë euro dhe s’ia ka paguar asnjë cent asnjë institucioni. Pikërisht nga ky aktvendim ku ai akuzohet për vjedhje të gurit, ai e pranon se është vjedhës. E ka pranuar sipas këtij aktvendimi dhe nuk e di tash kush është keqbërësi. Unë që një mik i imi ka pasur në shfrytëzim një gurore me leje përkatëse, apo pikërisht ky vetë që është me emër e mbiemër Ramiz Lladrovci nga Gllamnasella”, ka deklaruar ai teksa ka shtuar se vendimi i takon datës 4 maj 2015.