Zgjedhjet lokale

VV-ja premton ujë të pijshëm në Viti e qytet të jetueshëm për të rinjtë në Kaçanik

VV-Kacanik

Premtimeve të kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të komunave të premten u kanë dhënë shtytje edhe drejtuesit e lartë të partisë. Kryetari Albin Kurti në Viti premtoi rritje të kapacitetit të ujit të pijshëm e lidhje me autostradën “Arbën Xhaferi”, ndërsa në Kaçanik shtrirjen e politikave “cep më cep”

Ujë të pijshëm për qytetarët e Vitisë ka premtuar Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë.

Fushatës së kandidatit të saj, Arsim Ademi, i është bashkëngjitur edhe kryetari i partisë, Albin Kurti. Vitiasve, Kurti u foli për vendimet që ka ndërmarrë si kryeministër.

“Janë dhënë shtesa për afro 2 mijë nëna lehona dhe gati 10 mijë fëmijë që natyrisht se e përmirëson mirëqenien e familjeve. Në Viti do ta rrisim kapacitetin e prodhimit ujit të pijshëm dhe do ta zgjerojmë rrjetin. Vitia po kyçet me autostradën Arbën Xhaferi punimet janë vazhduar dhe puna është drejt përfundimit”, ka thënë Kurti.

Punë të mira për Vitinë, premtoi edhe kandidati për kryetar, Arsim Ademi.

“Do të ndërtojmë 5 çerdhe të reja dhe do të ndërtojmë 4 salla sportive nëpër shkolla, do të ndërtojmë poliklinika specialistike në mënyrë që qytetarët tanë të mos udhëtojnë nëpër spitalet rajonale për shërbimet bazike specialistike, do të ndërtojmë fusha sportive e do të rinovojmë tribunat në fushat e futbollit si në Pozhoran, Sadovinë që tashmë janë në gjendje të mjerueshme”, u shpreh ai.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kaçanikut, Jeton Raka, tha se kjo komunë duhet të bëhet vendi ku të rinjtë duan të qëndrojnë e prindërit të rrisin fëmijët e tyre.

“Ky ndryshim të dielën ka numër, ka numrin 105, që është numri i fitores së madhe në Kaçanik sepse e meritojnë qytetarët, sepse i duhet atyre, sepse duhet të kalojë koha kur pushteti shfrytëzohet për individ të caktuar. Le ta bëjmë Kaçanikun modelin e një komune që përparon”, ka thënë Raka.

“Jemi përpjekur që kjo komunë në zonën kufitare të Kosovës të mos lihet anash sepse politikat tona janë cep më cep. Prej Kaçanikut deri në Leposaviq, prej Junikut deri në Kamenicë”, ka shtuar Kurti.

Fushatën zgjedhore të premten, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi, e ka përqendruar në tubime me qytetarët nëpër lagjet e kësaj komune.

Pjesë e tubimeve ishin edhe deputetë të Vetëvendosjes, e kryetarja e Partisë së Re Demokratike, Emilja Rexhepi.

Tubime të vogla me qytetarët ka mbajtur edhe kandidati për kryetar të Rahovecit, Ali Dula. Së bashku me të mandatuarin e VV-së për kryeministër, Glauk Konjufca, ai takoi banorët e Krushës së Madhe.

Përveç Rahovecit, Prizrenit, Kaçanikut e Vitisë, Lëvizja Vetëvendosje është në balotazh edhe në Obiliq, Vushtrri, Fushë Kosovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë e Prishtinë.

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjet

Dita e pestë e fushatës për balotazhin e zgjedhjeve lokale