Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së pestë të fushatës zgjedhore për balotazhin e zgjedhjeve lokale që do të mbahet më 9 nëntor. 18 komuna janë në balotazh.
Haradinaj: Ardian Gjini, kryetar model për tërë Kosovën
Mbështetje për kryetarin aktual dhe kandidatin e partisë së tij për edhe një mandat në krye të Gjakovës, Ardian Gjini, e ka kërkuar të premten kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në tubimin përmbyllës të fushatës në Gjakovë, Haradinaj tha se Gjini është kryetar kampion teksa shtoi që vizioni i tij dhe i ekipit që e udhëheq janë model për tërë Kosovën.
“Me Ardianin në udhëheqje vërtet do ta keni një frymëzim të vazhdueshëm e që punët e Gjakovës ti bëni më së miri. Unë e kam ditur që Gjakova e ka potencialin e vet çdo herë. E kam ditur, e kam përjetuar në kohën e vështirë dhe e kam pa se kush janë njerëzit e Gjakovës”, ka thënë Haradinaj.
E Gjini, që në balotazhin e 9 nëntorit me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, e synon edhe një mandat në krye të Gjakovës, e kërkoi besimin e qytetarëve.
“Dimë me punu, që kemi me punu prapë, që kemi me qenë me juve edhe katër vjet dhe kemi me bo Gjakovën kopsht, jo fidanishte. Të dielën, krejt çka na ka mbet me bo është të dielën me dal dhe me votu dhe qaq. Dallimi është shumë i madh se besimin qytetarët e kanë dhënë edhe më 12 tetor pavarisht që na ka ik për atë 2.12 për qind”, ka thënë Gjini.
Si dëshmi për punën, ai i numëroi projektet e realizuara gjatë mandatit të tij.
“Kur i mbledhim bashkë krejt, për këto vjet dalin diku 180-190 milionë euro, investime kapitale, për tetë vjet. Kurrë më përpara as afër nuk ka qenë, kurrë hiq. E prej këtyre 180 milionëve, diku 120 milion janë të Komunës. Kurrë më përpara as afër nuk ka qenë, në asnjë periudhë kohore”, ka shtuar ai.
AAK-ja ka shkuar në balotazh edhe në komunat e Junikut, të Rahovecit, të Suharekës dhe të Klinës.
Tubime përmbyllëse, kjo parti i ka mbajtur edhe në këto komuna, e në të cilat kandidatët e saj për kryetarë i kanë shpalosur premtimet me të cilat e kanë kërkuar votën e qytetarëve më 9 nëntor.
Rama në tubimin përmbyllës: Mos ua jepni votën bllokuesve
Kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në garën e balotazhit për kryetar të nëntë komunave krahas takimeve me qytetarë e biznese, kanë drejtuar kritika dhe akuza ndaj kundërkandidatëve të tyre.
Kandidati i LDK-së, për kryetar të Komunës njëherësh kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama në tubimin përmbyllës ka shpalosur akuzuar partinë në pushtet për bllokim.
“Ju kam fol edhe për bllokada sepse ato nuk janë fjalë, por mure që mundohemi me i shty edhe me i rrëzu për juve. Por ju e dini që unë nuk ndalem, sepse dashnia për qytetin nuk ndalet. Kur e do vendin punon për të edhe kur të pengojnë... Mos ja jep votën bllokadës. Mos ja jep votën smirës, dembelisë e përçarjes. Jepja punës, jepja vizionit”, ka thënë ai.
E lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku të premten vizitoi Dragashin në mbështetje të kandidatit për kryetar të kësaj komune, Bexhet Xheladini.
“Në Dragash, isha veçanërisht i interesuar të vizitoj një projekt të jashtëzakonshëm kapital që më kishte rënë në sy në çdo vizitë këtu, e që kryetari ynë e kishte nisur dhe përfunduar pa ndihmën e askujt: fabrikën e ujit. Me kapacitet prej 5 milionë litrash në 24 orë, plot 15 fshatra dhe vetë qyteti i Dragashit, për herë të parë në gjithë historinë e tyre, kanë ujë të pijshëm. Kur 25 mijë banorëve u zgjidhet problemi kryesor me një projekt të tillë, e kupton se sa fisnike di të jetë jeta në politikë”, ka thënë Abdixhiku.
Garë më e ashpër është duke u zhvilluar për kryetar të Komunës së Junikut. Kryetari aktual që vije nga radhët e LDK-së, Ruzhdi Shehu ka paditur kundërkandidatin e tij, Agron Kuçin nga AAK-ja për shpifje dhe fyerje. Krahas kësaj e ka akuzuar edhe për tentim të blerjes së votave.
“Orëve të fundit kemi pranuar disa informacione nga qytetarët e Junikut, ku thuhet se eksponentët e AAK-së janë duke hyrë në shtëpitë e tyre dhe po tentojnë blerjen e votës. Për fat të mirë, në mandatin tonë të parë kemi instaluar kamerat e sigurisë në Junik dhe aktualisht e gjithë Komuna e Junikut monitorohet 24/7 nga këto kamera të sigurisë. Përndryshe e falënderojmë publikisht Policinë e Kosovës për angazhimin edhe përkushtimin e tyre sidomos gjatë ditëve dhe orëve të fundit. Absolutisht secili rast është duke u raportuar dhe duke u trajtuar nga organet kompetente”, ka deklaruar Shehu.
Bashkëpartiaku i Shehut, Xhafer Gashi që po garon edhe për një mandat qeverisës në Obiliq, përmes një videomesazhi ka premtuar vazhdim të subvencioneve për bujqit.
“Siç e kemi bërë edhe në katër vitet e fundit, do të vazhdojmë të subvencionojmë ndërtimin e serrave, ndërtimin e minifermave për fermerët, pajisjet e ndryshme për bujqit tanë... Do të vazhdojmë të subvencionojmë sepse është e domosdoshme që bujqit tanë të kenë lehtësira, do të subvencionojmë me sera, me pajisje të ndryshme, pastaj do të subvencionojmë edhe qumështin për fermerët tanë”, ka thënë Gashi.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, i cili po kandidon edhe për një mandat qeverisës, ka prezantuar punët në rregullimin e rrugës në fshatin Loxhë, dhe vendosjen e rrethojave mbrojtëse në shëtitoren përgjatë Lumbardhit.
LDK-ja është në garë për balotazh edhe në Gjilan, Fushë-Kosovë, Viti dhe Suharekë.
Krasniqi: Bashota, kryetar që i di zgjidhjet për problemet e Klinës
Kandidat që i di zgjidhjet për problemet e Klinës e quajti kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pretendentin e partisë së tij, Sokol Bashota, që në balotazhin e 9 nëntorit e synon rikthimin në krye të komunës.
Ai tha se me Bashotën kryetar, qytetarët e Klinës do të kenë qeverisje në të cilën fjalët e dhëna edhe mbahen.
“Kola ka ecur gjithmonë përkrah jush, jo mbi ju. Kola i di problemet e Klinës, por mbi të gjitha i di edhe zgjidhjet. Unë ju siguroj se Kola nuk do të justifikohet, por do të marrë përgjegjësi për punë të tij, e punë ka bërë gjithmonë edhe në të kaluarën kur ju ka shërbyer juve”, ka thënë Krasniqi.
E Bashota u zotua që Klinës do t’ia rikthejë dinjitetin.
“Ne do të vazhdojmë me investime kapitale gjithandej Komunës së Klinës, si në qytet po ashtu edhe në fshatra për të rikthyer dinjitetin dhe besimin e qytetarëve në institucionin e komunës”, ka premtuar Bashota.
Në Kaçanik, kryetari i PDK-së e quajti të sigurt fitoren e kandidatit të tij, Sabedin Vishi. Aty, ai u bëri ftesë të gjithë atyre që janë dhe që kanë qenë me PDK-në, që mbështetjen për partinë ta dëshmojnë para kutive të votimit.
“Dua t’jua dërgoj një mesazh të gjithë atyre që dikur ecën bashkë me ne – dera e Partisë Demokratike të Kosovës është e hapur për ata që mund të kenë dyshuar, koha e dyshimeve ka mbaruar. Për të gjithë ata që dikur kanë thënë ne jemi PDK, presim që edhe sot ta thonë të njëjtën gjë”, ka thënë Krasniqi.
Votën e kaçanikasve, Vishi e kërkoi duke u zotuar se e ka ofertën më të mirë.
“Ta vulosim fitoren e Partisë Demokratike, sepse kemi ofertën më të mirë për qytetarët e Kaçanikut. E kjo ofertë është bërë në koordinim apo në përputhje me kërkesat e qytetarëve, në përputhje me kërkesat e mësimdhënësve, infermierëve, mjekëve, fermerëve, studentëve, sportistëve dhe të gjitha kategoritë të cilët japin kontribut në Komunën e Kaçanikut”, ka thënë Sabedin Vishi.
Në Prizren, kandidati i PDK-së për edhe një mandat në krye të Komunës, Shaqir Totaj, ka marrë mbështetje nga Nisma Socialdemokrate. Njoftimin për koalicion e bëri kandidatja e Nismës për kryetare, Albulena Balaj-Halimaj.
“Sot bashkë me kryetarin Shaqir Totaj ramë dakord për një hap të rëndësishëm për qytetin tonë. Prizreni ka nevojë për bashkëpunim, për t’i çuar përpara projektet që presin njerëzit. Në këtë takim kemi vendosur që fjalët t’i kthejmë në punë dhe të garantojmë stabilitet institucional për mandatin e ardhshëm. Prandaj, të dielën ftoj qytetarët e Prizrenit ta votojnë Shaqir Totajn për kryetar të komunës, në mënyrë që bashkë ta çojmë përpara çdo projekt që e meriton qyteti ynë”, ka thënë Balaj-Halimaj.
Krahas në Klinë, Kaçanik e Prizren, kandidatë të PDK-së kanë shkuar në garën e balotazhit edhe në komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë e Dragashit.
VV-ja premton ujë të pijshëm në Viti e qytet të jetueshëm për të rinjtë në Kaçanik
Ujë të pijshëm për qytetarët e Vitisë ka premtuar Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë.
Fushatës së kandidatit të saj, Arsim Ademi, i është bashkëngjitur edhe kryetari i partisë, Albin Kurti. Vitiasve, Kurti u foli për vendimet që ka ndërmarrë si kryeministër.
“Janë dhënë shtesa për afro 2 mijë nëna lehona dhe gati 10 mijë fëmijë që natyrisht se e përmirëson mirëqenien e familjeve. Në Viti do ta rrisim kapacitetin e prodhimit ujit të pijshëm dhe do ta zgjerojmë rrjetin. Vitia po kyçet me autostradën Arbën Xhaferi punimet janë vazhduar dhe puna është drejt përfundimit”, ka thënë Kurti.
Punë të mira për Vitinë, premtoi edhe kandidati për kryetar, Arsim Ademi.
“Do të ndërtojmë 5 çerdhe të reja dhe do të ndërtojmë 4 salla sportive nëpër shkolla, do të ndërtojmë poliklinika specialistike në mënyrë që qytetarët tanë të mos udhëtojnë nëpër spitalet rajonale për shërbimet bazike specialistike, do të ndërtojmë fusha sportive e do të rinovojmë tribunat në fushat e futbollit si në Pozhoran, Sadovinë që tashmë janë në gjendje të mjerueshme”, u shpreh ai.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kaçanikut, Jeton Raka, tha se kjo komunë duhet të bëhet vendi ku të rinjtë duan të qëndrojnë e prindërit të rrisin fëmijët e tyre.
“Ky ndryshim të dielën ka numër, ka numrin 105, që është numri i fitores së madhe në Kaçanik sepse e meritojnë qytetarët, sepse i duhet atyre, sepse duhet të kalojë koha kur pushteti shfrytëzohet për individ të caktuar. Le ta bëjmë Kaçanikun modelin e një komune që përparon”, ka thënë Raka.
“Jemi përpjekur që kjo komunë në zonën kufitare të Kosovës të mos lihet anash sepse politikat tona janë cep më cep. Prej Kaçanikut deri në Leposaviq, prej Junikut deri në Kamenicë”, ka shtuar Kurti.
Fushatën zgjedhore të premten, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi, e ka përqendruar në tubime me qytetarët nëpër lagjet e kësaj komune.
Pjesë e tubimeve ishin edhe deputetë të Vetëvendosjes, e kryetarja e Partisë së Re Demokratike, Emilja Rexhepi.
Tubime të vogla me qytetarët ka mbajtur edhe kandidati për kryetar të Rahovecit, Ali Dula. Së bashku me të mandatuarin e VV-së për kryeministër, Glauk Konjufca, ai takoi banorët e Krushës së Madhe.
Përveç Rahovecit, Prizrenit, Kaçanikut e Vitisë, Lëvizja Vetëvendosje është në balotazh edhe në Obiliq, Vushtrri, Fushë Kosovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë e Prishtinë.
Osmani i LDK-së premton rrethrrotullim të ri në Fushë-Kosovë
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, ka premtuar ndërtimin e një rrethrrotullimi të ri në zonën industriale në këtë komunë.
Sipas tij, një rrethrrotullim që lidh rrugën “Dardania” me “Nënë Tereza” do të lehtësonte qarkullimin dhe do ta rriste sigurinë në komunikacion.
“Rrethrrotullimi në Zonën Industriale (tek Kastrati), që lidh rrugën “Dardania” me “Nënë Tereza”, është projekt i yni që do ta ndërtojmë për ta lehtësuar qarkullimin dhe rritur sigurinë në komunikacion. Ky projekt ideor është konceptuar si pjesë e zhvillimit të infrastrukturës moderne në qytet, me dizajn funksional, ndriçim publik dhe sistem të qartë sinjalizimi. Me realizimin e tij, Fushë Kosova do të fitojë një nyje të re rrugore që rrit sigurinë, efikasitetin dhe vlerën urbane të zonës”, ka shkruar ai në Facebook.
Osmani doli i dyti në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor. Në balotazh ai do të përballet me Valon Prebrezën e Lëvizjes Vetëvendosje që në raundin e parë doli fitues me 45.15 për qind. Osmani i pati 36.66 për qind. Në total dallimi mes tyre ishte rreth 1800 vota.
Raundi i dytë mbahet më 9 nëntor.
AAK-ja mbështet LVV-në në balotazhin në Viti
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do ta mbështes kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), në balotazhin e së dielës në Vushtrri.
Kandidati i LVV-së për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi, është në garë në balotazh me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sokol Haliti, njëherësh kryetar.
Për marrëveshjen LVV-AAK ka njoftuar kandidati i AAK-së për kryetar të Vitisë Labinot Bislimi i cili në zgjedhjet e 12 tetorit mori 2.89 për qind të votave.
“Pasi u përafruan vlerat, idetë dhe programet. Pasi e morëm vendimin brenda strukturave tona. Sot në mëngjes nënshkruam marrëveshjen e koalicionit në nivel të degëve dhe i zgjatem dorën njëri-tjetrit me kandidatin për kryetar, z. Arsim Ademi. Ky koalicion është rrjedhojë e natyrshme e situatës dhe e vet pozicionimit tonë karshi të keqes së Komunës së Vitisë që me emër thërrasim Sokol Haliti”, ka shkruar Bislimi në Facebook.
“Aleanca Dega në Viti nuk ka qëndruar asnjëherë indiferente ndajë proceseve dhe nuk ka pasur asnjëherë pozicion neutral përballë të keqes. Ajo ka pasur dhe gjithmonë do të ketë qëndrime dhe pozicione politike duke ju përgjigjur situatave të kohës. Situata e tanishme kërkon guxim, mobilizim dhe pozicionim. Ky koalicion e shpreh edhe njëherë guximin tonë për të qenë pjesë e proceseve politike; për ti ndihmuar dinamikat shoqërore dhe për ti shtyrë përpara vlerat, idetë dhe projektet e nevojshme për qytetarët e komunës tonë”, ka shkruar tutje ai.
Haliti në rundin e parë ka marrë 38.01 për qind të votave ndërsa Ademi 33.46 për qind.