Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) lidhur me procesin e votimit në Komunën e Junikut gjatë zgjedhjeve komunale të 12 tetorit.
AAK-ja kishte paraqitur ankesë kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me të cilën kërkonte anulimin e zgjedhjeve, pastrimin e listave të votuesve dhe rivotim në Junik. Partia kishte pretenduar se një numër i konsiderueshëm votuesish ishin regjistruar si banorë të Junikut në tre muajt e fundit para zgjedhjeve, duke ndikuar, sipas saj, në rezultatin përfundimtar.
PZAP-ja kishte refuzuar më herët ankesën e AAK-së si të pabazuar, ndërsa pas këtij vendimi, subjekti politik e kishte dërguar rastin në Gjykatën Supreme.
Në aktgjykimin e saj, Supremja konfirmoi qëndrimin e PZAP-it, duke theksuar se pretendimet për ndryshime të paligjshme të vendbanimeve nuk përbëjnë parregullsi që lidhen drejtpërdrejt me ditën e votimit, por mund të jenë objekt hetimi nga Prokuroria, nëse ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale.
Në Junik do të ketë balotazh më 9 nëntor mes Ruzhdi Shehut të LDK-së dhe Agron Kuçit të AAK-së.