Zgjedhjet lokale

Votimi deri në orën 13 krahasuar me rundin e parë zgjedhor – në cilat komuna ra e ku u shtua interesimi

Votimi

Foto: Ilustrim

Votimi deri në orën 13 krahasuar me rundin e parë zgjedhor – në cilat komuna ka rënë interesimi

18 komuna, të dielën e 9 nëntorit po i nënshtrohen balotazhit në kuadër të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Por megjithatë, në ciklin e dytë të zgjedhjeve duket se ka rënie të interesimit të qytetarëve për të votuar. Dalja më e ulët është regjistruar në Prizren.

Në përqindje të lehtë, rritje e interesimit të qytetarëve për të votuar është shënuar në Mitrovicë të Jugut, Mamushë, Junik e Obiliq.

Rritja më e madhe e përqindjes së qytetarëve si pjesëmarrës në votime është regjistruar në Mamushë. Atje deri në orën 13:00 kanë votuar 40% e qytetarëve, ndërsa deri në orën e njëjtë në rundin e parë, votuan 35.89% e qytetarëve. Poashtu, Mamusha është komuna me pjesëmarrjen më të lartë edhe nga komunat e tjera në nivel vendi.

Edhe në Mitrovicën e Jugut, ka rritje të interesimit të qytetarëve për të votuar. Në rundin e parë dalja e qytetarëve deri në orën 13:00, ishte 16.98%, ndërsa në balotazh kjo shifër ka rritje për 1% apo 17.80% e totalit të qytetarëve.

Rritje të interesimit të qytetarëve për të votuar është regjistruar edhe në Junik. Në rundin e parë, deri në orën 13:00, votuan 27.26% e qytetarëve, ndërsa në ditën kur po mbahet balotazhi, deri në të njëjtën orë kanë votuar 28.39% e qytetarëve atje.

Ndërkohë në Prishtinë, në rundin e parë, deri në orën 13:00 dalja e qytetarëve ishte 19.20% por në balotazh kjo përqindje ka rënë në 17.57%.

Në Gjakovë, më 12 tetor deri në orën 13:00 votuan 14.12%, por kjo shifër sipas KQZ-së në balotazh është 10.65%.

Rënie e daljes në votime është regjistruar edhe në Gjilan. Në rundin e parë votuan 16.39% e qytetarëve, ndërsa në balotazh sipas KQZ-së, kanë votuar 13.69%.

Një rënie prej 2% është regjistruar edhe në Komunën e Fushë-Kosovës. Në rundin e parë deri në orën 13:00, votuan 18.34% e qytetarëve, ndërsa në balotazhin e 9 nëntorit, 16.92 e qytetarëve.

Rënie të interesimit të qytetarëve për të votuar deri në orën 13:00 është regjistruar edhe në Pejë. Nga 15% sa ishte në rundin e parë, tashmë në rundin e dytë dalja ka rënë në 11.24%.

Por, dalja më e ulët është regjistruar në Prizren. Vetëm 9% është dalja e qytetarëve deri në orën 13:00 nga rreth 12% sa ishte në rundin e parë të zgjedhjeve lokale.

Rënie prej 4% të daljes së qytetarëve është regjistruar edhe në Suharekë. Në balotazh deri në orën 13:00, kanë votuar 11.84% e qytetarëve, ndërsa në rundin e parë, votuan 15.37% e qytetarëve.

Dalje më e vogël në balotazh është regjistruar edhe në Vushtrri. Deri në orën 13:00 kanë votuar 14.27% e qytetarëve, ndërsa në rundin e parë krahasuar me të njëjtën orë sipas KQZ-së, kishin votuar 16.98% e qytetarëve.

Dalje shumë më e vogël në përqindje, krahasuar me rundin e parë është shënuar edhe në Kllokot. Atje, në balotazh dhe deri në orën 13:00 kanë votuar vetëm 16% e qytetarëve, ndërsa në rundin e parë, dalja ishte deri në gati 30%.

Lexo përditësimet tjera
Vota - ne zgjedhjet 2025

LIVE: Balotazhi në 18 komuna