Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili po e kërkon edhe një mandat, ka prezantuar të mërkurën renovimin e plotë të Poliklinikës Stomatologjike, e po ashtu ka premtuar investime në rrugët e “Ulpianës”, në zëvendësimin e rrjetit të kanalizimit dhe në ndërtimin e kolektorit të ri, në rast se fiton besimin e qytetarëve më 12 tetor.
Në një ceremoni kushtuar hapjes së poliklinikës pas renovimit, sipas tij tërësor dhe pajisjes me inventar të ri, Rama ka thënë se për herë të parë po ofrohen edhe shërbime sekondare.
“Tashmë nuk ka pritje, pra qytetarët nuk presin për shërbimet, përkundër faktit që ne ofrojmë shërbime për qytetarët e kryeqytetit, diku më shumë se 30 për qind të shërbimeve i kryejmë edhe për qytetarët e tjerë të regjionit të gjithë Kosovës. Shërbime të cilat kryeqyteti nuk paguhet për to, prandaj duhet t’i kemi parasysh që niveli qendror fondet që dedikohen për kryeqytet të jenë në pah me elemente, me shërbime që ne i kryejmë për qytetarët jo vetëm për qytetarët e kryeqytetit, por edhe të gjithë Kosovës, ka theksuar Rama.
Në Pejë kryetari aktual Gazmend Muhaxheri ka deklaruar se në mandatin e fundit janë ndërtuar 10 shkolla të reja e në Shtërpcë kandidati i kësaj partie për kryetar, Valmir Ahmeti, ka akuzuar udhëheqjen aktuale për diskriminim të shqiptarëve.
Ai tha se në projektbuxhetin e vitit 2026, nga mbi 2.6 milionë euro të ndara për investime kapitale, vetëm 48 mijë euro apo 1.8% – janë paraparë për zonat e banuara me shqiptarë, ndërsa 98.2% për zonat e banuara me serbë.
Ndërkohë në Dragash kryetari aktual Bexhet Xheladini ka kërkuar besimin e qytetarëve, duke numëruar investimet e bëra në mandatin që po përfundon.
“Kemi investuar shumë në arsim, shëndetësi, kulturë, rini, sport dhe digjitalizim. Subvencionet në bujqësi dhe blegtori. Nëse një pauzë ndan një video nuk dallon një vizon. Punët flasin vetë, ne vazhdojmë”, ka thënë ai.
