Zgjedhjet lokale

PZAP-ja s’i çon në rivotim Junikun e Kllokotin, ankuesit i drejtohen Supremes

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur të mos i çojë në rivotim komunën e Junikut dhe atë të Kllokotit, pas ankesave për devijim vote. Sipas PZAP-së, ankuesit nuk kanë paraqitur prova që dëshmojnë pretendimet. Të dyja vendimet janë kontestuar në Supreme

Juniku e as Kllokoti nuk do të shkojnë në rivotim nëse mbeten në fuqi vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. 

Fillimisht ky institucion nuk i shqyrtoi ankesat, por me to u mor pasi u urdhërua nga Gjykata Supreme.
AAK-ja ka kontestuar rezultatin në Junik, ku ka fituar kandidati i LDK-së. Në ankesë është theksuar se listat e votuesve janë fryrë me njerëz që nuk kanë mbiemrat që janë të njohur në komunë dhe as prona brenda territorit.

Por, PZAP-ja ka vlerësuar se nuk ka prova që i vërtetojnë pretendimet e AAK-së.

“Pretendimet që ndërlidhen me rritjen e papritur të numrit të votuesve, përfshirjen e personave të panjohur në listat zgjedhore dhe në procesin e votimit, si dhe veprime të organizuara nga persona të lidhur me strukturat komunale, tani për tani mbeten vetëm në suaza të supozimit, ngase nuk janë faktuar apo të dokumentuara me asnjë dëshmi materiale, prova shkresore apo dokumentacion zyrtar nga institucionet kompetente”, thuhet në vendimin e PZAP-së për ankesën e AAK-së. 

Për Kllokotin, kandidati shqiptar për kryetar komune u ankua për votim të kundërligjshëm me asistencë, që u mundësua nëpërmjet vërtetimeve mjekësore të falsifikuara e të lëshuara nga institucionet paralele serbe. E edhe në këtë rast PZAP-ja vlerësoi se barra e provës bie mbi ankuesin, për të cilin ka theksuar se nuk paraqiti prova të mjaftueshme.

“Paneli në bazë të gjetjeve më 12.10.2025, as në polici nuk është paraqitur ndonjë ankesë apo kallëzim penal lidhur me votuesit me asistencë dhe dokumentacionet mjekësore të lëshuara nga shteti i Serbisë. Andaj pretendimet e ankuesit nuk japin bazë e mjaftueshme dhe me peshë në rezultat për të urdhëruar përsëritjen e votimit në vendvotimin e pretenduar”, thuhet në vendimi i PZAP-së për ankesën e Arbër Eminit.

Të dyja vendimet nuk janë përfundimtare. Kandidati për Kllokotin, Arbër Emini, e edhe AAK-ja e ka kanë konfirmuar për KOHËN se kanë parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimeve të PZAP-së.