Zgjedhjet lokale

Përparim Rama premton fasadimin e objekteve në lagjen “Ulpiana”

Perparim Rama

Në ditën e tretë të fushatës për balotazhin e 9 nëntorit, kandidatët për kryetarë komunash nga radhët e LDK-së kanë shpalosur zotimet për investime në infrastrukturë, shëndetësi, sport e kulturë. Në Prishtinë është premtuar fasadimi i objekteve banesore në lagjen “Ulpiana” e në Gjilan që çdo qytetar ta ketë mjekun familjar

Takime me qytetarë e vizita në lagje të kryeqytetit ka zhvilluar të mërkurën kryetari aktual dhe njëherësh kandidat i Lidhjes Demokratike edhe për një mandat në krye të Prishtinës, Përparim Rama.

Krahas takimeve me banorë të lagjes “Dardania”, Rama në ditën e tretë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale ka shpalosur disa nga projektet e përfunduara në lagjen “Ulpiana”.

“Jemi këtu në Kurrizin ikonik, ku kemi bërë punë të mëdha në tunel poshtë, e tash e tutje do të fokusohemi në fasadimin e gjitha këtyre fasadave, të cilat nuk janë prekë, që më shumë se 40 vjet”, ka thënë Rama.

Ai gjatë së mërkurës ka mbajtur tubim edhe me mësimdhënësit e kryeqytetit.
Rama ka premtuar fuqizim të shkollave.

“Mësimdhënësit janë themeli i një Prishtine që ngrihet mbi dije, barazi dhe mundësi për çdo fëmijë. Çdo hap përpara i arsimit në kryeqytet mban vulën e përkushtimit të tyre, njerëz që rrisin gjenerata me dije, durim dhe dashuri. Vizioni ynë mbetet i njëjtë: një Prishtinë që e respekton mësuesin, e fuqizon shkollën dhe e sheh të ardhmen në sytë e çdo nxënësi. Ky rrugëtim vazhdon bashkë, me angazhim të palëkundur për kushte më të mira në arsim”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.
Rama në rundin e dytë më 9 nëntor do të përballet me Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje.

Premtim për investime në pajisjen me ashensorë të objekteve banesore në Fushë-Kosovë ka bërë kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune, Besnik Osmani, i cili për kundërkandidat në balotazh e ka Valon Prebrezën nga Lëvizja Vetëvendosje. 

Ai ka premtuar investime edhe në Bresje.

“Ndërtesat e vjetra në lagjen e Bresjes, do të realizohet një proces i plotë rinovimi me përmirësim të infrastrukturës, krijim të hapësirave gjelbëruese dhe parqeve të reja, për t’u dhënë banorëve kushte moderne, të sigurta dhe më të mira për jetesë!”, ka thënë Osmani.

E në Suharekë, kandidati Ardian Shala ditën e tretë të fushatës e ka përqendruar në takim me banorë të fshatrave dhe me pensionistë.

“Me shumë respekt e mirënjohje, e falënderim për çdo familje, për besimin dhe përkrahjen që më kanë dhënë në zgjedhjet e 12 tetorit. Bashkëpunimi me banorët e Semetishtit ka qenë gjithmonë i sinqertë dhe i frytshëm dhe se çdo hap i bërë është rezultat i këtij bashkimi. Më 9 nëntor do të jemi bashkë për të vazhduar punën e nisur – për zhvillim, për përparim dhe për të ardhmen e përbashkët të Suharekës”, ka thënë Shala.

Në balotazh, Shala do të përballet me kryetarin aktual dhe kandidatin e AAK-së, Bali Muharremaj.

Arbër Ismajli, që është kandidat i LDK-së për kryetar të Gjilanit, ka shpalosur prioritetet në fushën e shëndetësisë. Ai, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka premtuar punësim për mjekë të porsadiplomuar, që çdo qytetar ta ketë mjekun e vet si dhe pajisje moderne e efikasitet në menaxhim. 

Ismajli përballë më 9 nëntor do ta ketë Alban Hysenin e LVV-së që është edhe kryetar aktual.

E Xhafer Gashi, që e synon edhe një mandat si kryetar në Obiliq, ka numëruar investimet e bëra në fushën e kulturës dhe sportit.

“Kompleksi sportiv te stadiumi ‘Agron Rama’ dhe stadiumi ‘Adem Jashari’. Siç e dini janë ofruar hapësira të shumta për rininë. Shtëpia e Kulturës, Biblioteka, sheshe, parqe, fusha sportive mbi 33 sosh. Gjithashtu jemi duke ndërtuar pishinën gjysmë olimpike, për fëmijët që lëndë mësimore do ta kenë edhe notin”, ka thënë Xhaferi.

Xhaferi në rundin e dytë do të garojë kundër Halil Thaçit të Vetëvendosjes.

Sokol Haliti po ashtu po e kërkon edhe një mandat. Si kandidat i LDK-së për kryetar të Vitisë, ai të mërkurën ka takuar Forumin e Gruas të kësaj partie.

“Ju jeni forca që mban gjallë shpresën tonë për një të ardhme më të drejtë, më dinjitoze dhe më të barabartë për të gjithë. Një falënderim i veçantë për Forumin e jashtëzakonshëm të Gruas, për këtë organizim masovik! Rrugëtimi ynë vazhdon bashkë, me zemër, me vendosmëri dhe me dashuri për Vitinë tonë. Ju faleminderit pa fund për gjithçka!”, ka shkruar Haliti në llogarinë e tij në Facebook.

LDK-ja është në balotazh edhe në Pejë, Junik e Dragash.

Lexo përditësimet tjera
Votimi

Dita e tretë e fushatës për balotazhin e zgjedhjeve lokale