PDK-ja dhe LDK-ja kanë lidhur marrëveshje koalicioni të dielën në Mitrovicë të Jugut dhe Prizren. Ato janë bërë bashkë për garën e balotazhit që do të mbahet më 9 nëntor.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, në një postim në Facebook ka thënë se marrëveshja e koalicionit me LDK-në është premtim për qytetin e Mitrovicës. Ai në balotazh do të përballet me kandidatin e Vetëvendosjes, Faton Peci.
“Marrëveshja e koalicionit që nënshkruam me Lidhjen Demokratike të Kosovës është një premtim për qytetin tonë. Është një dëshmi se kur zgjedhim të bashkohemi dhe të veprojmë me një qëllim të përbashkët, Mitrovica gjithmonë fiton. Qyteti ynë ka nevojë për bashkëpunimin dhe energjinë e çdo qytetari, pavarësisht prejardhjes apo bindjeve politike. Ky është koalicion për Mitrovicën dhe mitrovicasit. Ky është koalicioni i fitores!” – ka shkruar Tahiri.
E në Prizren, kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, ka zyrtarizuar marrëveshjen me LDK-në, të cilën e ka quajtur koalicion për bashkëqeverisje.
“Sot jam i lumtur ta ndaj lajmin e arritjes së koalicionit për bashkëqeverisje me LDK-në, i bindur se idetë e reja dhe përvoja e kësaj force politike do t'i shërbejnë Prizrenit edhe më shumë. E falënderoj udhëheqjen e kësaj partie dhe kryetarin e degës në Prizren, Driton Selmanaj për besimin dhe mbështetjen në balotazh duke dëshmuar se para Prizrenit dhe qytetarëve të tij, interesat partiake mbesin në rendin të dytë. Prizren urime dhe na priftë e mbara! Rrugëtojmë bashkë +4 për Prizrenin e të gjithëve dhe për të gjithë!” – ka shkruar Totaj.
Totaj në Prizren do të përballet me kandidatin e Vetëvendosjes, Artan Abrashi.
Ndaj marrëveshjeve të fundit PDK-LDK kanë reaguar zyrtarë të Vetëvendosjes.
E Abrashi të dielën po ashtu ka njoftuar për arritjen e marrëveshjes me Zahir Berishën.
“Bashkë, me ikonën Zafir Berisha me zemër e vullnet për Prizrenin që na bashkon!” – ka shkruar Abrashi.
E Zafir Berisha ka ftuar që në balotazh të votohet për ndryshim.
“Bashkimi Demokratik i Prizrenit nuk po heq dorë nga parimet e veta, përkundrazi, po i vë ato në shërbim të qytetit. Ne besojmë se Prizreni meriton punë të ndershme, zhvillim të qëndrueshëm dhe qeverisje që i shërben njerëzve, jo grupeve të interesit PDK-LDK”, ka shkruar Berisha.
Gara për balotazh zhvillohet në 18 komuna, ndërsa në gjysmën prej tyre janë arritur marrëveshje koalicioni.