Kandidati i LDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, ka njoftuar nëpërmjet një postimi në Facebook se është arritur një koalicion me PDK-në për balotazhin e 9 nëntorit.
Në balotazh do të përballet Valon Prebreza i Lëvizjes Vetëvendosje me Besnik Osmanin e LDK-së.
Në raundin e parë më 12 tetor, Prebreza doli i pari me 45.15 për qind të votave, ndërsa Osmani i dyti me 36.66 për qind. I treti ishte Rrahim Tërnava i PDK-së me 16.15 për qind.
“Është arritur koalicioni i madh për të mirën e të gjithë qytetarëve të Komunës së Fushë Kosovës, që i thotë PO zhvillimit, mirëqenies dhe përparimit. Në këtë frymë bashkëpunimi, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës do të ecin bashkë për prosperitetin e të gjithë qytetarëve, për Fushë-Kosovën tonë. Gjatë këtyre ditëve, dy degët tona kanë punuar së bashku në hartimin e planit qeverisës dhe, në koordinim të plotë edhe me qendrën, kemi nënshkruar marrëveshjen për qeverisjen gjithëpërfshirëse për mandatin e ardhshëm qeverisës. Kjo marrëveshje është shprehje e përgjegjësisë politike dhe e vullnetit të përbashkët për ta çuar Fushë Kosovën përpara, me një qeverisje moderne, transparente dhe në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Osmani në Facebook.
E dega e LDK-së në Fushë-Kosovë e ka publikuar marrëveshjen e nënshkruar më 24 tetor.

