Zgjedhjet lokale

Nis procesi i numërimit të votave me postë, mbi 3,000 fletëvotime të refuzuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës dhe të cilat i takojnë zgjedhjeve të raundit të dytë për Kryetarë të 18 komunave, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Gjatë ditës së premte, është përmbyllur procesi i vlerësimit të 12,018 pakove me fletëvotime që janë sjellë deri më tani në Kosovë. KQZ ka njoftuar se për shkak të largësisë, ende nuk janë sjellë në Kosovë 519 pakot me fletëvotime nga kutitë postare në SHBA, Kanada dhe Australi, vlerësimi dhe numërimi i të cilave do të bëhet pasi të arrijnë.

“Nga procesi i vlerësimit të 12,018 pakove me fletëvotime që janë sjellë deri më tani në vendin tonë, janë aprovuar 8,932, ndërkaq janë refuzuar 3,086. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 3,009 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, njoftoi Komisioni.

Më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e 13,084 pakove të supozuara me fletëvotime. Numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës dhe që i takonin këtyre 18 komunave është: 29,752.