Zgjedhjet lokale

Me “aminin” e Serbisë, Lista Serbe ia mësyn veriut me të dorëhequrit

Lista Serbe

Foto: KIM

Subjekti politik më i madhi i serbëve të Kosovës ka marrë aprovimin e Serbisë për të marrë pjesë në garën zgjedhore të 12 tetorit. Kjo parti është në pritje të certifikimit të pjesëmarrjes së saj në zgjedhje nga KQZ-ja derisa të premten ka prezantuar kandidatët e saj. Në veri do të garojnë të dorëhequrit

Lista Serbe synon të rikthehet në pushtet në komunat në veriun e Kosovës, të banuara kryesisht me serbë.

Kjo parti do të garojë në të katër komunat në veri dhe në gjashtë komuna të tjera. E garës do t’i prijnë ish-kryetarët e komunave që ishin dorëhequr më 2022 pasi serbët braktisën institucionet.

Gjatë prezantimit të kandidaturave, përfaqësues të këtij subjekti politik kanë thënë se e ka marrë “aminin” nga Serbia për të garuar.

“Me mbështetjen e shtetit tonë të Serbisë, po luftojmë përsëri për të arritur në një situatë ku mund të vendosim për fatin tonë, por tani jemi absolutisht të vetëdijshëm se qasja hipokrite e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe organizatave ndërkombëtare ka çuar në faktin se serbët po jetojnë ditët më të vështira që nga viti 1999”, ka thënë Igor Simiq, anëtar i kryesisë së Listës Serbe.

Lista Serbe, është partia e radhës me përfaqësuesit e së cilës është takuar e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

Takimet me subjekte politike të zyrtares amerikane janë duke u mbajtur derisa palët janë në pritje të publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, e në prag të zgjedhjeve lokale.

Për takimin me përfaqësues të Listës Serbe, nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, njoftuan të premten, dy ditë pasi përfundoi afati i aplikimit për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Në diskutimin e saj me përfaqësuesit e Listës Serbe, ajo theksoi se pjesëmarrja e gjerë nga të gjitha partitë e themeluara është thelbësore për të siguruar që çdo komunitet të ketë një zë në të ardhmen e Kosovës. E Ngarkuara gjithashtu theksoi rëndësinë e komunitetit serb të Kosovës dhe përfaqësuesve të tij për të marrë pjesë plotësisht në punën e institucioneve të Kosovës. Vetëm përmes angazhimit aktiv mund të dëgjohen dhe adresohen zërat, shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Sipas të dhënave të ofruara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, Lista Serbe synon të garojë në katër komunat në veri, si dhe në Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug, Partesh e Kllokot. Përveç tyre, në garë vetëm për asamble janë edhe në Gjilan, Istog, Klinë, Pejë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Lipjan, Vushtrri, e Obiliq.

Kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut është Milan Radojeviq, që e udhëhoqi deri në nëntor të 2022-s. Ai ka qenë i punësuar edhe si drejtor i “Drejtorisë së Fondit Pensional Invalidor të Serbisë për Kosovën”, institucion që ka ushtruar veprimtarinë ilegalisht në Kosovë.

Në Leposaviq do të garojë Zoran Todiq që po ashtu ishte kryetar i kësaj komune, por edhe i institucioneve paralele.

Kandidat për kryetar të Zveçanit është ish-kryetari Dragisha Miloviq, që ka punuar edhe në institucione paralele shëndetësore.

Në Zubin-Potok do të garojë Milosh Peroviq.

Lista Serbe do të sfidohet në veri por edhe në komunat e tjera nga rreth 10 subjekte të tjera politike serbe.

Kjo parti, si dhe rreth 100 subjekte të tjera politike janë në pritje të verifikimit nga institucionet përkatëse e të certifikimit nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje.

Serbët dhanë dorëheqje nga postet e tyre në institucionet e Kosovës, përfshirë edhe komunat, në nëntor të vitit 2022. Me direktiva të Serbisë, ata bojkotuan edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 2023-s, e më pas edhe mundësinë e ofruar për të shkarkuar kryetarët shqiptarë në katër komunat në veri.