Dula i VV-së premton mbrojtje me ligj të Rahovecit: S’ka edhe rrush edhe ujëra të zeza

1 o. më parë / 18 sht 2025 20:51
Ali Dula

E Ali Dula, kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Rahovecit, ka premtuar ndryshim të statusit të komunës në rast se fiton besimin e qytetarëve.

Dula në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Rahovecin”, ka thënë se për qytetin do të bëhet edhe një ligj.

“Do të bëj çmos si kryetar komune. s'do lë gur pa lëviz që meqenëse që Rahovecin ta shpallë si tokë të mbrojtur me ligj në parlamentin e Kosovës. S’ka mundësi te kemi edhe rrush edhe kundërmim të ujërave të zeza”, ka thënë Dula.

Ai ka folur edhe për planet në bujqësi. 

“Sa i përket bujqësisë, ne do të kemi qasje të barabartë, pa klientelizëm në subvencionimin e bujqve, pa ndërmjetësim. Kjo është shumë domethënëse. Do të përpiqemi që të kemi një bujqësi intensive, jo ekstensive, ku kemi rendiment të ulët, kemi disa moto-kultivatorë, disa serra që kanë nga 2 a 3 ari dhe themi që po investojmë në bujqësi”, ka thënë ai. “Në bujqësi do të investojmë edhe në punën e derivateve, edhe për sistemin e mbrojtjes nga breshëri, pastaj do të kemi edhe grante për serra me teknologji të avancuar, do të kemi edhe një qendër të agro-përpunimit. Natyrisht në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, duke pasur parasysh potencialin e Rahovecit, do të kemi një linjë të veçantë të buxhetit”. 

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

Cana i PDK-së: Rahoveci po helmohet nga ujërat e zeza, do ta shpallim eko-komunë

1 o. më parë / 18 sht 2025 20:36
Edon Cana

Ujërat e zeza, përkatësisht mostrajtimi i tyre, është veçuar si problem i madh për Rahovecin edhe nga kandidati i PDK-së për kryetar, Edon Cana. 

Cana në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Rahovecin”, ka thënë se është shqetësuese se si kryetari aktual Smajl Latifi, sipas tij, po e relativizon këtë problem.

“Komuna jonë është duke u helmuar, në çdo përroskë e lum, në çdo lagje derdhen ujërat e zeza. Kjo ka të bëjë me mungesën e vizionit, sepse po flasim për një problematikë fundamentale. Në programin tonë ‘Rahoveci 2025’, kemi një vizion 10-vjeçar që ia mundëson Rahovecit të bëjë një planifikim të duhur”, ka thënë Cana. 

Ai ka premtuar edhe shpalljen e Rahovecit qytet i gjelbër.

“Ne duam të shpallim Rahovecin eko-komunën e parë në Kosovë. Do të bëhet një plan i detajuar, do të ndërtohen impiante në zona të caktuara”, ka thënë ai. Sipas tij, problemi do të zgjidhet për të gjitha fshatrat.

Po ashtu ka mohuar se ato që ka përmendur kryetari Latifi janë vërtetë impiante.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

 

Krasniqi i LDK-së me akuza ndaj Latifit: Në Rahovec s’ka projekt për trajtimin e ujërave të zeza

1 o. më parë / 18 sht 2025 20:33
Burim Krasniqi

Burim Krasniqi, kandidat i LDK-së për kryetar të Rahovecit, ka thënë se Rahoveci nuk ka një projekt të detajuar për ujërat e zeza.

Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Rahovecin”, ka thënë se pa një projekt, nuk mund të flitet as për koston.

“Nuk mund të themi se kushton 40 mijë-50 mijë për diçka që nuk e kemi projektuar hiç”, ka thënë ai. 

Ai ka kritikuar udhëheqjen komunale se nuk ka zgjidhur problemin me ujërat e zeza.

“Nuk është çështja e impiantëve e shekullit që po e jetojmë, është çështje e lokacionit, pasi nuk mund të lidhen me kolektorët kryesorë. Në vendet ku mundet, nuk përdoren, përpos kolektorit që lidhet me Malësinë e Vogël dhe që fatkeqësisht derdhet në një prone private e jo në Dri. Kolektorë tjetër nuk ka. Nuk ka kolektorë për fshatrat prej Drenovcit, pastaj Sinovci, Pastaselë, Nushpalë që i lidh dy Potaçanët e Sopniq. Ka qenë në zhvillim e sipër, por është stopuar kolektori që shkon përmes lumit Rimnik, që vjen prej Rahovecit e derdhet në Xërxë. Nuk ka kolektorë kryesor prej Hoçës së Madhe, Brestoc, Hoçë e Vogël, Nagavc, Krushë e Madhe. Janë krejt kanalizime që derdhen në përroskë, nuk ka zgjidhje. Kanalizimet e Opterushës derdhën në përroskë. Retija e Ulët e ka një impiant të ndërtuar prej KFOR-it turk, por që nuk po mirëmbahet gati kurrë. Malësia e Vogël e ka një impiant që kurrë nuk është mirëmbajtur. Pra janë investime të palogjikshme”, ka thënë Krasniqi

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

 

Latifi ankohet se s’po ndahet buxhet i mjaftueshëm për komunën e Rahovecit

1 o. më parë / 18 sht 2025 20:15
Smajl Latifi

Kryetari aktual, njëkohësisht edhe kandidati i AAK-së për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, është ankuar në nivelin qendror për pamjaftueshmëri buxhetore.

Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Rahovecin”, ka folur edhe për problemet tjera që e kanë përcjellur komunën gjatë investime. 

“Kemi kryer shumë punë, por ka edhe problematika që kërkojnë zgjidhej urgjente. Problemi themelor është se ka pamjaftueshmëri buxhetore, pastaj ka situata, të cilat janë të ndërlikuara pasi lidhen me pronën, statusin e pronës”, ka thënë Latifi.

Ai ka folur edhe për problemin me ujërat e zeza në këtë komunë, për investimet dhe planet për eliminim të këtij problemi.

“Janë problemet e kanalizimit në një pjesë të qytetit, që është lagjja ‘Vëllezërit Frashëri’. Diçka kemi zgjidhur, në disa segmente, por përsëri ka probleme për shkak të komplikimit që kanë banorët me pronën. Shpresoj që hap pas hapi, me përpjekje e mundim të madh, ne do t'i japim epilog edhe këtij problemi që është segmenti i fundit në atë lagje”, ka thënë ai. 

Latifi ka thënë se me këtë problem po merret tash e sa kohë. 

“Natyrisht ne kemi problemin edhe me ujërat e zeza, derdhjen e ujërave të zeza, për çka ne po ndërtojmë 6 impiante që së shpejti do të jenë funksionale në bashkëpunim me Komisionin Evropian, duke i shfrytëzuar fondet e IPA-s. Po ashtu kemi gjashtë gropa septike me standarde të larta që arrijnë ta pastrojnë ujin në masë 70 për qind”, ka thënë Latifi. 

Si sfidë të madhe ka potencuar Kontratën kolektive.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.