Nimanaj i PDK-së premton 300 mijë euro subvencione për klubet sportive në Istog

2 o. më parë / 17 sht 2025 22:11
Ali Nimanaj

Kandidati i PDK-së për kryetar të Istogut, Ali Nimanaj, ka premtuar rritje të buxhetit për klubet sportive të Istogut. 

Në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Istogun”, Nimanaj ka thënë se nga 60 mijë euro sa është momentalisht, mbështetja do të arrijë në 300 mijë euro në vit. 

“Buxheti për klubet sportive do të rritet dhe e them këtu me përgjegjësi të plotë. Mbështetja përmes subvencionimit të klubeve sportive të Komunës së Istogut dhe kjo çfarë do ta them sonte është e pamjaftueshme. Ne do ta bëjmë 300 mijë euro subvencione për mbështetjen e klubeve sportive dhe trajnerëve”, ka thënë Nimanaj. 

Ai ka thënë se ka shumë nevojë që të investohet në infrastrukturën sportive në Istog. 

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

Bujupaj i LVV-së për qeverisjen e LDK-së në Istog: Sundim modern

2 o. më parë / 17 sht 2025 22:07
Astrit Bujupaj

Kandidati i LVV-së për kryetar në Istog, Astrit Bujupaj, ka akuzuar LDK-së se gjatë qeverisjes në këtë komunë është përpjekur që ta kontrollojë masën. 

Sipas tij, përmes kësaj mënyre, që ai e ka quajtur “sundim modern”, LDK-ja ka thënë se po i fiton zgjedhjet. 

Në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Istogun”, Bujupaj ka thënë se mënyra se si ka qeverisur LDK-ja ka bërë që banorët të largohen nga qyteti. 

“Nëse ti për ta regjistruar një fëmijë në çerdhe, duhet të shkosh të kërkosh ndihmë te kryetari, atëherë kjo është, edhe kjo më ka bërë të kuptoj që njëmend ka mundësi, se zhvillimi po bëhet i ngadalshëm në Komunën tonë i qëllimshëm, në mënyrë që të kontrollojnë masën….Kjo që po e them është e vërtetë, e kështu që njerëzit kanë vuajtur shumë dhe nuk janë të gatshëm të vuajnë prapë edhe bëjnë zgjidhje, lëvizin. Lëvizin qoftë në diasporë, qoftë në Prishtinë, se nuk e durojnë trysninë dhe nuk e durojnë presionin, bëjnë zgjidhje të tjera”, ka thënë Bujupaj. 

Sipas tij, gjendja e demokracisë në Istog po shkon duke u rënduar. 

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

Krijimi i zonës ekonomike dhe industriale – Premtimi kyç i kandidatit të AAK-së në Istog

3 o. më parë / 17 sht 2025 21:49
Ukë Blakaj- AAK

Ukë Blakaj, kandidat i AAK-së për kryetar të Istogut, ka thënë se premtimi kyç i kësaj partie për këtë komunë është krijimi i zonës ekonomike dhe zonës industriale. 

Përmes krijimit të kësaj zone, bizneseve do t’u ofrohen kushte të reja, ka thënë Blakaj, në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Istogun”.

“Do të ndërtojmë infrastrukturën ekonomike, zonën ekonomike, zonën industriale që Komuna e Istogut deri sot nuk e ka ndërtuar. Është një zonë për bizneset, mirëpo aty nuk ka hapësirë më dhe nuk ka pasur infrastrukturë të mirëfilltë. Kështu që ne me ardhjen tonë synojmë zonën ekonomike, që t’i pozicionojmë të gjitha bizneset në atë zonë, t’u ofrojmë bizneseve të reja kushte që t’ua japim mundësinë ta kenë vendin dhe të krijojmë një zonë industriale për një mundësi prodhimi”, ka deklaruar kandidati i AAK-së për Istogun. 

Blakaj ka shtuar se një zonë e tillë do të jetë edhe një mundësi që të tërhiqen investitorët e huaj për të investuar në Istog. 

Pos kësaj zone, kandidati Blakaj ka përmendur edhe projekte të tjera infrastrukturore. 
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.