Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Prishtinën, Përparim Rama, ka prezantuar të martën, në ditën e katërt të fushatës për zgjedhjet lokale, zgjerimin e rrjetit të transportit publik.
Ai ka thënë se 30 linja të reja u janë shtuar atyre ekzistuese, duke mundësuar qasje në çdo lagje dhe fshat të Prishtinës.
Sipas tij, ky transformim i rëndësishëm siguron që çdo shtatë minuta të ketë një autobus në dispozicion për qytetarët.
“Zgjerimi i rrjetit të transportit publik tash sjell linja në lagjet e Prishtinës ku deri tani nuk ka pasur autobusë dhe kjo është një prej pikave kyç, zonat e kryeqytetit si: ‘Taslixhe’, ‘Velania’, ‘Bledi’, ‘Arbëria’, ‘Sofalia’, lagjja ‘Qëndresa’, ‘Nicë’, ‘Veterniku’ e Zllatari, të gjitha këto prej sot kanë me pasë autobusë, shërbime të autobusëve, në të gjitha këto pjesë të kryeqytetit”, ka thënë Rama.
E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në tubimin e mbajtur në Klinë. Ai ka thënë se kandidati i kësaj partie, Arben Limanaj, do të sjellë ndryshim “me energjinë e një lideri të ri”.
“Arbeni është një emër i freskët në garën për kryetar, por jo i panjohur për ju. Për vite të tëra, ai ka qenë aty, në Kuvendin Komunal, duke ju përfaqësuar, duke ngritur zërin për hallet tuaja, duke qenë kritik i drejtë dhe i vendosur ndaj çdo padrejtësie. Ai nuk ka heshtur asnjëherë përballë mungesës së transparencës, ai nuk i ka mbyllur sytë kur qytetarët janë anashkaluar, ai nuk ka kursyer fjalën kur interesat e Klinës janë lënë pas dore. Ai i di problemet, sepse i ka parë, i ka dëgjuar dhe i ka ngritur aty ku duhej. Dhe sot ai vjen me një vizion për ndryshim”, ka thënë Abdixhiku.
Vetë Limanaj, pasi foli për problemet që janë në komunë, sipas tij, premtoi edhe zgjidhje për to.
“Ndryshimet në Komunën e Klinës janë të domosdoshme duke filluar nga uji i pijshëm, përmirësimi i gjendjes në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, shërbime publike të standardizuara. Problemi kyç i Komunës së Klinës dhe prioriteti ynë kryesor është furnizimi me ujë të pijshëm edhe përkundër investimeve milionëshe Klina me rrethinë dhe fshatrat e tjera të komunës sonë edhe sot ballafaqohen me ketë problem të pazgjidhur”, ka thënë Arben Limanaj.
Në Prizren kandidati për kryetar nga LDK-ja, Driton Selmanaj, gjatë një takimi me banorët e fshatit Piranë, ka vënë theksin te bujqësia.
“Sot, në zemër të Piranës, u mblodhëm për të shpalosur programin tonë. Theksi kryesor ishte tek mbështetja e fuqishme për bujqit, duke njohur rëndësinë e kësaj zone bujqësore. Ishte një kënaqësi të shihnim interesin e madh të njerëzve, sepse këto takimet për kafe po shndërrohen në shpresë dhe motivim, si për ne ashtu edhe për qytetarët”, ka thënë Driton Selmanaj.
Kandidati për Fushë-Kosovën, Besnik Osmani, gjatë të mërkurës ka zhvilluar vizita në disa biznese në qytet, duke u premtuar se komuna do të jetë “dora e djathtë” e tyre. E në Istog kryetari aktual Ilir Ferati, që garon për një mandat të ri, ka prezantuar disa nga projektet kryesore të programit të tij. Ka përmendur finalizimin e kolektorit kryesor të ujërave të zeza, ndërtimin e rrugës Uçë-Vojdullë, si dhe elektrifikimin e Bjeshkëve të Istogut.
“Finalizimi i kolektorit kryesor të ujërave të zeza, projekt që kap vlerën prej 4.2 milionë eurosh. Ndërtimi i rrugës Uçë-Vojdullë, që kap vlerën prej 3.9 milionë eurosh. Ndërtimi i rrugës së fermerëve Gusar, që kap vlerën prej 1.7 milionë euro, ku janë të punësuar fermerë kryesorë jo vetëm të Komunës së Istogut por edhe, mund ta them me plot bindje, të Republikës së Kosovës. Elektrifikimi në Bjeshkët e Istogut përmes investitorëve që kap vlerën prej 3.8 milionë eurosh dhe krijon mundësi të reja për turizëm malor dhe zhvillim të bizneseve“, është shprehur Ferati.
