Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së katërt të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave e në cilat komuna kanë qenë liderët e partive?
Lladrovci premton lehtësime për bizneset
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka premtuar heqjen e taksës së operimit dhe lehtësime tjera për bizneset, nëse e fiton edhe një mandat tjetër katërvjeçar.
Lladorvci që po garon me subjektin “Për Drenasin Kampion”, të martën është takuar me afaristë, biznesmenë dhe pronarë të kompanive e fermerë.
“Drenasi është zemra e Kosovës, pozita jonë gjeografike, është zonë shumë e kërkuar për të zhvilluar biznes dhe veprimtari dhe ne jemi dëshmuar se ofrojmë lehtësira dhe klimë pozitive për të bërë biznes. Jam krenar me mbi 2.000 biznese që punojnë e operojnë në komunën e Drenasit, e zhvillojnë jo vetëm Komunën por kanë kontribut në zhvillimin e Kosovës. Heqja e taksës së operimit, është ndër vendimet e para në mandatin e ardhshëm, por, do të ketë edhe lehtësira të tjera. Ne kemi 101 arsye për të votuar "Për Drenasin Kampion", zemrën e Kosovës, tërheqëse për investitorët vendorë e ndërkombëtarë, në komunën me kontribut të madh për lirinë e Kosovës. Me përkrahjen dhe gatishmërinë e afaristëve të Drenasit me 101 arsye "Për Drenasin Kampion", fryma e fitores është e pandalshme. Vazhdojmë edhe katër!” – ka shkruar Lladrovci në Facebook.
AAK-ja premton dritë për qytetin që ndriçon gjithë Kosovën
Me një ecje nga selia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës drejt sheshit kryesor, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, së bashku me kandidatin për kryetar të Obiliqit, Ali Krasniqi, dhe grupin e kandidatëve për asamblistë, të martën ka hapur fushatën në këtë komunë.
Në bashkëbisedim me Haradinajn gjatë ecjes, kandidati Krasniqi ka thënë se gara në Obiliq do të jetë e fortë. E në selinë e partisë fjalimin ia ka dedikuar liderit të partisë.
“Si kandidat për kryetar të Komunës së Obiliqit në zgjedhjet komunale të vitit 2021 ka qenë vendim i përbashkët që të mos ia kthejmë shpinën Aleancës, duke mos synuar asnjëherë pozita politike. Por, siç është thënë atëherë nga një profesor tashmë i ndjerë, është tradhti t’ia kthesh shpinën gjeneralit Haradinaj, sidomos për punët e mëdha që janë bërë në Obiliq. Sot, në vitin 2025, unë para jush marr përsipër kandidaturën për kryetar komune nga radhët e Aleancës. Me besim dhe përkushtim do ta çojmë Obiliqin përpara drejt zhvillimit dhe punës që e meritojnë qytetarët tanë”, ka thënë Krasniqi.
E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në fjalimin e tij ka kujtuar periudhën kur ishte në krye të Qeverisë së Kosovës dhe vendimet që, sipas tij, janë marrë për Obiliqin.
Kjo komunë për një kohë ishte qeverisur nga AAK-ja, pasi kryetari aktual, Xhafer Gashi, ishte pjesë e këtij subjekti politik. Tash Gashi është pjesë e LDK-së dhe kandidon sërish më 12 tetor.
“Ne kohën e qeverisjes së dytë të Haradinajt e kemi fuqizuar Ligjin për Obiliqin. Ka qenë një proces jo aq i thjeshtë, sepse ka qenë për herë të parë ndarja e buxhetit dhe fuqizimi i krejt atyre obligimeve që i merrte ligji. Pikërisht në atë kohë e kemi trajtuar Obiliqin me kujdes për objektet infrastrukturore, për projektet e mëdha që kanë kërkuar më shumë buxhet sesa kapaciteti i komunës – edhe sheshet, edhe shkollat, edhe shumë projekte të tjera infrastrukturore. Ne e kemi kuptuar edhe atëherë se prej Obiliqit merr dritë krejt Kosova, por ju merrni një nga ndotjet më të mëdha të ajrit. Kuptohet se jeni të dëmtuar jo veç në shëndet, por edhe në krejt aspektet e tjera. Ne e kemi vlerësuar atëherë sa obligative është që të rinjtë dhe të rejat në kushte të barabarta me pasë një trajtim të respektueshëm prej KEK-ut, sepse ka qenë në interes. Nuk ka qenë i lehtë zbatimi i këtij premtimi”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka lavdëruar kandidatët e AAK-së në secilën komunë dhe i ka ftuar qytetarët të rrethojnë numrin e kësaj partie.
“Po ju tregoj se niveli i qeverisjes së Aleancës, kudo që iu është dhënë mundësia nëpër komuna me udhëheqë, por edhe në bashkëqeverisje me kolegët tanë, vërtet po qeverisin mirë. Për këtë arsye kemi vendosur edhe sloganin tonë ‘Dritë për komunat, dritë për Obiliqin’. E di që po ju shqetësojnë edhe shumë probleme tjera – normal, në vendin tonë kemi qejf me pa Kosovën sa më mirë. Jemi të shqetësuar pse s’po konsolidohen Parlamenti apo Qeveria, pse s’po ecën zhvillimi. Ju siguroj që Aleanca, me kapacitetin e vet, është kujdesur që me i ecë këto procese përpara”, ka thënë Haradinaj.
Gjatë këtij aktiviteti elektoral janë prezantuar edhe kandidatët për Kuvendin Komunal.
Kandidatët e PDK-së për kryetarë të komunave ua kushtojnë ditën grave
Kandidatët e Partisë Demokratike për kryetarë komunash, ditën e katër të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ua kanë kushtuar grave.
Në Gjilan, takim me vajzat e gratë ka zhvilluar kandidati i kësaj aprtie për kryetar të komunës, Riad Rashiti.
E pranishme ishte edhe sekretarja e PDK-së Vlora Çitaku e cila në formë të një këshille miqësore për Rashitin, ka thënë se duhet dëgjuar kërkesat e grave, pasi sipas saj, ato janë në të vërtetë kërkesat e komunitetit.
“Kërkesat e grave nuk janë kërkesa luksi, të kërkosh çerdhe për fëmijë - nuk është luks, të kërkosh që të kesh ndriçim nëpër rrugë - nuk është luks, në mënyrë që ne të ndihemi të sigurta tek shkojmë në shkolla, puna a shtëpi – nuk është luks, të ecësh pa frikën e qenve endacak – nuk është luks. Gruaja kur bënë kërkesa karshi pushtetit, asnjëherë nuk i bënë veç si grua, i bënë edhe si nënë, si motër, si bashkëshorte. Ke parasysh që kërkesat e grave janë kërkesat e komunitetit”, ka thënë Çitaku.
Në takim janë prezantuar edhe 14 kandidatet për asambliste që janë pjesë e listës së PDK-së për zgjedhjet për Kuvend Komunal.
E, Rashiti ka premtuar se 2 për qind e buxhetit vjetor të komunës do ta ndajë për fuqizimin e grave, në rast se merr besimin për kryetar të Gjilanit.
“Deri sot jo vetëm Gjilani, por asnjë komunë e Kosovës nuk ka pasur buxhet të ndarë, linjë e veçantë e buxhetit për hratë dhe unë në programin tim i kam 2% e buxhetit të përgjithshëm të Komunës së Gjilanit, vjetor që është, të destinuara për fuqizimin e gruas. Vlera e 2 përqindëshit të buxhetit është 800 mijë euro çdo vit të cilat do jenë të destinuara për projektet e gruas në Gjilan. Për katër vite 3.2 milionë euro do jenë të destinuara për fuqizimin e gruas në Gjilan”, ka thënë Rashiti.
Ai po ashtu është zotuar se do prezantojë skemë subvencionimi për prindërit që i dërgojnë fëmijët në çerdhet private.
“Do të ketë subvencionim 75 euro në muaj për çdo fëmijë që nuk mund të sistemohet në çerdhet publike por që do të shkoj në çerdhet private. Ky është një lehtësim jashtëzakonisht i madh sepse hapësirat, apo vendet në çerdhet publike janë të kufizuara”, ka deklaruar Rashiti.
E në Mitrovicë të Jugut, kandidati i PDK-së për kryetar komune Arian Tahiri, njëherësh nënkryetar në mandatin aktual, ka thënë se, nëse e merr pushtetin, do të angazhohet drejt mundësive të barabarta, si për burrat, ashtu edhe për gratë.
“Si kryetar i ardhshëm, unë do të angazhohem për krijimin e mundësive të reja për gratë në Mitrovicë, duke ofruar trajnime profesionale, mundësi punësimi dhe mbështetje për bizneset e reja të tyre. Së bashku me Nafije Rexhën si asambliste dhe tërë ekipin tim, do të sigurojmë që gratë në Mitrovicë ta kenë vendin që meritojnë, të kenë mundësi të barabarta dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qytetit tonë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
E në kryeqytet, Uran Ismaili, si premtim ka dhënë përmirësimin e sigurisë publike.
“Nuk ka vend në kryeqytet për rrugë të errëta e të pasigurta! Vajzat dhe gratë e Prishtinës meritojnë më mirë! Kjo është zgjidhja jonë për një Prishtinë me rrugë të sigurta 24/7: 1,000 rrugë shtesë me ndriçim; 450 km trotuare të reja; Trajtim human të 5,000 qenve endacakë; 200 oficerë të trajnuar të sigurisë nëpër shkolla”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
Takim me gratë, të martën, ka zhvilluar edhe kandidati për kryetar të Kaçanikut, Sabedin Vishi.
Totaj: Puna jonë 4-vjeçare po shihet kudo
Kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj, përmes disa postimeve në Facebook, ka prezantuar disa nga punët që thotë se janë kryer gjatë mandatit të tij.
“Në kuadër të investimeve nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në SHFMU “Vëllezërit Frashëri” në Planejë të Hasit janë realizuar punime të rëndësishme në infrastrukturën shkollore. Gjatë kësaj faze të investimeve është bërë: Lyerja e brendshme e objektit shkollor; Renovimi i fasadës së jashtme; Rregullimi i oborrit të shkollës me hapësira të gjelbra dhe elemente betony; Ndërtimi i terrenit të kompletuar sportiv”, ka shkruar mes tjerash Totaj.
Sipas Totajt, puna e tij 4-vjeçare po shihet kudo.
“Puna jonë 4-vjeçare po shihet kudo! E kthyem besimin e qytetarëve se mund të punohet mirë dhe drejt! Qytetarët po e vlerësojnë dhe po u besojnë më shumë punëve sesa fjalëve. Prandaj, sot kërkojmë besimin qytetar për një mandat të dytë – për punët e mira që i kemi përfunduar dhe projektet e mëdha që do t’i prezantojmë për Prizrenin modern”, ka shkruar Totaj në një tjetër postim në Facebook.
Tutje, kryetari aktual i Prizrenit si një nga projektet që i realizoi gjatë mandatit të tij është edhe zhbllokimi i Tranzitit të ri.
“Nga zotimi në punë. Pas 15 vjetësh e zhbllokuam Tranzitin e ri, ndërsa e lidhëm një pjesë të qytetit me Autostradën. Projekte të mëdhaja e transformuese për qytetin na presin në 4 vitet e ardhshme”, shkroi Totaj në Facebook.
Totaj, mbrëmjen e së martës njoftoi se ka vizituar disa nëndegë të partisë në Prizren.
Kurti i bindur se Vetëvendosje e fiton Gjilanin pa balotazh
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, që kandidon edhe për një mandat, kanë zhvilluar të martën takim me gratë e kësaj komune dhe kanë premtuar fuqizim të rolit të gruas.
Kurti ka thënë se angazhimi i gruas në politikë ka qenë progres për shoqërinë dhe ekonominë gjatë qeverisjes qendrore e lokale të LVV-së, angazhim që ai ua ka kërkuar pjesëmarrësve edhe më tej.
Kurti ka lëvduar punën e kryetarit Hyseni duke përmendur shtimin e disa shërbimeve shëndetësore e subvencionimin e qirasë për nënat vetushqyese. Ai ka thënë se për t’i vazhduar këto vlera Gjilani duhet t’ia besojë Hysenit edhe një mandat. Kurti është shprehur i bindur se gratë dhe rinia do të jenë vendimtare që, sipas tij, kandidati i LVV-së ta fitojë Gjilanin pa balotazh.
“Gratë, rinia kanë qenë vendimtarë bashkë me diasporën kur ka fituar Alban Hyseni në balotazh para 4 vjetëve. E gratë, rinia dhe diaspora do të jenë vendimtarë që kësaj radhe Alban Hyseni të fitojë pa balotazh dhe të vazhdojmë me projekte të reja e të mira për fuqizimin e gruas, për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka deklaruar Kurti.
E Hyseni, teksa ka kërkuar mbështetje, është shprehur se plani i Vetëvendosjes për qeverisjen e Gjilanit nuk ka synim projekte katërvjeçare, por projekte afatgjate që nuk kufizohen në kohë. Hyseni ka theksuar se nga to do të përfitojnë jo vetëm gratë por të gjithë qytetarët. Ai ka thënë se janë tri shtylla mbi të cilat do të mbështetet programi i LVV-së për Gjilanin: qytet i zhvilluar, komunë për të gjithë dhe Gjilani i së ardhmes.
“Ne synojmë që të ndërtojmë një qytet ku edhe zhvillimi, edhe biznesi, edhe investimet e investitorët, edhe të rinjtë e të rejat, të moshuarit, të gjithë të zënë vendin e tyre meritorë dhe në këtë formë Gjilani bëhet sa më i jetueshëm që të jetë e mundshme”, ka thënë Hyseni.
Fushatë ka zhvilluar të martën edhe kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku. Ai ka vizituar krijueset artizanale në Prishtinë dhe u ka premtuar mbështetje përmes dy masave.
“E para është masa e mbështetjes direkte, jo për të krijuar rehati prej fondeve, por punën që e bëni ju me e dhënë edhe një shtytje, një skemë e menduar mirë e subvencionimit. E dyta, po mendojmë të punojmë shumë me turizëm, sepse kur rritet turizmi automatikisht përkthehet në më shumë të hyra prej jush dhe të vijmë në pikën që të mos kemi më shumë nevojë për subvencione, por të funksionojmë prej të ardhurave nga turizmi”, është zotuar Çeku.
Në Prizren kandidati Artan Abrashi është zotuar se pensionistëve do t’u sigurojë mbështetje për shëndetin, mirëqenien dhe dinjitetin e tyre.
E në Pejë kandidati Taulant Kelmendi ka premtuar se me qeverisjen e tij do të jetësohet shtylla e tretë e programit të LVV-së “për Pejën turistike”.
“Me qeverisjen tonë të re, shtylla e tretë e programit tonë është Peja turistike në funksion të zhvillimit ekonomik. Bashkë e kthejmë këtë pasuri në zhvillim, mundësi dhe krenari për secilin qytetar”, ka thënë Kelmendi.
Peci: Do ta rikthejmë identitetin e vjetër të Mitrovicës
Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka premtuar t’ia rikthejë identitetin e vjetër Mitrovicës.
“Do ta rikthejmë identitetin e vjetër të Mitrovicës! Rajoni i Mitrovicës është më i pasuri në vend për trashëgimi kulturore dhe arkeologjike. Në takimin e sotëm me drejtoreshën Nora Prekazi zhvilluam një bashkëbisedim të frytshëm për punët e jashtëzakonshme nga investimet e ministrit Hajrullah Çeku, përmes të cilave jeta kulturore është pasuruar shumë, për vizionin tonë katërvjeçar dhe për gjendjen e vështirë të Muzeut të Qytetit i cili për fat të keq është lënë pas dore, por është ndër prioritetet tona për t’i rikthyer vlerën dhe kujdesin që meriton. Për Mitrovicën që duam: 🏛️ Do të krijojmë Muzeun Alternativ të Kujtesës Historike dhe të Luftës në Mitrovicë. ⚽️ Muzeun e figurave të shquara të kulturës dhe sportit. ⛰️ Lidhjen e trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike të Shalës me zhvillimin e agroturizmit dhe ekoturizmit”, ka shkruar Peci në Facebook. Ai ka thënë se kjo është rruga për ta kthyer identitetin e Mitrovicës së vjetër.
LDK-ja përuron linja të reja transporti në Prishtinë e në Klinë premton “energji të re”
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Prishtinën, Përparim Rama, ka prezantuar të martën, në ditën e katërt të fushatës për zgjedhjet lokale, zgjerimin e rrjetit të transportit publik.
Ai ka thënë se 30 linja të reja u janë shtuar atyre ekzistuese, duke mundësuar qasje në çdo lagje dhe fshat të Prishtinës.
Sipas tij, ky transformim i rëndësishëm siguron që çdo shtatë minuta të ketë një autobus në dispozicion për qytetarët.
“Zgjerimi i rrjetit të transportit publik tash sjell linja në lagjet e Prishtinës ku deri tani nuk ka pasur autobusë dhe kjo është një prej pikave kyç, zonat e kryeqytetit si: ‘Taslixhe’, ‘Velania’, ‘Bledi’, ‘Arbëria’, ‘Sofalia’, lagjja ‘Qëndresa’, ‘Nicë’, ‘Veterniku’ e Zllatari, të gjitha këto prej sot kanë me pasë autobusë, shërbime të autobusëve, në të gjitha këto pjesë të kryeqytetit”, ka thënë Rama.
E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në tubimin e mbajtur në Klinë. Ai ka thënë se kandidati i kësaj partie, Arben Limanaj, do të sjellë ndryshim “me energjinë e një lideri të ri”.
“Arbeni është një emër i freskët në garën për kryetar, por jo i panjohur për ju. Për vite të tëra, ai ka qenë aty, në Kuvendin Komunal, duke ju përfaqësuar, duke ngritur zërin për hallet tuaja, duke qenë kritik i drejtë dhe i vendosur ndaj çdo padrejtësie. Ai nuk ka heshtur asnjëherë përballë mungesës së transparencës, ai nuk i ka mbyllur sytë kur qytetarët janë anashkaluar, ai nuk ka kursyer fjalën kur interesat e Klinës janë lënë pas dore. Ai i di problemet, sepse i ka parë, i ka dëgjuar dhe i ka ngritur aty ku duhej. Dhe sot ai vjen me një vizion për ndryshim”, ka thënë Abdixhiku.
Vetë Limanaj, pasi foli për problemet që janë në komunë, sipas tij, premtoi edhe zgjidhje për to.
“Ndryshimet në Komunën e Klinës janë të domosdoshme duke filluar nga uji i pijshëm, përmirësimi i gjendjes në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, shërbime publike të standardizuara. Problemi kyç i Komunës së Klinës dhe prioriteti ynë kryesor është furnizimi me ujë të pijshëm edhe përkundër investimeve milionëshe Klina me rrethinë dhe fshatrat e tjera të komunës sonë edhe sot ballafaqohen me ketë problem të pazgjidhur”, ka thënë Arben Limanaj.
Në Prizren kandidati për kryetar nga LDK-ja, Driton Selmanaj, gjatë një takimi me banorët e fshatit Piranë, ka vënë theksin te bujqësia.
“Sot, në zemër të Piranës, u mblodhëm për të shpalosur programin tonë. Theksi kryesor ishte tek mbështetja e fuqishme për bujqit, duke njohur rëndësinë e kësaj zone bujqësore. Ishte një kënaqësi të shihnim interesin e madh të njerëzve, sepse këto takimet për kafe po shndërrohen në shpresë dhe motivim, si për ne ashtu edhe për qytetarët”, ka thënë Driton Selmanaj.
Kandidati për Fushë-Kosovën, Besnik Osmani, gjatë të mërkurës ka zhvilluar vizita në disa biznese në qytet, duke u premtuar se komuna do të jetë “dora e djathtë” e tyre. E në Istog kryetari aktual Ilir Ferati, që garon për një mandat të ri, ka prezantuar disa nga projektet kryesore të programit të tij. Ka përmendur finalizimin e kolektorit kryesor të ujërave të zeza, ndërtimin e rrugës Uçë-Vojdullë, si dhe elektrifikimin e Bjeshkëve të Istogut.
“Finalizimi i kolektorit kryesor të ujërave të zeza, projekt që kap vlerën prej 4.2 milionë eurosh. Ndërtimi i rrugës Uçë-Vojdullë, që kap vlerën prej 3.9 milionë eurosh. Ndërtimi i rrugës së fermerëve Gusar, që kap vlerën prej 1.7 milionë euro, ku janë të punësuar fermerë kryesorë jo vetëm të Komunës së Istogut por edhe, mund ta them me plot bindje, të Republikës së Kosovës. Elektrifikimi në Bjeshkët e Istogut përmes investitorëve që kap vlerën prej 3.8 milionë eurosh dhe krijon mundësi të reja për turizëm malor dhe zhvillim të bizneseve“, është shprehur Ferati.
Kurti viziton disa fabrika në Kamenicë, lavdëron punën e kryetarit
Në ditën e katërt të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kryeministri në detyrë Albin Kurti bashkë me kryetarin aktual dhe kandidatin për një mandat të dytë në Kamenicë nga rradhët e LVV-së Kadri Rahimaj, kane zhvilluar disa vizita në këtë komunë.
Një nga vizitat ishte në fshatin Roganë të Kamenicës prej nga përmendën disa nga punët e kryetarit Rahimaj.
“Nga ndërtimi i fushës së sportit dhe i çerdhes së re, te rinovimi i shkollës “Metush Krasniqi” dhe asfaltimi i dhjetëra rrugëve; nga stadiumi i atletikës, te kyçja në ujësjellës, rinovimi i fushës sportive e shënjimi i shtigjeve në Parkun e Roganës; deri te mbështetja për 30 biznese vendore me grante komunale, të gjitha këto janë investime që po sjellin ndryshim të dukshëm.”, thuhet në njoftimin në facebook të kësaj partie.
Kurti ka vizituar edhe Grizimen, një fshat tjetër në Komunën e Kamnicës në të cilin gjenden dy fabrika.
“Së pari, fabrikën më të re të ujit “Qua FIX”, e cila u hap këtë vit me një investim prej mbi 500 mijë eurosh. Me kapacitet prodhues prej 10 mijë litrash ujë në orë, kjo fabrikë tashmë punëson 12 persona. Më pas, pamë nga afër edhe fabrikën e kërpudhave “Champingnon”, ku punësohen 30 punëtorë, prej të cilëve 80% janë gra. Prodhimi ditor arrin rreth 1,000 kg, me synim rritjen në 1,800 kg. Ndërkohë, 99% e përpunimit të kërpudhave të malit eksportohet në Evropë dhe Amerikë.”, thuhet në postimin në facebook.
Këto investime, u quajtën shumë të rëndësishme për ekonominë në vendin tonë.
Kandidati i AAK-së për Obiliq: Nuk tradhtohet gjenerali
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hapur të martën fushatën zgjedhore në Obiliq, ku së bashku me kandidatin për kryetar të komunës, Ali Krasniqi, dhe grupin e asamblistëve, zhvilluan një ecje në sheshin kryesor të qytetit.
Gjatë kësaj ecjeje, Haradinaj dhe Krasniqi diskutuan për mundësitë e fitores në Obiliq, ndërsa kandidati për kryetar u shpreh se gara do të jetë e fortë.
Pas ecjes, ata u ndalën për të bërë homazhe pranë përmendores së dëshmorëve të luftës.
Në fjalën e tij, kandidati Ali Krasniqi theksoi se vendimi për t’u rreshtuar krah Haradinajt ka qenë i qëllimshëm, pasi siç tha ai, “gjenerali nuk tradhtohet”.
Ndërsa Haradinaj kujtoi kohën kur AAK-ja ka qenë në qeverisjen qendrore së fundmi, duke theksuar se atëkohë ishte fuqizuar Ligji i posaçëm për Obiliqin, që sipas tij, “nuk ishte thjesht një dokument, por një zotim për një trajtim të merituar për qytetarët e këtij qyteti”. Ai përmendi investimet në sheshe, shkolla, ndriçimin e rrugëve, si dhe kthimin e pronave të KEK-ut në pronë komunale, si projekte që mbajnë vulën e qeverisjes së tij dhe të Aleancës”.
Në fund të aktivitetit, u prezantuan kandidatët për asamble komunale, shumica e të cilëve nuk ishin të pranishëm.
Obiliqi aktualisht udhëhiqet nga LDK-ja.
VIDEO:
Shahini: Prioriteti im i parë është arsimi
Kandidatja për kryetare të Komunës së Prishtinës nga radhët e PSD-së, Besa Shahini, gjatë një tubimi në kryeqytet deklaroi se prioritet të parë e ka arsimin.
Përmes një postimi në Facebook, tregoi edhe investimet në këtë fushë.
Nxënësit e Prishtinës janë 4–5 vite prapa bashkëmoshatarëve në kryeqytete të tjera. Pse? Sepse shumica mësojnë në dy ndërrime, ku nuk ka kohë as për kurrikulën, e lëre më për sport, gjuhë të huaja apo kodim. Unë do të ndërtoj 10 shkolla të reja dhe do të zgjerojmë 10 shkolla ekzistuese.”, thuhet në postim.
Sipas Shahinit, nxënësit do të mësojnë me një ndërrim, me hapësirë për aktivitetet që sipas saj, prindërit i realizojnë përmes kurseve private.
Shahini diskuton me aktivistët e kafshëve, tregon si do ta reduktojë numrin e qenve endacakë
Kandidatja për kryetare të Prishtinës nga Partia Socialdemokrate, Besa Shahini, të martën ka mbajtur takim me aktivistët e kafshëve, teksa ka treguar politikat kryesore që do t’i ndërmarrë për të ulur numrin e qenve endacakë.
Në një postim në Facebook, Shahini ka thënë se burimi i problemit të qenve endacakë janë njerëzit që i braktisin qentë shtëpiakë.
“Me aktivistët për të drejtat e kafshëve! Diskutuam për praktikat më efektive të menaxhimit të situatës me qentë endacakë. Nëse nuk adresohet burimi i problemit, që janë njerëzit që i braktisin qentë shtëpiakë, çështja e qenve të rrugës nuk do të zgjidhet kurrë”, ka shkruar ajo.
Sipas Shahinit, Pas largimit nga rruga dhe sterilizimit, politika kryesore duhet të jetë regjistrimi i qenve me pronarë dhe parandalimi i braktisjes.
Uran Ismaili premton kryeqytet më të sigurt, me rrugë të ndriçuar e pa qen endacakë
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbajtur konferencë për media të martën në të cilën ka prezantuar një nga pesë pikat e tij "për një Prishtinë funksionale”. Ai ka prezantuar zgjidhjen: “Rrugë të sigurta, 24/7”.
Ismaili ka thënë se problemet kryesore në kryeqytet lidhen me ndriçimin e munguar nëpër lagje, numrin e madh të qenve endacakë dhe mungesën e trotuareve funksionale, çka ka bërë që sidomos gratë, fëmijët dhe të moshuarit të ndihen të pasigurtë dhe shpesh të izolohen nga jeta komunitare pas errësirës.
Plani i tij për Rrugë të sigurta 24/7 përfshin: Ndriçimin e mbi 1,000 rrugëve shtesë; Ndërtimin e 450 kilometrave trotuare të reja, si dhe zgjerimin e riparimin e atyre ekzistuese; Kapjen, sterilizimin, vaksinimin dhe regjistrimin e 5,000 qenve endacakë, duke e ulur për gjysmë popullsinë e tyre; Vendosjen e 200 oficerëve të trajnuar të sigurisë në shkolla fillore e të mesme.
Në konferencë foli edhe Besianë Musmurati, ish-drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës dhe kandidate për Asamble.
“Pasiguria nuk është veç perceptim; ajo është bërë realitet i përditshëm. Ecja me karrocë fëmije në Prishtinë shpesh është pothuajse sport olimpik – trotuaret ose mungojnë, ose janë të prishura, ose janë të zëna me vetura. Vetëm 20% e rrugëve tona kanë trotuare funksionale”, tha Musmurati.
“Përderisa kryetari aktual merret me shkëmbime pronash dhe me rendera të bukur, familjet tona përballen çdo ditë me problemet më bazike siç janë ndriçimi, qentë endacak dhe siguria në shkolla”.
Ajo po ashtu theksoi se një nga arsyet pse është bashkuar me Uran Ismailin sepse “ai e ka vendosur sigurinë në qendër të programit të tij për Prishtinën”.
Abrashi: Do të kujdesem që pensionistët në Prizren të marrin kujdesin e merituar
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prizrenit, Artan Abrashi, ka premtuar kushte më të mira për pensionistët në këtë komunë.
Ai ka thënë se pensionistët përfaqësojnë përvojën, sakrificat dhe punën e një jete të tërë për këtë vend.
“Nuk janë thjesht pjesë e së kaluarës sonë, por gurëthemeli i shoqërisë sonë. Bisedat e sotme më rikujtuan se si përkushtimi dhe sakrifica e tyre e kanë bërë të mundur çdo hap që ne bëjmë sot”, ka shkruar ai.
Abrashi ka thënë se nëse i fiton zgjedhjet do të sigurohet që pensionistët të kenë kujdesin dhe mbështetjen e merituar nga komuna – qoftë për shëndetin, mirëqenien apo dinjitetin e tyre.
“Kujdesi ndaj tyre nuk është vetëm detyrim institucional, por mbi të gjitha detyrim moral ndaj brezit që na ka hapur rrugën”, ka thënë ai.
Kupina: Prishtina e së nesërmes nis me Lidhjen e Prishtinës
Fehmi Kupina, udhëheqës i Lidhjes së Prishtinës, në hapje të fushatës për zgjedhjet lokale në kryeqytet ka thënë se nisma e tij “nuk ndalet”.
“Prishtina e së nesërmes filloi me Lidhjen e Prishtinës. Mbrëmë e pamë qartë: kur qytetarët bashkohen, asgjë nuk është e paarritshme. Mbrëmë filluam të ndërtojmë bashkë një Prishtinë që të gjithë e duam. Një rrugëtim që shkon përtej fushatës, një rrugëtim që frymon shpresë për Prishtinën. Një nismë e madhe e një lëvizjeje qytetare që nuk ndalet. Në këtë mbrëmje madhështore hapëm zyrtarisht fushatën e Lidhjes së Prishtinës”, ka shkruar në një postim në Facebook Kupina.
Kjo iniciativë qytetare garon me listë prej 56 kandidatëve në kryeqytet.
Partia fillimisht nuk ishte certifikuar për shkak të emrit, që sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, ngjante me të, por më pas certifikimi u obligua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa.
Rama prezanton linjat e reja të autobusëve në kryeqytet dhe fshatra
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, njëherësh kandidat i LDK-së për kryetar, ka prezantuar linjat e reja të autobusëve në kryeqytet.
Ai e ka prezantuar zgjerimin e rrjetit të transportit publik në një konferencë të mbajtur të martën.
Për këtë pastaj ka shkruar edhe në rrjetin social Facebook.
“Për herë të parë, autobusi shkon në lagje si: Tasligje, Velania, Bledi, Arberia, Sofalia, Qëndresa, Nic, Veternik, Zllatar. Po lidhim edhe fshatrat me kryeqytetin, Marec, Vitia e Marecit, Siqeva, Kolovica, Zllash, Ballaban, Nishec, Gllogovicë, Llabjan, Slivov, Shkabaj, Drenoc, Prugoc”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai ka thënë se kryeqyteti ka marrë frymë të re në lëvizje.
Ka thënë se janë 30 linja të reja, 172 autobusë modernë dhe se do të ketë autobusë çdo 7 minuta në linjat kryesore.