Kandidati i AAK-së për kryetar të Obiliqit, Ali Krasniqi, ka thënë se qeverisja aktuale në krye me Xhafer Gashin, është dështim i plotë.
Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë - debati për Obiliqin”, ka numëruar një varg problemesh të pazgjidhura e projektesh të premtuara, që sipas tij nuk janë realizuar.
“Në Komunën e Obiliqit, prioritet i kisha dhënë shëndetësisë që është në nivel jo të duhur. Arsimi gjithsesi dhe infrastruktura pjesërisht. Në shëndetësi e dimë që QKMF-ja në Obiliq është premtuar më 2021 dhe nuk është realizuar projekti ende. Më e keqja aty është se produktet bazike nuk ekzistojnë. Mungon sistemi i infuzionit, mungojnë tretësi i infuzionit, kanilla, mungon çdo produkt esencial që i duhet një QKMF-je”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, në fushën e arsimit duket se është punuar diçka, por situata është ndryshe. “Do ta përmendi vetëm një shkollë, disa qytetarë më thanë para disa ditësh se kur bie shi nuk mundesh me hi pa çizme aty. Kjo është shkolla në Milloshevë. Megjithatë kryetari Gashi ka premtuar disa projekte që nuk i ka realizuar dhe as që i ka filluar. Është lagjja për banim të familjeve të dëshmorëve, që e ka premtuar prej shumë kohësh - në çdo palë zgjedhje, pastaj janë trotuaret në fshatin Brezhnicë, rruga ‘Hysen Hajdari’, rruga ‘Rudinat’ në Breznicë, rrugët te lagjja e Gashve në Sibovc, parku në Plemetin, kanalizimi në lagjen ‘Sadiku’, kanalizimi te lagjja ‘Prokshi’ në Hamidi e të tjera”, ka thënë ai.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.
