Betim Shala, kandidat i LDK-së për komunën e Kaçanikut, ka thënë se kjo komunë është duke u përballur me probleme të shumta duke përfshirë furnizimin me ujë të pijshëm, zhvillimin ekonomik, arsimin si dhe mungesën e vend parkingjeve.
Duke u vënë theks të veçantë vend parkingjeve, Shala në emisionin “Zgjedhjet në KOHË-Debati për Kaçanikun” ka thënë se është bërë gabim që gjatë ndërtimit të sheshit nuk është shfrytëzuar pjesa nëntokësore e saj për të zgjidhur këtë çështje.
Shala gjithashtu ka përmendur edhe probleme të tjera me të cilat po përballet komuna.
“Mos përfundimi i tribunave të stadiumit Besnik Begunca në Kaçanik, tash sa vite janë blloku punët dhe nuk është bërë përfundimi i tribunës, shkollat fillore “Emin Duraku” në Kaçanik dhe “Ali Asllani” në Doganaj janë gjendje të mjerueshme. Pastaj nuk është zgjidhur problem me qentë endacak, teatri i Kaçanikut është themeluar vite më parë nga kuvendi i Komunës së Kaçanikut dhe nuk është funksionalizuar”, ka thënë Shala.
Kandidati i LDK-së ka shtuar se ata si parti ofrojnë një plan program të qartë përmes së cilit do t’u ofrohet zgjidhje këtyre problemeve.
