Raka i LVV-së akuzon Vishin e PDK-së se ka punësuar të afërm në komunën e Kaçanikut

54 min. më parë / 18 sht 2025 22:36
Raka dhe Vishi

Jeton Raka, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kaçanikut, ka akuzuar kundërkandidatin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Sabedin Vishi, për punësim të familjarëve të tij në këtë komunë. 

Në debatin e zhvilluar të enjten në “KTV”, Raka ka thënë se Vishi e ka punësuar gruan e tij dhe familjarë të tjerë në komunë gjatë kohës sa ishte kryetar i Rinisë Demokratike. 

“Disa prej kandidatëve këtu, më saktësisht nënkryetari nuk e ka angazhimin në shërbim të qytetarit dhe mision. Qysh nga koha e angazhimit të tij si kryetar i Rinisë Demokratike së pari e ka punësuar veten, më pas anëtarët e familjes, bashkëshorten, d.m.th vetëm në komunën e Kaçanikut”, ka thënë ai.

I pyetur nga Vishi se kur janë punësuar, ai përsëriti duke thënë në kohën kur ka qenë kryetar i Rinisë Demokratike. 

“Vetëm për një vit e gjysmë kam arritur t’i buxhetoj 21 milionë euro për komunën e Kaçanikut, bashkë me mbështetjen e Qeverisë Kurti kemi arritur vetëm në kuadër të një ministrie”, ka shtuar Raka.

Malsiu: Komuna e Kaçanikut ka dhënë në shfrytëzim pronat në mënyrë të padrejtë

1 o. më parë / 18 sht 2025 22:15
Heset Malsiu

Kandidati për kryetar të Kaçanikut, Heset Malsiu nga “Vizioni për Zhvillimin e Kaçanikut”, ka akuzuar qeverisjen aktuale të qytetit se ka dhënë prona në shfrytëzim pronat në mënyrë të padrejtë. 

“Janë dhënë në shfrytëzim prona vetëm për shërbime. Ato zakonisht jepen për prodhim, që gjeneron mirëqenie ekonomike. Na këtë do ta bëjmë përmes investuesve shumë serioz e nuk do të lëmë investuesit që ta ndryshojnë destinimin. Janë dy a tre pronarë që kanë fituar të drejtën e pronës e i përmbahen destinimit”, ka thënë Malsiu në “Zgjedhjet në KOHË” në KTV. 

E kandidati nga radhët e PDK-së, Sabedin Vishi, ka thënë se nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore, dhe se janë dhënë prona për ndërmarrje prodhuese, tregtare e shërbyese. Ai ka thënë se ata që kanë bërë ndryshim të destinimit, iu është marrë prona.

Luta: Projektet në Kaçanik s’mund të kryhen as me buxhet të Dubait

1 o. më parë / 18 sht 2025 21:56
Shukri Luta

Shukri Luta, nga Lëvizja e Pavarur e Kaçanikut, ka thënë se për problemet e kësaj komune “nuk mjafton as buxheti i Dubait”.

Sipas tij, buxheti prej mbi 13 milionë eurosh nuk është i mjaftueshëm për të zgjidhur problemet me të cilat përballen qytetarët e kësaj komune.

Ka shtuar se duhet rritje e investimeve e për këtë ka premtuar edhe bashkëpunim me institucione të tjera e edhe organizata.

Kandidati i pavarur Vishi: Kaçanikut gjithmonë i ka munguar udhëheqësi

1 o. më parë / 18 sht 2025 21:49
Ahmet Vishi

Kandidati i pavarur për kryetar të Kaçanikut, Ahmet Vishi, ka thënë se Kaçaniku ka pasuri natyrore dhe intelektuale, por i mungon një udhëheqës. 

“Kaçaniku ka pasuri të shumta natyrore, intelektuale, ka pasuri me lulëzuar. Por, ka mungesë të udhëheqësit. Ka pasur e ka mungesë të udhëheqësit. Elementi i parë në udhëheqje e menaxhim është guximi, besnikëria e përgjegjësia. Këto elemente si ka pasur deri tash Komuna e Kaçanikut. Gjitha këtu projekte që thuhet nuk përputhen me realitetin në terren. S’ka pasur cilësi në ndërtim. Në këtë drejtim unë me stafin tim profesional do ta bëjmë punën me përgjegjësinë më të lartë teknike, profesionale e prodhuese. Nuk e kërkoj votën e popullit për interesa personale, kam pasuri, jetoj e punoj me çekiç. E kërkoj votën për me i shërbyer popullit me sinqeritet”, ka thënë Vishi, në “Zgjedhjet në Kohë” në KTV. 
 

Kandidatja e AAK-së rendit premtimet për Kaçanikun

1 o. më parë / 18 sht 2025 21:32
Hafize Sallahi

Kandidatja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetare të Kaçanikut, Hafize Sallahi, ka numëruar disa prej problemeve për të cilat është zotuar se do të merret që nga fillimi i udhëheqjes, nëse fiton në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Ajo ka thënë se do të merret me çështjen e furnizimit me ujë të pijes, me shpërnguljen e qytetarëve dhe infrastrukturë. Është zotuar edhe për modernizim të administratës e digjitalizim të shërbimeve.

“Problem shqetësues që mendoj se duhet të merremi me të është shpërngulja e qytetarëve nga Kaçaniku drejtuar qyteteve më të mëdha. Është problem kryesor dhe ka rënie të numrit  të nxënësve të shkollave. Problem tjetër është infrastruktura. Dhe në mandatin tim fillimisht do të merrem me modernizimin e administratës komunale, në mënyrë që shërbimet të jenë më të lehta. Do të nis me digjitalizimin e shërbimeve për qytetarë që të kenë qasje më të lehtë”, ka thënë ajo fillimisht.

Pas kësaj, Sallahi është zotuar për riparim të disa shkollave e furnizim me barna dhe laboratorë të qendrave mjekësore.

Kandidati i LDK-së në Kaçanik numëron problemet me të cilat po përballet kjo komunë

1 o. më parë / 18 sht 2025 21:31
Betim Shala - LDK

Betim Shala, kandidat i LDK-së për komunën e Kaçanikut, ka thënë se kjo komunë është duke u përballur me probleme të shumta duke përfshirë furnizimin me ujë të pijshëm, zhvillimin ekonomik, arsimin si dhe mungesën e vend parkingjeve. 

Duke u vënë theks të veçantë vend parkingjeve, Shala në emisionin “Zgjedhjet në KOHË-Debati për Kaçanikun” ka thënë se është bërë gabim që gjatë ndërtimit të sheshit nuk është shfrytëzuar pjesa nëntokësore e saj për të zgjidhur këtë çështje. 

Shala gjithashtu ka përmendur edhe probleme të tjera me të cilat po përballet komuna. 

“Mos përfundimi i tribunave të stadiumit Besnik Begunca në Kaçanik, tash sa vite janë blloku punët dhe nuk është bërë përfundimi i tribunës, shkollat fillore “Emin Duraku” në Kaçanik dhe “Ali Asllani” në Doganaj janë gjendje të mjerueshme. Pastaj nuk është zgjidhur problem me qentë endacak, teatri i Kaçanikut është themeluar vite më parë nga kuvendi i Komunës së Kaçanikut dhe nuk është funksionalizuar”, ka thënë Shala. 

Kandidati i LDK-së ka shtuar se ata si parti ofrojnë një plan program të qartë përmes së cilit do t’u ofrohet zgjidhje këtyre problemeve. 

 

Kandidati i PDK-së në Kaçanik akuzon Qeverinë për mospërkrahje

2 o. më parë / 18 sht 2025 21:24
Sabedin Vishi

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë Kurti, se nuk po i përkrah sa duhet në aspektin komunal dhe se kontrata kolektive u ka shkaktuar shumë telashe. 

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Kaçanikun”, Vishi ka thënë përkundër këtyre problemeve, komuna e Kaçanikut që udhëhiqet nga kjo parti ka arritur që të kryejë shumë projekte me prioritet për qytetarët. 

“Çdo vjet kemi bërë nga një sallë moderne të edukatës fizike në secilën shkollë, kemi bërë diku gjashtë terrene sportive të përfshijë në secilën shkollë të Komunës Kaçaninë-Kotat… Kemi ndërtuar një QMF e kemi ndërtuar objektin e Hendikos-it, kemi ndërtuar sallën e leximit, kemi investuar në ujësjellës në vlerë prej katërqind mijë euro e shumë projekte të tjera”, ka thënë Vishi.

Gjatë këtij debati Vishi ka shpalosur edhe plan programin e tij për zgjedhjet e 12 tetorit, derisa është përballur me akuza nga kundër kanidatët e tij për punësim të të afërmeve të tij në komunë  e Kaçanikut.