Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 29-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
PDK-ja mbyll fushatën me premtime për transformime të komunave
Kryetari e kandidati i Partisë Demokratike për edhe një mandat në krye të Prizrenit, Shaqir Totaj, e ka promovuar punën e deritanishme tek ka prezantuar projekte për katër vjetët e ardhshme në qeverisje.
Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, ai bëri zotim se Prizreni do të ketë edhe teleferik.
“Në mandatin e dytë do të vazhdojmë me projekte të mëdha, me parkingje moderne, me shumë ujë të pijshëm, teleferikun e Prizrenit, Lumbardhin e gjallëruar dhe kalldrëmet që ruajnë shpirtin e qytetit tonë”, ka thënë Totaj.
Në Prishtinë, kandidati Uran Ismaili ka publikuar video-mesazhe nga një numër lagjesh të kryeqytetit tek ka bërë thirrjen për përkrahje më 12 tetor.
“Edhe në Ulpianë, me ju tregu që planet e mija nuk janë plane afatgjate, jo plane 10 vjeçare. Planet e mija janë lagje, lagje, projekte konkrete për ta bërë Prishtinën funksionale, kështu që më 12 tetor voto 191, voto PDK”, ka thënë Ismaili.
Votë ka kërkuar edhe kandidati për Fushë-Kosovën, Rrahim Tërnava.
“Ne po e kthejmë besimin sepse ndryshimi nuk vjen nga premtimet por nga njerëzit. Nga ju që çdo ditë e ndërtoi këtë qytet me duart tuaja, me djersë dhe dashni për njerëzit. Fushë Kosova nuk pret më, është koha për punë, për zhvillim dhe bashkim. Kjo është thirrja jonë”, ka thënë Tërnava.
E kandidati për Mitrovicën, Arian Tahiri, ka shpalosur programin e tij për kulturën.
“Rikthimin e jetës kulturore urbane do ta bëjmë përmes organizimit të festivaleve gjatë krejt vitit, festivale të muzikës, të artit dhe të letërsisë. Do ta bëjmë edhe me mbështetje për ekspozita të artistëve lokalë dhe të krijuesve të rinj, si dhe me shndërrimin e disa hapësirave publike ne skena të hapura për aktivitete kulturore. Ne do t'i restaurojmë edhe promovojmë edhe monumentet e trashëgimisë historike dhe kulturore, do ta rinovojmë muzeun e historisë së qytetit”, ka thënë ai.
Fushatë në ditën e fundit kanë zhvilluar edhe kandidatë të tjerë të PDK-së të cilët kanë kërkuar votë për të sjellë ndryshime në komunat ku garojnë.
VV-ja mbyll fushatën, Kurti jep katër “lajme të mira”
Disa nga kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë përmbyllur me tubime fushatën zgjedhore, të shoqëruar nga kryetari i partisë, Albin Kurti.
Kandidatët u zotuan që, nëse fitojnë mandatet, do t’i përmbushin premtimet të cilat i paraqitën, e Kurti i prezantoi zotimet për mandatin që e synon si kryeministër.
Kandidati për Podujevën, Shpejtim Bulliqi, kërkoi votën dhe listoi disa zotime.
“Sepse diga e Pollatës duhet të bëhet, sepse impianti duhet të bëhet, sepse shkollat e çerdhet e nisura duhet të bëhen, sepse mësimi gjithëditor do të bëhet, sepse ngrohtorja e qytetit do të bëhet, sepse korridoret e gjelbra do të bëhen sepse Podujeva do të bëhet më e bukur më funksionale dhe më e zhvilluar”, ka thënë Bulliqi.
Tubimin në Podujevë Kurti e shfrytëzoi që t’i prezantojë edhe planet e tij për disa kategori të shoqërisë, por të cilat tha se realizohen tek pas zgjedhjeve lokale.
“Do t’i rrisim shtesat për fëmijë. E dyta, do të kemi lajm të mirë edhe për pensionistët anë e kënd Kosovës. E treta kemi lajm të mirë që e bëjmë publik konkretisht, pas zgjedhjeve, edhe gjithë punëtorët e sektorit privat që punojnë me pagë minimale, do ta rrisim pagën minimale. Dhe, lajmi i katërt, kemi diçka të re e të mirë për veteranët e UCK-së, për të cilët do të hiqet kufizimi i punësimit, pra nuk do të humbet e drejta e punës nëse e merr pensionin e veteranit”, ka thënë Kurti.
Pas Podujevës Kurti e shoqëroi në tubimin përmbyllës edhe kandidatin për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci.
Aty shprehu kritika ndaj kryetarit aktual Bedri Hamza dhe i dha një epitet kandidatit të PDK-së për kryetar, Arian Tahiri.
“Kjo partia tjetër që ka qenë në pushtet këto katër vjetër nuk po garon edhe për një mandat. Prandaj kryetari aktual dhe partia e tij kanë vendosë me garu me gomë rezervë, por nuk shkohet në Mitrovicë e për Mitrovicë me gomë rezervë”, u shpreh ai.
Kurti dha udhëzime edhe për votuesit.
“E meqë kryetari nuk po e don edhe një mandat, të dielën më 12 tetor e keni shansin e jashtëzakonshëm që këtë gomën rezervë me e shfry e me qitë në bandash e me e bo Fatonin kryetar”, ka thënë Kurti.
E Peci i dha zotimet e tij për Mitrovicën.
“Do e rikthejmë çarshinë e vjetër, prapa komunës do ta shndërrojmë parkun si ishte më parë dhe nën të do të vendosim parkingje për automjete. Do të ndërtojmë urën e re që lidh Shipolin me Zhabarin, bashkë me Gushavcin dhe Vidimriqin”, ka thënë Peci.
Fushatën e kanë përmbyllur edhe kandidatët e tjerë të LVV-së.
Rama premton unazën e kryeqytetit, Shehu siguron mbështetjen e PDK-së në Junik
Në ditën përmbyllëse të fushatës, kryetari i Prishtinës Përparim Rama i cili synon edhe një mandat, ka prezantuar projektet që, siç tha, i ka përfunduar në kryeqytet.
Ai premtoi projekte kapitale në Prishtinën e Re, nëse mbërrin ta fitojë garën.
“Në Prishtinën e re jemi duke përfunduar punë të mëdha sikurse shkolla atje që jemi duke e ndërtuar, po ashtu qendra për punë sociale e cila po zhvillohet më një intensitet të lartë dhe brenda gjashtë muajsh do të kryhet Po ashtu e kemi kanalizimin e Hajvalisë që tash jemi në përfundim e sipër. E përmbi të do ta bëjmë edhe unazën e kryeqytetit”, ka thënë Rama.
E kandidati për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, shprehu pritjen se në këto zgjedhje, LDK-ja do ta rimarrë pushtetin lokal, pas gati dy dekadash.
Në Vushtrri, kandidati Xhafer Tahiri, që synon rikthimin në krye të Komunës, përmbylli kampanjën parazgjedhore me një tubim me gratë. Ai premtoi se nëse fiton zgjedhjet, do të krijojë fond prej 500 mijë eurosh për mbështetjen e gruas në këtë komunë.
Ndërkaq, kandidati që e synon të udhëheqë me Gjakovën, Shefqet Shehu, u ka bërë thirrje qytetarëve që ta ndryshojë pushtetin.
“Faleminderit për çdo derë të hapur, çdo dorë të shtrënguar e çdo zë të dëgjuar. Kështu bashkë, nesër, më 12 tetor le të dalim në mënyrë sa më masive të votojmë sepse kështu e bëjmë ndryshimin”, ka deklaruar Shehu.
Fushata për zgjedhjet e së dielës është përmbyllur edhe në komuna të tjera.
Në Junik, kryetari aktual Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se dega e LDK-së në këtë komunë dhe ajo e PDK-së kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim politik dhe bashkëqeverisje për mandatin 2025-2029. Kandidati i PDK-së për kryetar të Junikut është tërhequr nga gara dhe ka vendosur ta mbështesë Shehun.
Gjini premton projekte të mëdha për Gjakovën, Haradinaj thotë se të dielën ka festë në këtë komunë
Fushatën përmbyllëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka mbajtur në Gjakovë.
Kryetari Ardian Gjini, i cili synon edhe një mandat, promovoi punët e deritashme dhe premtoi projekte të reja, nëse e fiton garën.
“I kemi katër kapituj në programin tonë, përpos punëve të përditshme që duhet të kryhen, janë punë që duhet me u kry. E kemi konceptin e tre lumenjve dhe të liqenit që është i vetmi në Ballkan dhe është duke u kryer. Diku 60% e punëve është kryer. Është diçka e jashtëzakonshme, fantastike. Por me këta njerëz që janë këtu e kemi kryer. E kemi konceptin e trajtimit të ujërave të zeza he kanalizimeve në fshatra që ka me e marrë buxhetin më të madh për katër vitet që vijnë”, ka thënë ai.
E, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Gjakova do të festojë të dielën.
“Unë e di që më 12 tetor, pra nesër, ne të gjithë do ta festojmë edhe një bashkim, edhe një fitore re, edhe një mandat të ri me Ardian Gjinin. Çdo qytetar i Gjakovës, qoftë mbështetës i aleancës, ose dikush që ende nuk ka pasur kohë për t’u përcaktuar, besomi e ka shumë të lehtë, e ka Ardian Gjinin”, ka thënë Haradinaj.
Në ditën e fundit të fushatës, edhe kandidatë të tjerë të AAK-së për kryetar të komunave, kanë përmbyllur fushatën me premtime e thirrje për votë.
Në Gjilan, Nazim Gagica, falënderoi qytetarët për mbështetjen gjatë gjithë fushatës dhe i ftoi që të dalin dhe të votojnë.
Ai tha se ka paraqitur program të realizueshëm dhe me vizion për zhvillimin e Gjilanit.
“Faleminderit nga zemra që ishim bashkë në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo takim e bashkëbisedim. Gjatë gjithë kësaj fushate zgjodhëm të dëgjojmë, të propozojmë dhe të punojmë me respekt jo me zhurmë, por me ide e me dashuri për qytetin tonë. Unë dhe ekipi im kemi paraqitur një program të qartë, të realizueshëm dhe me vizion për një Gjilan më të zhvilluar, me të drejtë dhe më modern. Tani, fjala është e juaja”, ka thënë Gagica.
Edhe kandidati që e synon Prizrenin, Besnik Krasniqi, ka kërkuar votën e qytetarëve, duke premtuar se do ta bëjë Prizrenin qendër të turizmit. Votë kërkuan edhe kandidatë të tjerë për kryetarë komunash.
Vetëvendosje mbyll fushatën, Kurti: Prishtinës i duhet një kryetar si Hajra
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sonte tubimin përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Kjo parti me këtë rast ka paraqitur vizionin e saj për një Prishtinë më të mirë me në krye Hajrulla Çekun.
Mandatari për formimin e qeverisë së re, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka thënë se kryeqyteti ka nevojë për një kryetar me vizion.
“Neve na duhet një qytet që funksionon, prandaj Hajra jonë është hairi juaj qytetarë të dashur të Prishtinës. Hajrullah Çeku, i cili është profesionist i shquar, kushdo që ka shkuar ka shkëlqyer, dhe tash është koha është koha që ministrin e Kulturës ta bëjmë kryetar të kryeqytetit. E për të funksionuar Prishtina duhet të krijohet zona metropolitane. Komunat fqinje të Prishtinës duhet të lidhen me kryeqytetin, sepse në të gjitha anët e saj, Prishtina i ka fytet e ngushtë që po e ngulfasin dhe e vetmja zgjidhje është që të kuptohet që Komuna e Prishtinës duhet të integrohet me komunat fqinje dhe të ketë një zonë metropolitane, mundësia e garancia për këtë është i njëjti njeri, kryetari i ardhshëm i Komunës së Prishtinë, Hajrulla Çeku...”, tha Kurti.
Kurti tha se Prishtina ka stagnuar gjatë këtyre katër vjetëve, pasi sipas tij, nuk ka pasur projekte e ide për zhvillim dhe se dalja nga kjo gjendje do të arrihet përmes qeverisjes me Hajrulla Çekun për të cilin kërkoi votë nga qytetarët më 12 tetor.
Kandidati për kryetar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, tha se qytetarët janë për ndryshime në kryeqytet.
“Buxheti për Prishtinën për vitin e ardhshëm të Prishtinës do të bëhet 156 milionë euro dhe të gjitha punët e projektet do t’i nisi vetë. Do të vij në qeveri për të kërkuar mbështetje që të kemi bashkëpunim, ta përfundojmë periudhën e bllokadave çfarë ka bërë kryetari aktual, duke pamundësuar shumë projekte për mirëqenie të qytetarëve të Prishtinës... Do t’i kundërshtoj ndarjet, dhe padrejtësitë. Prishtina ka vend për secilin, mund të fitojmë të gjithë, sepse Prishtina mund të jetë mirë kur të gjithë fitojmë. Por, kohëve të fundit kemi pasur shumë ofendime, unë kam vetëm një përgjigje për ta - vetëm dashuri për ta, sepse ata kanë nevojë për dashuri dhe kanë nevojë për një Prishtinë që funksionon, sepse të gjithë banorët do të trajtohen në mënyrë të barabartë në Prishtinën që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Çeku.
Ai tha se gjatë mandatit të tij do të angazhohet për funksionalizimin e Prishtinës si një qytet ku do të ketë zgjidhje të problemit të ujit të pijes, menaxhim efikas të mbeturinave.
Kujtojmë, në garë për të parin e kryeqytetit janë edhe Përparim Rama LDK, Uran Ismaili PDK, Bekë Berisha AAK, Besa Shahini PSD.
Kosova voton më 12 tetor në zgjedhjet e rregullta për kryetar të komunave dhe asamble komunale.
Në këto zgjedhje të drejtë votimi kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 qytetarë, prej tyre jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993.
Në garë për zgjedhjet lokale janë 206 kandidatë për kryetarë dhe mbi 5 mijë për këshilltarë komunalë në 938 qendra të votimit me gjithsej 2.625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra votimi për votimin e rregullt me 2.571 vendvotime dhe 38 qendra votimi për votim me kusht me gjithsej 54 vendvotime.
Komisioni Qendror Zgjedhor dhe Policia e Kosovës kanë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. /KP
Kurti në Mitrovicë: PDK-ja po garon me gomë rezervë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka quajtur “Gomë rezervë” kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahirin.
Në tubimin përmbyllës të Vetëvendosjes në këtë komunë, Kurti tek ka kërkuar mbështetjen për Faton Pecin, ka thënë se Tahiri është “gomë rezervë” pasi kryetari aktual, Bedri Hamza, ka refuzuar të kandidojë për një mandat të ri.
“Kjo partia tjetër që ka qenë në pushtet këto katër vjet, nuk po garon edhe për një mandat tjetër… po nuk shkohet në Mitrovicë me gomë rezervë”, ka thënë Kurti.
Rama: Do të vazhdojmë ta ndërtojmë kryeqytetin
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar projektet e realizuara në rrugën “Nekibe Kelmendi” dhe Prishtina e Re.
Rama, i cili është në garë për një mandat të dytë, ka theksuar se në rrugën “Nekibe Kelmendi” është bërë punë fantastike, përderisa po ndërtohet edhe shkolla e re.
“Jemi këtu në rrugën Nekibe Kelmendi ku kemi bërë një punë fantastike, po ashtu e kemi kryer atje poshtë Rrugën A, këtu afër e kemi edhe shkollën e re që është duke u ndërtu, derisa QMF veç është e kryer dhe në funksion, duke kryer shërbime të mëdha prë qytetarët tanë në mënyrën më të mirë të mundur”, tha Rama në një video në rrjete sociale.
Ai më pas vazhdoi me planet për Prishtinën e Re.
“Këtu jam në Prishtinën e Re, paramendo e kemi projektin e Spitalit të Kryeqytetit të përfunduar, kemi punuar 2 vjet në të, por për shkak që është në përgjegjësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkundër faktit që kemi shku në Katar, edhe kemi siguruar fondet prej 75 milionëve, ministri e ka blloku këtë projekt, nuk na e ka dhanë projektin, tash nuk kemi fillu pikërisht për këtë bllokadë, por ne do të vazhdojmë në katër vitet e ardhshme ta ndërtojmë kryeqytetin”, tha Rama më tutje.
Për Prishtinën e Re, Rama bëri të ditur se shkolla po ndërtohet, qendra për punë sociale është afër përfundimit, përderisa edhe pritet të bëhen edhe fusha të reja sportive.
“Në Prishtinën e Re jemi duke përfunduar projekte të mëdha, sikur shkolla atje, Qendra për Punë Sociale që po zhvillohet me intensitet të lartë dhe brenda gjashtë muajve do të kryhet, po ashtu kemi kanalizimin e Hajvalisë në përfundim e sipër, e mbi të unaza e kryeqytetit. I shihni ato pjesë që kemi ndarë parcelën për fusha të reja sportive, të cilat janë të ndërlidhura me pjesën tjetër që iu kemi dhanë FFK-së ku zhvillohen ndeshja të shumta, në Hajvali kemi ndërtu stadiumin e ri për Prishtinën e Re. Tash transporti i ri është në të gjitha lagjet, e posaçërisht edhe këtu në Hajvali”, tha Rama.
Ismaili: Është koha për ndryshim
Kandidati për Prishtinën nga PDK, Uran Ismaili, ka përcjellë një letër për qytetarët një ditë para zgjedhjeve.
Në letrën e tij, Ismaili falënderon qytetarët për përkrahjen dhe energjinë gjatë gjithë fushatës, duke kujtuar takimet në çdo lagje e fshat të kryeqytetit. Ai thekson se pavarësisht përvojave të ndryshme të njerëzve, të gjithë ndajnë të njëjtin shqetësim për gjendjen në Prishtinë dhe të njëjtën dëshirë për ndryshim.
“Ndryshimi është në dorën tonë,” shkruan ai, duke theksuar se bashkëpunimi dhe puna e përditshme janë mënyra e vetme për ta bërë Prishtinën funksionale, të pastër dhe të sigurt për të gjithë.
