Zgjedhjet lokale

Diaspora përmbys rezultatin në Mamushë dhe e bën më të paqartë në Rahovec

Numërimi i votave me postë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka ndryshuar edhe disa rezultate. Në Mamushë, pas përfshirjes së votave nga diaspora, komuna shkon në balotazh mes Abdylhadi Krasniçit dhe Fikret Morinës, ndërsa në Rahovec diferenca mes kandidatëve të LVV-së dhe LDK-së është ngushtuar. Ata po garojnë se kush do të jetë rival i Smajl Latifit të AAK-së në balotazh

 Deri të dielën pasdite, janë numëruar më shumë se gjysma e votave me postë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kanë njoftuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. 

Numërimi i votave nga diaspora, deri në orën 17:45 të së dielës, ka përmbysur rezultatin në Komunën e Mamushës. 

Sipas rezultateve preliminare të shpallura para një jave, fitues pa balotazh ishte shpallur kandidati Abdylhadi Krasniç. 

Por pas përfshirjes së votave me postë, kjo komunë pritet të shkojë në balotazh mes Krasniçit dhe Fikret Morinës.

Ndërkohë kanë mbetur për t’u numëruar edhe votat me kusht dhe ato të personave me aftësi të kufizuara. 

“Deri të dielën në orën 16:00, janë numëruar 80 kuti në të cilat janë të vendosura pakot me fletëvotime të supozuara nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe 67 kuti të tjera nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Numri i përgjithshëm i fletëvotimeve që janë numëruar deri më tani është mbi 50% e tyre”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Votat me postë për pak sa nuk e përmbysën rezultatin edhe në Rahovec. 

Garë e fortë është duke u zhvilluar se kush do të shkojë si i dyti në balotazh, pasi i pari, Smajl Latifi i AAK-së, e ka siguruar atë.

Në rezultatet preliminare, Burim Krasniqi i LDK-së, i pati 134 vota më pak se Ali Dula i LVV-së, por pas numërimit të votave nga diaspora diferenca është ngushtuar në 75. 

Edhe në këtë rast, votat me kusht dhe ato të personave me aftësi të kufizuara mund ta përmbysin rezultatin.

Aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit kanë përfunduar të shtunën. Komunat e fundit që përmbyllën procesin ishin Prishtina, Prizreni e Malisheva.

Tash procesi është duke u zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, që i bie se po numërohen votat me postë, ato me kushte dhe të personave me aftësi të kufizuara.

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, do të fillojë i atyre me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara. 

Rundi i dytë i votimit do të mbahet më 9 nëntor.