Aleanca për Ardhmëri të Kosovës ka shpallur fitore në 4 komuna. Në balotazhin e mbajtur të dielën, kandidatët e AAK-së kanë fituar në Gjakovë, Suharekë, Rahovec dhe Klinë.
Ardian Gjini ka fituar edhe një mandat në Gjakovë, i treti për të. Ai ka marrë mbi 56 për qind të votave, duke mposhtur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola.
“Kemi fituar me 58 për qind të votave, pa i llogarit ato me kusht dhe të diasporës që s’kanë mundësi me ndryshua rezultatin shumë”, tha Gjini.
Në Suharekë, Bali Muharremaj, ka marrë edhe një mandat, duke e mposhtur Ardian Shalën e LDK-së në balotazh.
Në Rahovec, Smajl Latifi, do të udhëheqë edhe për një mandat. Ai mposhti në balotazh Ali Dulën e Vetëvendosjes.
“JEMI FITUES! Qytetarë të dashur të Rahovecit, fitorja është e jona! Nesër nisim punët e projektet e mëdha, por sonte është festë për të gjithë qytetarët anekënd Rahovecit. Siç kam qenë përherë, edhe në këtë mandat do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve, me drejtësi, barazi, transparencë e llogaridhënie. Le të mblidhemi nga ora 08:30 në Rahovec, nga ora 09:00 në Krushë të Madhe, nga ora 09:30 në Xërxë, nga ora 10:00 në Fortesë e nga ora 10:30 në Ratkoc! Urime të gjithëve e faleminderit për kulturën e qytetarinë përgjatë këtij procesi demokratik zgjedhor!” – ka shkruar Latifi.
E Zenun Elezaj do të jetë në krye të Klinës edhe për 4 vjet. Ai mposhti në balotazh Sokol Bashotën e PDK-së.
“Fitore e madhe! Fitore e të gjithë qytetarëve të Klinës! Faleminderit secilit qytetar për besimin dhe mbështetjen! Kjo është fitore e përbashkët, fitore e punës, e besimit dhe e dashurisë për Klinën tonë. Urime!” – ka shkruar Elezaj në Facebook.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kanë rritur votat në nivel nacional dhe se kanë fituar në të gjitha komunat që ka qeverisur deri tani.
Ai para mediave ka përgëzuar kandidatët e komunave ku si parti kanë fituar zgjedhjet.
“Urime të gjithë qytetarëve të vendit, të gjithëve, për zgjedhjet e lira e të mira që kanë ndodhur sot. I falënderoj të gjitha institucionet e vendit për punën që kanë bërë. Po ashtu, i bashkohem festës në Suharekë ku po festojnë kolegët tonë. Qytetarët e Suharekës i përgëzoj për fitoren e tyre. Vërtet kryetari Bali Muharremaj është kryetari më i mirë. I bashkohem festës në Rahovec. Qytetarët e Rahovecit i janë bashkuar kryetarit të tyre, Smajl Latifit. I bashkohem po ashtu festës në Gjakovë. Ardian Gjini e ka arritur fitoren më bindëse të mundshme, ky është një lajm i mirë edhe për Gjakovën sepse vërtet ka bërë një punë të mirë. I bashkohem festës në Klinë, kryetari Zenun Elezaj ka fituar bindshëm. Deçani vazhdon me festu, edhe pse në rund të parë. AAK i ka fituar të gjitha komunat që ka qeverisur me to. Është një rezultat i mirë, jemi të gëzuar. Është një ndjenjë përgjegjësie, i lus kryetarët që të punojnë”, tha ai.
Sipas tij, është konfirmuar një besim i rritur për AAK-në në nivel nacional.
“Kemi marrë për parti 87 mijë e 500 vota, e kemi rritu numrin prezencën tonë, në disa komuna do të qeverisim, në disa tjera do të bashkë qeverisim”, tha ai.