Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Njohësit vlerësojnë se fushata parazgjedhore do të jetë më e tensionuar se e dhjetorit

Karikatura e ditës - Fushata filloi!

Foto: Ilustrim (Karikaturë nga Jeton Mikullovci)

Fushata zgjedhore do të nisë zyrtarisht nesër e do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit. Gjatë këtyre ditëve partitë do të kenë të drejtë t’i shpenzojnë 2 milionë e 92 mijë euro. Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se fushata nuk do të ketë fokus të mjaftueshëm te zhvillimi ekonomik, por më shumë do të përqendrohet në retorikë e konfrontime. Vlerësojnë se fushata do të jetë më e tensionuar sesa ajo e dhjetorit të 2025-s

Fushata dhjetëditore për zgjedhjet e 7 qershorit do të nisë të enjten.

Derisa tash e disa ditë partitë kanë mbajtur tubime në Kosovë e diasporë duke paraqitur edhe ofertat e tyre politike, njohësit kanë shprehur pritjen që ngjashëm do të jetë edhe fushata sikurse parafushata. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Njohësi i zhvillimeve politike, Adrian Zeqiri, vlerëson se partitë janë përqendruar në premtime për paga, por nuk kanë paraqitur plane për zhvillim ekonomik të Kosovës. 

Ai shprehu pritjen që të vazhdojë trendi që është shfaqur në parafushatë, në të cilën kanë mbretëruar akuzat. Po kështu, ka vlerësuar se fushata më shumë do t’i ngjajë fushatës për zgjedhjet 9 shkurtit të 2025.

“Besoj se do të vazhdohet me trend të njëjtë, me premtime, me shpërndarje të parasë publike për grupe të caktuara, për rrogën e 13-të, 14 e ndoshta të 15-të. Këto do të jenë dhe normalisht me akuza dhe kundërakuza personale që kanë qëllim të fundit delegjitimimin e palës tjetër si palë e cila nuk është e denjë që të marrë votat ose që të qeverisë”, ka thënë Zeqiri.

E në këto ditë, sipas Zeqirit, subjektet politike më shumë do t’i japin rëndësi fushatës jashtë Kosovës.

“Ajo çka është ndoshta karakteristikë e këtyre zgjedhjeve është te diaspora, që mendoj se e kanë vërejtur edhe partitë politike që diaspora luan një rol të veçantë. I kemi diku 200 deri në 250 mijë votues aktivë prej diasporës, kryesisht në vende siç është Zvicra, Gjermania, por edhe vendet e Beneluksit”, ka thënë ai.

Ndërsa analisti politik, Afrim Kasolli, thekson se fokusi i partive do të duhet të ishte te zhvillimi ekonomik, por se edhe në këtë fushatë, sipas tij, do të ketë politikë toksike nga ana e partive politike.  

“Përfituese të kësaj beteje mbi baza personale mund të jenë vetëm partitë politike, tash dikush më shumë e dikush më pak, por jo qytetarët e Kosovës, sepse ata nuk kanë nevojë që të helmohen dhe të ngarkohen me këtë gjuhë politike toksike, me këtë lloj polarizimi në një kohë kur të gjithë po pajtohemi se situata ekonomike është e palakmueshme, duke iu referuar edhe burimeve ndërkombëtare që merren me matjen e trendëve ekonomikë”, ka thënë ai. “Nuk ka diskutim se nga këto fërkime të kësaj natyre mund të përfitojë më shumë Lëvizja Vetëvendosje sa i përket aftësisë që nëpërmjet kësaj retorike të krijojë mobilizim politik, krijon mobilizim politik jo qytetar e demokratik, por kryesisht militantesk dhe fanatik partiak, gjë që nuk është në interes të mirëkuptimit demokratik dhe perspektivës ekonomike të vendit tonë”.

Ndryshe nga parafushata, në fushatë partitë mund të gjobiten nga gjyqtarët e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), edhe për shkelje si nxitja e urrejtjes ndaj subjekteve të tjera garuese, si dhe për resurset publike për avancim të fushatës dhe për realizimin e aktivitetit të fushatës në institucion publik. 

Gjatë fushatës elektorale, që do të zgjasë 10 ditë, partitë do të kenë të drejtë t’i shpenzojnë 2 milionë e 92 mijë euro.