Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Hamza: Kosova në krizë, qytetarët po paguajnë më shumë për të jetuar më keq

Bedri Hamza

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në hapjen e fushatës elektorale të partisë, ka deklaruar se Kosova ndodhet në krizë ekonomike, sociale dhe politike, duke akuzuar qeverinë aktuale për stagnim, propagandë dhe mungesë rezultatesh gjatë gjashtë vjetëve të fundit.

Hamza nga Ferizaj ka thënë se qytetarët sot “paguajnë më shumë për të jetuar më keq”, ndërsa rritja e çmimeve, kostos së jetesës dhe mungesa e perspektivës kanë lodhur familjet, bizneset dhe të rinjtë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kosova është në krizë. Krizë ekonomike. Krizë sociale. Krizë politike. Krizë shprese”, deklaroi Hamza.

Ai e fajësoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për, siç tha, konflikte të vazhdueshme me opozitën, bizneset, mediat dhe aleatët ndërkombëtarë.

“Derisa ju luftoni me faturat, me kreditë, me çmimet, me pasigurinë për të ardhmen e fëmijëve tuaj, z. Kurti sulmon të gjithë”, u shpreh ai.

Ai premtoi heqjen e TVSH-së për produktet esenciale, rritje prej 50 për qind të pagave në sektorin publik dhe pensioneve, si dhe asnjë ndihmë sociale nën 250 euro.

“Qytetarët duhet të kenë më shumë para në xhepin e tyre – jo më shumë barrë mbi shpinë”, ka deklaruar Hamza.

Kreu i PDK-së paralajmëroi gjithashtu investime në energji, infrastrukturë dhe teknologji, reforma në shëndetësi e arsim, si dhe mbështetje për bizneset përmes uljes së tatimeve dhe granteve për investime.

“Ekonomia nuk ndërtohet me propagandë. Ekonomia ndërtohet duke krijuar vende pune”, është shprehur ai.

Hamza gjatë fjalimit përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së dhe PDK-së që po gjykohen në Hagë, për të cilët tha se janë pjesë e historisë së Kosovës dhe se do të kthehen “faqebardhë”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit të votojnë për ndryshim, duke e mbyllur fjalimin me sloganin “STOP krizës. Ndrysho Kosovën”.

Lexo përditësimet tjera
Fushata

Nis fushata 10-ditëshe për zgjedhjet e 7 qershorit