Fushata dhjetëditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit ka nisur më 28 maj e do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit.
Partitë politike kanë zhvilluar për dy ditë aktivitetet elektorale.
Kjo është agjenda e partive për sot:
Lidhja Demokratike e Kosovës: 14:00 – Tubim zgjedhor në Klinë. (Shtëpia e Kulturës “Jehona Dukagjinit”) 15:00 – Tubim zgjedhor në Deçan. (Pallati i kulturës “Jusuf Gërvalla”) 16:00 – Tubim zgjedhor në Junik. (Hotel Gjeravica) 17:00 – Tubim zgjedhor në Pejë. (Sheshi i qytetit)
Lëvizja Vetëvendosje: 16:00 – Tubim zgjedhor në Kamenicë. (Shtëpia e Kulturës) 19:30 – Tubim Zgjedhor në Gjilan. (Sheshi i qytetit)
Edhe
Dita e dytë e fushatës
Partia Dekomratike e Kosovës: 17:00 – Tubim zgjedhor në Lipjan. (Sheshi “Adem Jashari”) 18:30 – Tubim zgjedhor në Shtime. (Shtëpia e kulturës) 20:00 – Tubim zgjedhor në Suharekë. (Para muzeut)
Abdixhiku: Do ta heqim TVSH-në në produktet bazë
Lidhja Demokratike (LDK) e ka zhvendosur në Dukagjin aktivitetin elektoral, në ditën e tretë të fushatës. Tubimin qendror e ka mbajtur në sheshin e qytetit të Pejës.
Turin në këtë rajon, e ka nisur me Klinën, ka vazhduar në Deçan, pastaj në Junik dhe e ka përmbyllur me Pejën, qytet në të cilin qeveris.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka premtuar heqjen e TVSH-së për produktet bazike, që në javën e parë të mandatit qeverisës, të cilin e synon.
“Çmimet janë të larta, çmimet po rriten vazhdimisht, qeveria nuk guxon të vëzhgojë qytetarin e të thotë ‘unë kështu i fitoj votat’. Jo, do ta heqim TVSH-në në bukë, miell, vaj, sheqer për produktet bazike që në javën e parë të qeverisjes sonë, në mënyrë që çmimet të bien menjëherë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.
Abdixhiku premtoi edhe ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit dhe kritikoi qeverinë për ngathtësi në realizimin e projekteve kapitale.
“Dukagjinit do t’ia hapim autostradën e merituar, fshatrave tuaja furnizim me gjërat më bazike të mundshme në këtë kohë”, ka thënë ai. “Do të kemi investime kapitale që transformojnë jetën shoqërore në Kosovë”.
Ndërkaq, bartësja e listës së kandidatëve për deputetë, Vjosa Osmani, tha se Kosovës i duhet unitet dhe theksoi se nuk duhet të lejohet që shteti të shkojë drejt “katrahurës”.
“Të mos lejojmë që shpresa të vdesë për secilin të ri e të re në vendin tonë. Të mos lejojmë që përçarja t’i zërë vend bashkimit. Të mos lejojmë që ofendimet e fyerjet ndaj nënave shqiptare, përfshirë edhe nënave që i dhanë bijtë e bijat e veta për këtë komb, të zënë vend në moralin e shoqërisë sonë”, tha ajo.
Osmani tha se qytetarët duhet të zgjedhin rrugën e bashkimit dhe të vizionit euroatlantik, duke vlerësuar se alternativa e vetme është LDK-ja.
Gjatë ditës, LDK-ja e ka zhvilluar edhe një tubim me gratë, gjatë të cilit janë prezantuar 38 kandidate për deputete.
Aty ka thënë se, si pjesë e kësaj shoqërie, nuk mund të pranohet ideja që 65 për qind e grave në Kosovë të jenë joaktive në punë.
“Renditemi në nivel me vendet më të prapambetura në botë”, ka thënë ai. “Nuk mund të pranojmë idenë se kemi një sistem të tërë, ku gruaja është e papunë por prapë punon – sepse familja është punë e përtej punës”.
Hamza: Me PDK-në në qeveri nuk do të ketë qytet pa rrymë
Me PDK-në në pushtet, asnjë qytet nuk do ta vuajë mungesën e energjisë elektrike, ka thënë kryetari dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza.
Ai të shtunën në një konferencë për media, ka kritikuar Qeverinë Kurti se e ka futur vendin në krizë të thellë energjetike.
“Kosova është në krizë ekonomike, sociale, politike dhe në krizë shprese. Dhe përgjegjësia është e qartë: Qeveria Kurti. Sot nuk kemi rrymë, por ne jemi këtu pikërisht për të folur për rrymën dhe për investimet infrastrukturore që i mungojnë vendit tash e gjashtë vjet”, ka thënë Hamza.
Sipas tij, me PDK-në në pushtet, qytetarët do të kenë çmime më të përballueshme të energjisë dhe një shtet që planifikon për të ardhmen.
“Krizave do t’u themi STOP së bashku. Dhe së bashku do ta ndryshojmë edhe Kosovën. Ju zotohem se me qeverinë që do ta udhëheq unë, ditë si kjo nuk do të përsëriten më. Nuk do të ketë më qytete pa rrymë dhe as dështime që e paralizojnë jetën e qytetarëve. Shteti do të funksionojë me plan, me përgjegjësi dhe me rezultate konkrete, jo me improvizim dhe justifikime”, është shprehur Hamza.
Gjatë konferencës, Hamza ka prezantuar edhe pikën e dytë të programit të tij qeverisës, që ka të bëjë me investimet në energji, infrastrukturë moderne dhe teknologji të reja.
“Energjia, siç e dini, është baza mbi të cilën ndërtohet çdo ekonomi moderne. Pa furnizim të sigurt, të përballueshëm dhe të qëndrueshëm me energji, nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka vende pune dhe nuk mund të ketë as mirëqenie për familjet. Prandaj, energjia do të jetë prioritet kombëtar i qeverisë sonë. Ne do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, sepse energjia elektrike është nevojë bazike, jo e mirë luksi. Heqja e TVSH-së do t’i ulë menjëherë faturat e energjisë, do ta rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve dhe do të kontribuojë në stabilitetin social”, është zotuar Hamza.
Programi i PDK-së, sipas tij, parasheh modernizimin e Termocentralit “Kosova B”, ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet rreth 500 MW, sisteme të ngrohjes qendrore në së paku pesë qytete të Kosovës, investime në energjinë diellore, zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe realizimin e lidhjes energjetike Kosovë–Shqipëri.
Gjatë së shtunës, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubime edhe në Lipjan, Shtime dhe Suharekë.
Kurti: 1 miliard € për prodhimtari e njësit i përbashkët me Shqipërinë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie edhe për një mandat si kryeministër, Albin Kurti, ka premtuar të shtunën para simpatizantëve në Gjilan, se nëse fiton, gjatë mandatit të ardhshëm qeveria do të investojë një miliard euro në prodhimtari.
Ai ka premtuar edhe 100 milionë euro për investime të diasporës.
“Votën tuaj ne e kërkojmë jo vetëm nga përvoja e mirë me ne, por edhe për shkak të zotimeve tona të reja. Në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, 1 miliard euro për prodhimtarinë. Të gjithë ata që prodhojnë do ta kenë Republikën e Kosovës garanci për kreditë investive në banka pa nevojë për të lënë hipotekë, tokën, veturën apo shtëpinë. Mandati i ardhshëm është mandat i prodhimtarisë, që do ta transformojë përgjithmonë, si asnjëherë më parë, industrinë e vendit tonë për të mirë. Përveç 1 miliard euro për prodhimtarinë, edhe dritarja për investime të diasporës, 100 milionë euro”, ka premtuar Kurti.
Po ashtu Kurti, ka premtuar njësit të përbashkët ushtarak mes Forcës së Sigurisë dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë që, sipas tij, do ta mundësojnë kalimin e ushtarakëve nga mërgata në FSK, por edhe të profesionistëve nga Shqipëria në FSK.
“Përveçse kemi më shumë se dyfishim të ushtarëve, kemi më shumë se trefishim të buxhetit, kemi më shumë se katërfishim të trajnimeve jashtë vendit, kemi më shumë se qindfishim të shpenzimeve për armatim dhe pajisje të tjera ushtarake. E në mandatin e ardhshëm i bëjmë bashkë ekonominë dhe mbrojtjen, përkatësisht investojmë në industrinë ushtarake”, ka thënë ai.
Paraprakisht gjatë së shtunës, VV-ja e Kurti kanë mbajtur tubim në Kamenicë. Në këtë qytet, Kurti ka dhënë zotime për realizim të disa projekteve, mes të cilave edhe ngritjen e një stadiumi të ri me 2 mijë e 500 ulëse.
E, kryetari i kësaj komune, Kadri Rrahimaj, tek ka folur për këtë stadium, ka thënë se ai do të jetë unik meqë i tëri do të ndërtohet nga druri. Ai ka thënë se projektet që pritet të realizohen në vitet e ardhshme, do ta transformojnë infrastrukturën dhe zhvillimin e qytetit.
Rrahimaj ka premtuar edhe realizimin e projektit kufitar, në kuadër të të cilit do të asfaltohen 50 kilometra rrugë.
Gjini nga rruga Dollc-Gjakovë: Mijëra familje sot pa rrymë, e kjo rrugë në mëshirë të fatit tash e sa vjet
Ardian Gjini ka publikuar një video në Facebook, ku ka ngritur shqetësimin për gjendjen e infrastrukturës dhe furnizimit me energji elektrike në vend.
Në postimin e tij, kandidati për kryeministër nga Aleanca thekson se mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike në mes të ditës, ndërsa ka përmendur edhe gjendjen e rrugës Gjakovë–Dollc, për të cilën tha se prej vitesh është lënë pas dore.
“Mijëra familje pa rrymë në mes të ditës. E pak minuta më parë kalova rrugën Gjakovë-Dollc, që siç e dini është lënë tash e sa vite në mëshirë të fatit. Ky është realiteti në Kosovë”, ka shkruar ai.
Tutje, përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve, ai ka shprehur optimizëm për ndryshim pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Ju uroj një të shtunë sa më të mbarë, me shpresën e madhe se pas 7 qershorit do të nisim një kapitull të ri, për një jetë më të mirë!”, ka deklaruar ai.
Hamza premton ta lidhë Kosovën me gazin amerikan për t’i dhënë fund importit të shtrenjtë të energjisë
Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se si kryeministër do ta nisë menjëherë projektin për lidhjen e Kosovës me korridoret rajonale të gazit natyror dhe do të ndërtojë partneritet strategjik energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka thënë se Qeveria ka refuzuar mundësinë për ta lidhur Kosovën me gazin natyror amerikan (LNG), duke e lënë vendin më të varur nga importet e shtrenjta dhe më të pasigurt energjetikisht.
Hamza ka treguar se vetëm në pesë vitet e fundit, Kosova ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për importin e energjisë elektrike.
Ky është statusi i plotë i Hamzës:
Koha për ta lidhur Kosovën me gazin amerikan dhe për t’i dhënë fund varësisë nga importet e shtrenjta të energjisë!
Kosova sot po e paguan energjinë më shtrenjtë se kurrë më parë. Familjet po përballen me fatura gjithnjë e më të larta, ndërsa bizneset po e humbin konkurrueshmërinë.
Për vite me radhë, Qeveria ka refuzuar mundësinë për ta lidhur Kosovën me gazin natyror amerikan (LNG), duke e lënë vendin më të varur nga importet e shtrenjta dhe më të pasigurt energjetikisht.
Vetëm në pesë vitet e fundit, Kosova ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për importin e energjisë elektrike. Kjo është dëshmia më e qartë se vendi nuk mund të vazhdojë të mbështetet te importet e shtrenjta, por ka nevojë për burime të reja, më të sigurta dhe më të përballueshme të energjisë.
Sot, Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk është i lidhur me rrjetet e gazit natyror. Ndërkohë, gazsjellësi Aleksandrupoli–Shkup do ta sjellë LNG-në amerikane vetëm rreth 15 kilometra larg kufirit të Kosovës, duke krijuar një mundësi reale që nuk duhet humbur.
Si kryeministër, do ta ndryshoj këtë qasje. Do ta nisim menjëherë projektin për lidhjen e Kosovës me korridoret rajonale të gazit natyror dhe do të ndërtojmë partneritet strategjik energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo nënkupton më shumë siguri energjetike, më pak ndotje, më shumë investime dhe energji më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset. Nuk mund të ndërtojmë ekonomi moderne me politika të shekullit të kaluar. Kosovës i duhet vizion, jo improvizim!
Kurti nga Deçani thotë se do të vazhdojnë me projekte në ujësjellës, infrastrukturë dhe arsim
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se gjatë mandatit të qeverisjes së tij në komunën e Deçanit janë realizuar investime në vlerë prej mbi 60 milionë eurosh në fusha të ndryshme.
Sipas Kurtit, këto investime kanë përfshirë ndërtimin dhe renovimin e shkollave, rrugëve, projekteve në bujqësi, trashëgimi kulturore, si dhe mbështetje për të rinjtë dhe sportin.
Ai ka premtuar se në mandatin e ardhshëm do të vazhdohet me projekte të reja infrastrukturore dhe zhvillimore, duke përmendur ujësjellësin në Strellc të Epërm dhe Strellc të Ulët, impiantin e ujërave të zeza në Lumbardh dhe Gramaqel, ndërtimin e çerdheve për fëmijë në Isniq dhe Strellc, si dhe zgjerimin e rrugëve Deçan–Pejë dhe Deçan–Gjakovë.
“Gjatë qeverisjes sonë mbi 60 milionë euro investime janë sjellë në Deçan për ndërtime e renovime, për shkolla e rrugë, bujqësi, trashëgimi kulturore, rini dhe sport. Mbështetjen do ta shtojmë. Mandatin e ardhshëm vazhdojmë mes tjerash me ujësjellësin në Strellc të Epërm e Strellc të Ulët, impiantin e ujërave të zeza në Lumbardh e Gramaqel, çerdhe për fëmijë në Isniq e Strellc brenda shkollave, si dhe zgjerim të rrugës magjistrale Deçan–Pejë prej 7.6 kilometra dhe Deçan–Gjakovë prej 15 kilometra”, ka shkruar Kurti.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta mbështesin në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se synimi i tij mbetet zhvillimi i vendit dhe forcimi i shtetit.
Abdixhiku premton paga më të larta, pensione 300 euro dhe moratorium për rrymën
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar rritje të pagave dhe pensioneve, moratorium për energjinë elektrike dhe investime miliardëshe në infrastrukturë, gjatë një tubimi zgjedhor në Klinë, raporton Ekonomia Online.
Këto premtime Abdixhiku i bëri gjatë tubimit zgjedhor në Klinë. Abdixhiku tha se LDK-ja do ta mbajë premtimin për koeficientin 150 euro në sektorin publik dhe rritjen e pagave për mësimdhënësit. Ai premtoi edhe pensione prej 300 eurosh për pensionistët.
“5 miliardë euro investime në projektet më të mëdha infrastrukturore që i ka pas Kosova. Dhe projektet e LDK-së nuk do të zgjasin nga 5-6 vite në rrugët që s’po përfundojnë asnjë ditë. Ministrat e LDK-së, kryeministri i LDK-së, presidenti i LDK-së, do të jenë të gjithë bashkërisht të angazhuar ditë e natë që projektet të përfundojnë në kohë, jo të mbesin në pluhur qysh kanë mbet kjo rruga juaj për Klinë e ato autostrada e Dukagjinit që s’është filluar asnjëherë”, tha ai.
Abdixhiku premtoi ndërtimin e autostradës së Dukagjinit dhe investime në furnizimin me ujë të pijshëm.
“Dukagjinit do t’ia hapim autostradën e merituar, fshatrave tuaja furnizim me gjërat më bazike të mundshme në këtë kohë, ujë, ujë të pijshëm me prioritet nacional për secilin fshat të komunës së Klinës, pra do të kemi investime kapitale që transformojnë jetën shoqërore në Kosovë. Por natyrisht shteti përveç se është zhvillim, përveç se është investim, përveç se është kujdes ndaj projekteve gjeo-nacionale, duhet të kujdesemi edhe për hallet e qytetarëve”, tha ai.
Ai premtoi se gjatë qeverisjes së LDK-së nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.
“Ne e kemi qartë që faturat e rrymës janë rritur, e kemi qartë se çmimet janë rritur, na lejoni që të zotohemi këtu para jush, në programin tonë të LDK-së, me zotimin e parë që rryma, energjia elektrike, çmimi i saj nuk do të rritet, s’guxon të rritet për asnjë nëse janë për katër vitet e ardhshme. Moratorium i plotë në çmimet e rrymës sepse është rritur padrejtësisht, derisa Kosova ka djegur miliarda euro në këto gjashtë vite të energjisë elektrike. Me ato miliarda euro do të kishim një central e dy centrale të reja me të gjitha, LDK-ja vjen me planin e vet me gaz, gaz amerikan, central me gaz amerikan që të lidhemi mirë strategjikisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e me një president të nesërm që këtë lidhje na bën edhe më historike për të ardhmen tonë të sigurisë e të mbrojtjes e të interesave nacionale”, tha ai.
Abdixhiku tha se LDK-ja do ta heqë TVSH-në për produktet bazike në javën e parë të qeverisjes.
“Po ashtu më lejoni të zotohemi që do të heqim menjëherë pa asnjë vonesë TVSH-në në produktet bazike. Çmimet janë të larta, çmimet po rriten vazhdimisht, qeveria nuk guxon të vëzhgojë qytetarin e të thotë ‘un kështu i fitoj votat’. Jo, do ta heqim TVSH-në në bukë, miell, vaj, sheqer për produktet bazike që në javën e parë të qeverisjes sonë në mënyrë që çmimet të bien menjëherë për qytetarët e Kosovës”, tha ai.
LDK-ja prezanton 38 kandidatet gra, Abdixhiku: Zonja të forta që na japin dinjitet
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se të shtunën në një takim prezantuan 38 kandidatet gra të LDK-së, të cilat i ka quajtur “vajza e zonja të forta që i japin LDK-së energji, përkushtim dhe dinjitet”.
Ai ka thënë se sot duhet të ngrihet pyetja se “çfarë Kosove po ua lëmë vajzave tona”, duke shtuar se “nuk mund të pranojmë idenë se 65% e grave në Kosovë janë jo aktive!”
“Renditemi në nivel me vendet më të prapambetura në botë! Nuk mund të pranojmë idenë se kemi një sistem të tërë, ku gruaja është e papunë por prapë punon – sepse familja është punë e përtej punës! Nuk mund të pranojmë idenë se kemi një sistem të tërë që gruaja pas punës duhet sërish të punojë! Sepse, sërish, familja është punë përtej punës!” ka shkruar ai.
Abdixhiku ka thënë se gratë përballen me diskriminim në punësim e dhunë në familje, e se për to duhet të punohet shumë.
“Përballë sfidave të tilla, duhet të kujtojmë se historia gjithmonë është formuar nga gra që refuzuan të pranojnë më pak. Gra që guxuan të ëndërrojnë më shumë për familjet dhe shoqëritë e tyre. Si prind i dy vajzave, si bashkëshort i një gruaje, si djalë i një nëne, ju them këtu se sfida juaj është dhe sfidë e imja! Dhe në qoftë kjo është sfida e fundit e imja, do ta bëjë me gjithë forcën që kam, përballë çdo pengese që kam, me gjithë kapitalin që kam”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Hamza: Kosova në krizë energjetike, me PDK-në në qeveri nuk do të ketë më qytete pa rrymë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka shprehur shqetësim për mungesën e energjisë elektrike në zona të kryeqytetit, duke e fajësuar Qeverinë në detyrë.
Hamza në një konferencë për media tha se PDK-ja do ta qeverisë sektorin energjetik me transparencë, profesionalizëm dhe vizion afatgjatë.
“Kosova është në krizë ekonomike, sociale, politike dhe në krizë shprese. Dhe përgjegjësia është e qartë: Qeveria Kurti. Sot nuk kemi rrymë, por ne jemi këtu pikërisht për të folur për rrymën dhe për investimet infrastrukturore që i mungojnë vendit tash e gjashtë vite”, tha ai.
Hamza u shpreh se qytetarët e Kosovës meritojnë energji të sigurt, çmime më të përballueshme dhe një shtet që planifikon për të ardhmen.
“Krizave do t’u themi STOP së bashku. Dhe së bashku do ta ndryshojmë edhe Kosovën. Ju zotohem se me qeverinë që do ta udhëheq unë, ditë si kjo nuk do të përsëriten më. Nuk do të ketë më qytete pa rrymë dhe as dështime që e paralizojnë jetën e qytetarëve. Shteti do të funksionojë me plan, me përgjegjësi dhe me rezultate konkrete, jo me improvizim dhe justifikime”, tha Hamza.
Hamza prezantoi pikën e dytë të programit të tij qeverisës, që ka të bëjë me investimet në energji, infrastrukturë dhe teknologji të reja.
“Energjia, siç e dini, është baza mbi të cilën ndërtohet çdo ekonomi moderne. Pa furnizim të sigurt, të përballueshëm dhe të qëndrueshëm me energji, nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka vende pune dhe nuk mund të ketë as mirëqenie për familjet. Prandaj, energjia do të jetë prioritet kombëtar i qeverisë sonë. Ne do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, sepse energjia elektrike është nevojë bazike, jo e mirë luksi. Heqja e TVSH-së do t’i ulë menjëherë faturat e energjisë, do ta rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve dhe do të kontribuojë në stabilitetin social”, është zotuar kreu i PDK-së.
Hamza shtoi se programi i PDK-së parasheh modernizimin e Termocentralit “Kosova B”, ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet rreth 500 MW, sisteme të ngrohjes qendrore në së paku pesë qytete të Kosovës, investime në energjinë diellore, zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe realizimin e lidhjes energjetike Kosovë–Shqipëri.
“Krahas energjisë, do të vazhdojmë me investime në infrastrukturë moderne, në rrugë dhe në hekurudha. Partia Demokratike e Kosovës angazhohet për përfundimin e projekteve madhore rrugore, si autostradat për Gjilan, Podujevë, Gjakovë dhe të tjera; për zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore; për realizimin e lidhjes hekurudhore Kosovë–Shqipëri, si projekt strategjik ekonomik dhe kombëtar. Dhe, në fund, do të investojmë në teknologji të reja dhe në transformimin digjital të Kosovës. Këtë do ta bëjmë duke mbështetur zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative, inovacionin dhe startup-et, por edhe duke zgjeruar infrastrukturën digjitale dhe duke krijuar kushte që të rinjtë tanë ta ndërtojnë karrierën e tyre në Kosovë”, shtoi Hamza.