Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Fushata prej 10 ditësh për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit ka nisur më 28 maj e do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit. Në këtë tekst do të mund të lexoni për aktivitetet e partive politike gjatë ditës së dhjetë të fushatës.

Kurti: Na duhet mazhorancë edhe më e madhe, edhe më e fortë

1 muaj më parë / 6 qer 2026 21:52
Kurti: Na duhet mazhorancë edhe më e madhe, edhe më e fortë

Lëvizja Vetëvendosje ka përmbyllur fushatën, me tubimin që e ka organizuar në hapësirën pas Pallatit të Rinisë, në Prishtinë.

Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, i cili synon mandatin e radhës në krye të qeverisë, tha se Vetëvendosjes i duhet mazhorancë edhe më e madhe, e edhe më e fortë në mandatin e ardhshëm.

Ai numëroi punët e qeverisë përgjatë gjashtë vjetëve dhe prej të arriturave përmendi zvogëlimin e pabarazisë.

Ka numëruar edhe zotimet për mandatin e ardhshëm, duke nisur me atë për mbështetjen me 1 miliard euro të ekonomisë.

Mes tjerash, kryetari i Vetëvendosjes tha se mandati i ardhshëm është edhe i çmimeve tavan, i shtesave, i projekteve kapitale si hekurudhave e digave, dhe mandat i investimit prej një miliard eurosh për mbrojtje e mandat i investimeve në ushtri.

Kurti ka ftuar qytetarët për mobilizim dhe pjesëmarrje masive në zgjedhje.

Osmani: Vota juaj i jep drejtim shtetit tonë

1 muaj më parë / 6 qer 2026 21:49
Osmani: Vota juaj i jep drejtim shtetit tonë

Ndryshe nga partitë e tjera, Lidhja Demokratike tubimin kryesor përmbyllës e ka mbajtur natën e shkuar, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

E, të shtunën, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, bashkë me bartësen e listës së kandidatëve të LDK-së për deputetë, Vjosa Osmani, ka vizituar disa komuna, përfshirë Prizrenin e Ferizajn.

Abdixhiku ka thënë se ka qëndruar mes njerëzve të mbarë të vendit, e Osmani i ka përshkruar ata si të mrekullueshëm.

Ndërkaq, në një video-adresim, Osmani ka bërë thirrje për t’u bashkuar, për votë mbështetëse për LDK-në.

Ajo ka thënë se vota e qytetarëve është vendim që i jep drejtim shtetit dhe përcakton të ardhmen e Kosovës.

Molliqaj: Kush do opozitë, duhet ta votojë PSD-në

1 muaj më parë / 6 qer 2026 21:48
Dardan Molliqaj

Si gjatë gjithë ditëve të fushatës, edhe në të fundit, kandidatët e Partisë Socialdemokrate për deputetë mesazhet i lansuan nëpërmjet video-adresimeve.

Në një nga to, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, thotë se nesër nuk votohet për pushtet dhe se pushteti do të jetë i Lëvizjes Vetëvendosje, apo i koalicionit të saj me ndonjërën prej partive që kanë qenë në opozitë.

Ai ka thënë se të dielën qytetarët e kanë shansin të votojnë mes një opozite përnjëmend, të cilën sipas tij e ka dëshmuar PSD-ja, dhe një opozite që shtyhet se cila do t’i bashkëngjitet Kurtit në Qeveri.

Molliqaj ka deklaruar se Kosova ka nevojë për një opozitë që në Kuvend do të ngrejë çështje e që do të ketë kauza.

Për secilin që do opozitë, ai ka thënë se duhet votuar PSD-në.

Hamza: Ne do të jemi qeveria e re

1 muaj më parë / 6 qer 2026 21:37
Bedri Hamza

Partia Demokratike ka përmbyllur fushatën elektorale, me tubimin që e ka organizuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kryetari i këtij subjekti politik, Bedri Hamza, i cili është edhe kandidat për kryeministër, tha se me takimin në zemër të kryeqytetit nuk po përmbyllet vetëm fushata, por edhe po përmbyllet një kapitull i krizës e kaosit që tha se e ka kapluar Kosovën.

Para mbështetësve, ai theksoi se PDK-ja është gati ta ndalë krizën e ta ndryshojë Kosovën.

Hamza tha se të hënën do të fillojë ndryshimi i madh dhe se partia që ai drejton, do ta udhëheqë edhe qeverinë e re.

Nga kjo ditë, sipas kreut të PDK-së, do të fillojë të rrjedhë koha edhe për llogaridhënie për njerëzit që kanë qenë në pushtet prej 6 vjetësh.

AAK-ja mbyll fushatën, Gjini: Kosova të ngrihet në këmbë

1 muaj më parë / 6 qer 2026 21:35
AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përmbyllur fushatën, me tubimin që e ka organizuar në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë.

Para mbështetësve, kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, i cili është edhe kandidat për kryeministër, tha se e imagjinon një Kosovë ndryshe nga ç’është tani.

Ai theksoi se Kosova duhet të çohet në këmbë e nuk duhet dorëzuar. Dhe, pasi e tha këtë, u bëri thirrje mbështetësve të ulur në karriget e vendosura në shesh, që të ngrihen në këmbë dhe bashkë ta thonë mesazhin.

Para tyre theksoi se nuk duhet ndalur, derisa të kthehet ëndrra që qytetarët kanë pasur për Kosovën.

Gjini përmbylli fjalimin, duke thënë: Kosovë të duam përnjëmend, e jo për mashtrim.