Ish-ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, ka thënë se deklarata e ish-presidentes Vjosa Osmani dhënë të dielën pas zgjedhjeve të parakohshme, se Lëvizja Vetëvendosje s’ka arsye për ta refuzuar emrin e saj për presidente, ishte absurde dhe amatore. Osmani ishte bartëse e listës së LDK-së.
Salihaj në “Zgjedhjet në KOHË” në KTV ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kurrë s’do ta bëjë Osmanin presidente.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Për vete nuk e kam kuptuar fiksimin e Vjosës me qenë me çdo kusht presidente. Edhe në vitin 2021 kur ka konkurruar me z. Kurtin ishte krejtësisht për mua absurde. Kjo presidente, e mua kryeministër. Ne nuk e zgjedhim presidentin direkt, nuk mund t’u thuash qytetarëve po konkurroj për presidente e do të më zgjedhë populli. Kanë me zgjedh deputetët...Pa marrëveshje politike nuk zgjidhet presidenti, edhe nëse i merr 60 për qind të votave”, ka thënë Salihaj. “Deklarata e mbrëmshme ishte totalisht amatore, absurde dhe amatore. Asnjëherë sa të është z. Kurti gjallë nuk e voton Vjosa Osmanin për presidente, po ia heqë merakun”, ka thënë Salihaj.
Ai ka thënë se mund të ketë koalicion për bashkëqeverisje e Osmani mund të ishte ministre e Jashtme, ku thotë se do të kontribuonte më shumë.
“Po ju garanton se z. Kurti kurrë nuk e voton, deputetët e tij se votojnë znj. Osmani...Me pas qenë z. Kurti i interesuar me bë presidente e kishte mundësinë t’ia vazhdonte mandatin. Krejt varej prej tij dhe ai s’do të na çonte në zgjedhje”, ka thënë Salihaj.
Salihu: PDK-ja i humbi 7 mijë vota në Skenderaj e Drenas, ky është mesazh
Bekim Salihu nga Instituti GAP, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, i ngjason Lëvizjes Vetëvendosje për sa i përket humbjes së votuesve.
Salihu në emisionin “Zgjedhjet në Kohë”, ka thënë se votuesit e PDK-së kanë refuzuar ta votojnë këtë parti dhe këtë e tregojnë 7 mijë votat më pak në Skenderaj e Drenas.
“Në Skenderaj ishin 4 mijë vota më pak në këto zgjedhje për PDK-në krahasuar me zgjedhjet e kaluara, në Drenas diku 3 mijë vota më pak. Nënkupton që edhe votuesit e PDK-së e kanë refuzuar këtë parti për ta votuar. E dyta që më befasoi, PDK-ja është refuzuar masivisht edhe në Mitrovicë, në vendlindjen e kryetarit të kësaj partie, Bedri Hamza”, ja thënë Salihu.
Sipas Salihut, refuzimi i PDK-së në Mitrovicë, ku do të duhej të ishte bastion për shkak se lideri i kësaj partie është nga ky vend, ishte edhe mesazh.
“Kjo ishte goditje edhe për partinë edhe për liderin”, është shprehur Salihu në KTV.
Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, PDK-ja në zgjedhjet e 7 qershorit, ka marrë 21.12 për qind të votave dhe ka siguruar 24 vende në Kuvend. Ndërsa krahasuar me rezultatet preliminare të dhjetorit, PDK-ja ka humbur 37 mijë vota.
Salihaj: E çmoj diasporën, por ne e dimë se çka po heqim këtu
Ish-ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, ka thënë se elektorati i brendshëm në Kosovë ka dhënë mesazhin e qartë në zgjedhjet e të dielës. Salihaj në “Zgjedhjet në Kohë” në KTV ka thënë se elektorati nuk e ka vlerësuar punën e Qeverisë Kurti dhe i ka ulur votat. Ai ka thënë se për të është me rëndësi se çfarë mendon elektorati i brendshëm.
Bazuar në rezultatet preeliminare të publikuara në KQZ, ku nuk përfshihen votat nga diaspora, ato me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 42.95 për qind, pasuar nga PDK-ja me 21.13 për qind, e LDK-ja 17.60 për qind. Krahasuar me rezultatet preliminare të zgjedhjeve të kaluara të 28 dhjetorit të vitit 2025, VV-ja ka humbur mbi 130 mijë vota.
“Kur e krahason synimin që e kishte 61 për qind me këtë 43 për qind, është zhgënjyese. Ai e konsideron opozitën si bllok. Por, nuk janë bllok opozita te na, ata kanë mospajtime të mëdha. Me qenë bllok do ta bënte qeverinë më 9 shkurt të vitit të kaluar, pasi i kishte votat...Për mua është me rëndësi elektorati i brendshëm, nuk e nënçmoj diasporën, megjithatë ne po heqim këtu. E dimë se çfarë po heqim. Ky rezultat është ajo reale që populli ka vlerësu. Ai nuk e ka vlerësuar punën e tij, i ka ulur votat. Krahasuar me bllokun opozitar, që ai e konsideron bllok, ai ka humbur”, ka thënë Januzaj.
Baraliu: LVV-ja mund t’i arrijë 51 deputetë me votat e diasporës
Analisti politik, Bleron Baraliu, vlerëson se partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje e cila aktualisht ka siguruar 48 deputetë, me votat e diasporës mund t’i marrë deri në 51 deputetë.
Ai analizon se me votat në total të mërgatës, LVV-ja mund të arrijë deri në 47.5%.
Pa votat me kusht e atyre të personave me nevoja të veçanta, Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve ka arritur t’i sigurojë 48 deputëtë apo 42.91% të votave të përgjithshme.
“I kemi 10 mijë vota me kusht përafërsisht. Në votat me kusht LVV-ja në zgjedhjet e dhjetorit i ka marrë 50% të tyre. Në bazë të llogaritjeve, përfshirë dhe votat e diasporës, për të ngelur nën 51 deputetë, LVV-ja duhet të marrë 72 mijë nga 100 mijë votat që është dukshëm më ulët sesa rezultati i dhjetorit. Sipas pritshmërive të mia, rezultati final do të jetë mes 46.5 dhe 47.5%”, është shprehur Baraliu në emisionin “Zgjedhjet në Kohë”, në KTV.
Sipas Baraliut nëse Lëvizja Vetëvendosje performon me 62% të votës me postë atëherë do ta fitojë mandatin e 51-të apo 46.5%, apo me 380 mijë vota përafërsisht në total.
Bazuar në rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ku nuk janë përfshirë votat me kusht, ato me postë, si dhe në përfaqësitë diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka fituar 42.91 për qind të votave do të ketë 48 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës, që ka dalë e dyta me 21.12 për qind të votave, do të ketë 24 deputetë.
Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.58 për qind të votave do të ketë 20 deputetë e Aleanca me 7.16 për qind të votave do të ketë 8 deputetë.