Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e diel, 25 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar mbi 62% apo 1,591 nga 2,557 vendvotime”, ka njoftuar Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të numërohen edhe një herë të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta, pasi gjatë rinumërimit të vetëm një të katërtës së tyre janë evidentuar rreth 57 mijë vota të keqregjistruara për kandidatë.
Para daljes në pah të problemeve me abuzimin e votave për kandidatë, KQZ-ja pati paraparë 19 janarin për shpallje të rezultateve përfundimtare.
Vendi qe një vit është pa institucione mandatplota. Zgjedhjet e shkurtit të vitit që shkoi nuk rezultuan me formimin e qeverisë, e përmbyllja e atyre të 28 dhjetorit ka tejkaluar afatet e parapara.
Kosova nuk ka buxhet të miratuar për vitin 2026 dhe për pak javë përfundon edhe mandati i presidentes.
23 persona në Prizren janë arrestuar për manipulim me vota, kanosje, marrje dhe dhënie ryshfeti.