Zgjedhjet 2025

Rinumërohen 1,423 nga 2,557 vendvotime

kqz

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të rinumërohen.

Sipas njoftimit të KQZ-së, nga fillimi i këtij procesi, 13 janar, deri më tani janë rinumëruar mbi 55% apo 1,423 nga 2,557 vendvotime.

Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut). Pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit janë përfshirë edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të hënën të numërohen edhe një herë të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta, pasi gjatë rinumërimit të vetëm një të katërtës së tyre janë evidentuar rreth 57 mijë vota të keqregjistruara për kandidatë.

Para daljes në pah të problemeve me abuzimin e votave për kandidatë, KQZ-ja pati paraparë 19 janarin për shpallje të rezultateve përfundimtare.

Vendi qe një vit është pa institucione mandatplota. Zgjedhjet e shkurtit të vitit që shkoi nuk rezultuan me formimin e qeverisë, e përmbyllja e atyre të 28 dhjetorit ka tejkaluar afatet e parapara.

Kosova nuk ka buxhet të miratuar për vitin 2026 dhe për pak javë përfundon edhe mandati i presidentes.

Të premten, në Prizren u arrestuan rreth 109 persona mbi dyshimet që kanë bërë dallavere me votat për kandidatët për deputetë. 

Ndërkaq, edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë të premten ka njoftuar se ka autorizuar Policinë për të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për dyshimet për manipulime me vota për kandidatët për deputetë në Komunën e Malishevës. Në njoftim, Prokuroria ka thënë se hetimet do të synojnë identifikimin e personave përgjegjës, grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante.