(Tekst i përditësuar) - Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 1 mijë 29 nga 2 mijë e 557 vendvotime. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve procesi i rinumërimit është përmbyllur plotësisht në 9 komuna
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 9 komuna, Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Viti dhe Zveçan.

Rinumërohen 1.027 nga 2.557 vendvotime
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 1.027 kuti të votimit nga 2.557 sa do të rinumërohen në tërësi.
Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut). Pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit janë përfshirë edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të hënën të numërohen edhe një herë të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta, pasi gjatë rinumërimit të vetëm një të katërtës së tyre janë evidentuar rreth 57 mijë vota të keqregjistruara për kandidatë.
Të martën e kaluar, pas pranimit të një raporti ku ishin gjetur abuzime në QKN, KQZ-ja vendosi të çojë në rinumërim të gjitha vendvotimet në 10 komuna e në 28 të tjera nga 10%.
Para daljes në pah të problemeve me abuzimin e votave për kandidatë, KQZ-ja pati paraparë 19 janarin, për shpallje të rezultateve përfundimtare.
Vendi qe një vit është pa institucione mandatplota. Zgjedhjet e shkurtit të vitit që shkoi nuk rezultuan me formimin e qeverisë, e përmbyllja e atyre të 28 dhjetorit ka tejkaluar afatet e parapara.
Kosova nuk ka buxhet të miratuar për vitin 2026 dhe për pak javë përfundon edhe mandati i presidentes.