Krijimin e një prokurorie të re, e cila do të merret me luftimin e korrupsionit, e ka paraparë Lëvizja Vetëvendosje në planin e saj për drejtësinë, me të cilin po garon në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Një gjë të tillë e ka thënë kandidati për deputet, Vigan Qorrolli, nga radhët e kësaj partie.
Sipas tij, kjo prokurori e re do të ketë ekskluzivitet dhe kompetencë ligjore të themeluar me ligj.
“Nuk do t’i lëmë emër të përveçëm SPAK, por do të jetë një alias. Do të jetë një prokurori që do të bëjë ekskluzivisht luftën kundër korrupsionit. Po duket se mekanizmat e tanishëm janë të pamjaftueshëm, për arsye të një lloj dembelie, minimalisht po e them, ose mungese të vullnetit që prokuroria të jetë më proaktive. Pra, bashkë me mekanizmat e tjerë përcjellës e hetues dhe Policinë e Kosovës, ne synojmë ta krijojmë një prokurori të posaçme e cila do të merret ekskluzivisht me këtë punë, në mënyrë që Kosova të jetë realisht në indeksin ndërkombëtar, në top 10-shin evropian”, ka thënë Qorrolli.
Qorrolli ka thënë po ashtu se si parti kanë ndërmarrë një reformë që lidhet drejtpërdrejt me qytetarët e Kosovës, të cilën e kanë quajtur “realizimi i të drejtës për gjykim të arsyeshëm”, me qëllim që të ketë vendime më të shpejta nga gjykatat.
“Kemi ndërmarrë një reformë që lidhet me një ligj, i cili sapo të konstituohet kuvendi i ri do të miratohet. Ky ligj quhet realizimi i të drejtës për gjykim të arsyeshëm, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos presin dyerve të gjykatave me vite, por ta marrin drejtësinë e besueshme. Drejtësia nënkupton që mund të favorizojë ose defavorizojë, por megjithatë duhet të ketë vendim dhe të mos pritet me vite të tëra pa marrë vendim. Kjo është një gjë që për herë të parë në Republikën e Kosovës e kemi bërë. Sapo të konstituohet kuvendi, ligji i kalon procedurat e tij”, ka deklaruar Qorrolli.
Në programin e Lëvizjes Vetëvendosje për “Siguri dhe Begati” parashihet gjithashtu digjitalizimi i padive dhe gjykimeve online, ku sipas këtij programi proceset që aktualisht zgjasin deri në pesë vjet pritet të zhvillohen më shpejt dhe me më shumë transparencë.
Qorrolli: Hajdari nuk e ka aktakuzën e konfirmuar, nuk ishte as në dijeni për të
Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherësh edhe zëvendësministër në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka thënë se ministrja në detyrë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, nuk e ka një aktakuzë të konfirmuar.
Duke folur për rastin e Hajdarit në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Qorrolli ka thënë se mosdërgimi i ftesës në adresën, qoftë zyrtare apo private, të Hajdarit, përbën një tallje me figurat publike.
Sipas Qorrollit, Hajdari përmes mediave ka mësuar se ekziston një aktakuzë ndaj saj.
“Hajdari nuk e ka aktakuzën e konfirmuar. Aktakuza mund të ngrihet nga Prokuroria e Shtetit. Ajo ka të ngritur një aktakuzë për të cilën nuk ka qenë në dijeni dhe nuk e di nëse ditët e fundit e ka pranuar në mënyrë ligjore, por ajo do t’i përgjigjet ftesës së gjykatës, sepse mbrojtësit e saj besojnë se do të kërkojnë hedhjen e kësaj aktakuze”, ka thënë Qorrolli.
Qorrolli ngritjen e aktakuzës ndaj Rozeta Hajdarit e ka konsideruar si një gjueti kundër saj, e cila, sipas tij, po përdoret në kohë fushate.
“Përveç prezumimit të pafajësisë, që është një nga instrumentet më të larta të standardeve zakonore ndërkombëtare, po të them se në momentin kur konfirmohet një aktakuzë dhe vijon gjykimi në gjendje të lirë, atëherë ekziston një prezumim tjetër. Në rastet kur bëhet ‘gjueti shtrigash’ në kohë të ndjeshme, siç është fushata elektorale, dhe kur ngriten aktakuza, shtrohet pyetja pse kjo ndodh pikërisht në momentin kur nuk u mandatua Glauk Konjufca për kryeministër dhe Parlamenti u shpërbë automatikisht. Këshilli Prokurorial, në zallamaninë e vet, nuk ndërmori masa por e shkarkoi Besim Kelmendin”, ka thënë ai.
Qorrolli ka thënë po ashtu se në Lëvizjen Vetëvendosje aferat për korrupsion janë zero.
“Te të gjithë bashkëpunëtorët e Kurtit, ministra, anëtarë të qeverisë dhe të tjerë, drejtorë që janë emëruar në borde publike, aferat janë zero. Këto janë balona mediale që ngrihen dhe ju e dini se ata që bëjnë një gjah të tillë janë njerëz që u kanë shërbyer partive politike opozitare. Ne jetojmë në një vend të vogël. Detyra e parë e prokurorisë është angazhimi për ta trajtuar një rast, por për të gjitha këto raste ndaj njerëzve të Kurtit nuk ka prova, por vetëm balona mediale. Ka ndjekje dhe linçime publike. Linçimi është më i rëndë se fyerja dhe shpifja. Kjo është një ‘vrasje’ në thonjëza për eliminimin e njerëzve për arsye politike”, ka thënë Qorrolli.
Ai ka shtuar gjithashtu se Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk është munduar të bëjë kapje në drejtësi apo ndërhyrje në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Qorrolli: Byroja për konfiskimin e pasurisë së paligjshme do të jetësohet në Qeverinë Kurti
Vigan Qorrolli, kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Byroja për konfiskimin e pasurisë së paligjshme ka mbetur e bllokuar në Gjykatën Kushtetuese që nga viti i kaluar.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ku u diskutua për luftimin e korrupsionit, ai ka akuzuar partitë opozitare se përmes ankesave të tyre e kanë bllokuar këtë reformë në Kushtetuese.
Qorrolli ka deklaruar se në mandatin e ri, nëse arrijnë të dalin fitues, ky premtim do të jetësohet.
“Byroja për konfiskimin e pasurisë së paligjshme ndodhet në sirtarin e Gjykatës Kushtetuese për arsye të pashpjegueshme për ne. Kjo vonesë në trajtimin e kontrollit të kushtetutshmërisë së këtij ligji, pas ankesave të partive opozitare, ende vazhdon. Kjo është një letërnjoftim apo identitet i politikave tona qeveritare, të Qeverisë Kurti dhe Ministrisë së Drejtësisë, për ta jetësuar këtë reformë, ndonëse jemi sabotuar dhe penguar për ta vazhduar. Byroja për konfiskimin e pasurisë do të jetësohet në Qeverinë Kurti sapo ta marrë dritën e gjelbër, pasi i ka përmbushur të gjitha standardet evropiane dhe ato të Komisionit të Venecias”, ka thënë Qorrolli.
Tutje, Qorrolli ka shtuar se Qeveria Kurti në pesë vitet e fundit ka bërë reforma që, sipas tij, do t’i gjykojë historia në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
“Transparenca që kemi ndërtuar është vlerësuar nga të gjitha organizatat e shoqërisë civile në vend, por edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Nëse merret raporti i Kongresit Evropian i vitit 2025 në fushën e drejtësisë, Qeverisë së Republikës së Kosovës i jepen duartrokitje për reformat e ndërmarra, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe për procesin e vettingut që lidhet me pakon ligjore nga deklarata e zotimeve, në bashkëpunim me Këshillin Prokurorial dhe instrumentet tjera të drejtësisë”, ka theksuar ai.
Qorrolli ka përmendur gjithashtu raportet e Komisionit Evropian për vitet 2022, 2023 dhe 2024, duke thënë se ato janë pozitive dhe dëshmojnë për arritjet e Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 e deri më sot.