Një javë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, nga partitë opozitare ende nuk ka lëvizje në drejtim të zotimit të dhënë, atë për reforma. Në PDK e LDK nuk kanë treguar se kur do t’i zyrtarizojnë zgjedhjet e brendshme. E njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se ndryshimet duhet të jenë të mëdha, e jo vetëm të udhëheqësve
Liderët opozitarë nuk kanë nisur ende punën e premtuar për të reformuar partitë që drejtojnë, pas humbjes në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Një javë nga zgjedhjet, në Partinë Demokratike të Kosovës, që doli e dyta, kanë heshtur. Po ashtu edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, KOHA ka mësuar se nuk ka lëvizje në drejtim të mbledhjes së kryesisë, e cila do t`i paraprinte mbajtjes së kuvendit zgjedhor.
Nga rezultatet e deritanishme, në të cilat nuk përfshihen në tërësi votat nga jashtë e as ato me kusht e të personave me nevoja të veçanta, PDK-ja është renditur e dyta me afro 188 mijë vota e LDK-ja e treta me afro 123 mijë vota. Krahasuar me rezultatet e 9 shkurtit 2025, PDK-ja ka pësuar rënie prej 8 mijë e 514 votave, kurse LDK-ja në këto zgjedhje ka 48 mijë e 540 vota më pak. Rënie prej 15 mijë e 360 votash ka pësuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por që në zgjedhjet e kaluara garoi bashkë me Nismën.
Liderët e PDK-së e LDK-së, gjatë adresimeve të para pas shpalljes së rezultateve preliminare, patën pranuar përgjegjësinë dhe patën premtuar reforma të brendshme.
Sipas njohësit të zhvillimeve politike në vend, Berim Ramosaj, partitë politike duhet të bëjnë shumë ndryshime dhe jo vetëm në udhëheqjen e tyre.
“Refleksion i madh, mos me thënë radikal se nuk e njoh këtë koncept te partitë e djathta. Por mendoj se duhet me bo në mënyrë shumë të lehtë për ndryshimet që kërkohen dhe jo ndryshime veç në kreun, ai është i domosdoshëm. Ai duhet me qenë model për ndryshim, udhëheqja e tanishme, si me thanë kryesia ata ishte dashtë të deklarohen ose të largohen në mënyrë që t`i japin shanse, të hapin rrugë degëve, nëndegëve dhe të gjithë të tjerëve”, ka thënë ai.
Ramosaj ka thënë se kalimi nga një lidership te tjetri duhet të bëhet me metoda konvencionale duke respektuar figurat “e vjetra” e duke futur “elemente të reja”.
“Këta (LDK v.j.) nuk e kanë bërë. Këta kanë mendu ose të hyjnë drejtpërdrejt me një rrugë te re duke mohu rrugën e vjetër që në momentet më delikate kur kanë dasht me i kërku votat kanë rrëshqit me ndonjë slogan”, ka thënë Ramosaj, duke vlerësuar se udhëheqja e LDK-së është “rob i një shkolle të caktuar politike, që politikën e mendon ekzistenciale e që nuk është model i Rugovizmit”.
“Unë mendoj që kombinimet duhet të ndodhin, midis të vjetrës dhe të rejës, pa mohuar kontributin e të vjetrit, por jo me çdo kusht ata që janë të rinj në moshë ndërtojnë edhe politikë të re”, ka thënë ai.
E politologu Melazim Koci ka vlerësuar se LDK-ja me rënien e shënuar ka paguar gabimin që ka bërë, duke mos hyrë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që është perceptuar fakti se nuk kanë hyrë në koalicion me Vetëvendosjen, të jetë perceptuar nga opinioni si faj i tyre, ndryshe nuk di ta shpjegoj këtë rënie kaq të madhe të LDK-së”, ka thënë ai.
Për dallim nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, rezultat më të mirë se në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka shënuar Lëvizja Vetëvendosje. Nga rezultatet e deritanishme, VV-ja ka gati 70 mijë vota më shumë.
Sipas profesorit Ramosaj, në fitoren e Vetëvendosjes ka ndikuar edhe pamundësia që partitë opozitare ta ndjekin atë në tema të interesit nacional, fajësimi i opozitës për ngërçin politik e lodhja e qytetarëve nga mungesa e institucioneve.
“Kjo narrativa e problemit të shtetndërtimit, që është kamufluar edhe me elementet e nacionalizmit, respektivisht identitetit nacional të shqiptarëve dhe të Kosovës për të ruajtur kufijtë sovran, respektivisht edhe integritetin faktikisht mendoj që i kanë dhënë një premisë pozitive partisë në pushtet që kanë luajtur mirë me ndjenjat nacionaliste të shumë shqiptarëve qoftë që jetojnë në Kosovë, qoftë jashtë saj. Ky është një ndër elementet kyç”, ka deklaruar njohësi i zhvillimeve politike, Berim Ramosaj.
Kurse politologu Koci konsideron se edhe mosvotimi i të mandatuarit të dytë për kryeministër, Glauk Konjufca, ka ndikuar në rezultatin e thellë të Lëvizjes Vetëvendosje e në rënien e atij të partive opozitare.
“Mendoj që ka qenë gabim shumë i rëndë. Votimi i qeverisë së pakicës, të z. Konjufca ishte në favorin e opozitës, sepse në këtë mënyrë dërgonin tek opinioni sinjal se janë konstruktiv, se janë të gatshëm për bashkëpunim dhe se janë për tejkalimin e ngërçit dhe përfitonin edhe diçka tjetër, shtynin zgjedhjet për marsin e këtij viti dhe eliminonin votën e diasporës, e cila gati në tërësi, bindshëm ka anuar nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Koci.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, një ditë më parë, duke iu referuar mungesës së votave për të zgjedhur presidentin në mars të këtij viti, nuk ka hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para duhen 80 vota për, e në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota për, me kushtin që në sallë të jenë 80 deputetë.