(Lajm i përditësuar 14:46) - Fiks një javë pas mbajtjes së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke i numëruar votat me postë. Fituese e këtyre zgjedhjeve doli Lëvizja Vetëvendosje me 50.22 për qind, e dyta Partia Demokratike e Kosovës me 20.64 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.40 për qind dhe AAK-ja me 5.59 për qind. Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt nuk e kaloi pragun.
Deri tash, ashtu siç tregojnë shifrat në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë numëruar votat e rregullta dhe votat nga përfaqësitë diplomatike. Në proces janë ato me postë. Aktualisht janë numëruar 36.96 për qind e votave me postë dhe kandidatët më të votuar janë Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati dhe Donika Gërvalla.
Te Partia Demokratike janë Bedri Hamza, Përparim Gruda, Arian Tahiri, Sala Jashari dhe Ganimete Musliu.
Te Lidhja Demokratike Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Kujtim Shala dhe Avdullah Hoti.
Te AAK-ja janë Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Agim Çeku dhe Time Kadrijaj.
90 deputetë të legjislaturës së kaluar që nuk e kryen asnjë punë, do të jenë të njëjtë edhe në legjislaturën e re, ka treguar rezultati i numërimit të 100 për qind të votave të rregullta e 97 për qind të atyre në përfaqësi diplomatike.
42 deputetë të Vetëvendosjes nga përbërja e kaluar e Kuvendit kanë fituar mandate për të qenë sërish deputetë.
Nga Partia Demokratike mandatet i kanë rifituar 16 deputetë të njëjtë.
Nga Lidhja Demokratike 11 e nga AAK-ja 5.
Në këtë legjislaturë për herë të parë do të hyjnë 17 deputetë, prej tyre 9 nga LVV-ja, 3 nga PDK-ja, 3 nga LDK-ja, 1 nga komuniteti serb dhe 1 nga pakicat joserbe.
E 14 deputetë nga legjislaturat e mëhershme, para asaj të 9-tës, do t’i kthehen Kuvendit, përfshirë Xhavit Halitin e Ukë Rugovën.
Sipas rezultatit aktual, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë fiks 50 për qind të votave me 56 deputetë.