Rinumërimi i votave është përmbyllur në 18 komuna pasditen e së premtes. Nga të dhënat e KQZ-së është konfirmuar se përveç kandidatëve tjerë për deputetë, edhe liderëve të subjekteve politike u janë shtuar vota gjatë procesit të parë të numërimit.
Rinumërimi i votave të kandidatëve për deputetë ka konfirmuar se nga manipulimi i bërë në Qendrat Komunale të Numërimit kanë përfituar edhe liderët e subjekteve politike.
Nga të dhënat e KQZ-së deri në orën 17, kur edhe u përmbyll rinumërimi në 18 komuna, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i dolën 128 vota më pak, kryetarit të Partisë Demokratike, Bedri Hamza 24 vota më pak, atij të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku 25 më pak e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, 13 vota më pak.
Krahas liderëve të partive politike, procesi i rinumërimit ua ka tkurrur votat edhe një numri kandidatësh.
Dallim më të madh nga votat e marra, KQZ-ja ka identifikuar te kandidati për deputet i Vetëvendosje, Filiz Mustafa. Procesi ka treguar se 227 vota më shumë atij i janë numëruar në qendrat komunale. Pas tij janë Vendenis Lahu me 106 vota, Ejup Maqedonci me 94 vota dhe Glauk Konjufca me 83 vota.
Te kandidatët e PDK-së, rinumërimi ia ka hequr Kosovare Murselit 103 vota që i ishin shtuar në qendra komunale të numërimit, Xhevahir Gecit 77 e Linda Nebihut 74.
Te kandidatët e LDK-së janë evidentuar devijime më të vogla. Pas rinumërimit, Florian Dushit i janë hequr 21 vota, Xhafer Gashit 20, Anton Qunit 17 e Alban Zogajt 12 vota.
Për kandidatët e LDK-së, rinumërimi ka treguar se Hafize Sallahi kishte rezultat të fryrë për 17 vota, Tringa Morina për 13 e Albana Bytyqi dhe Gani Dreshaj për 9 vota.
Por nga rinumërimi i votave përfituan krerët e partive nga komunitetet joshumicë. Nga procesi i përfunduar në 18 komuna, nëntë vota i janë shtuar Duda Baljes, tetë vota më shumë Nenad Rashiqit dhe Emilja Rexhepit, kurse dy më shumë kryetarit të Listës Serbe, Zlatan Elek.
Deri të premten në orën 16, rinumërimi i votave është përmbyllur në 260 vendvotime nga 914 sa do t’i nënshtrohen këtij procesi.
Në KQZ thanë se gjetjet e rinumërimit do të përcaktojnë nëse ai do të zgjerohet edhe në ndonjërën prej komunave ku janë hapur 10% e vendvotimeve.
“Sipas vendimit të KQZ, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve, ndërsa në 28 të tjera vetëm nga 10% e vendvotimeve. Se, a do të ketë rinumërim tjetër në këto komuna ku rinumërohet një numër i kufizuar i vendvotimeve, do të varet nga gjetjet gjatë këtij procesi”, tha zëdhënësi Valmir Elezi.
Manipulimi i votave në Qendrat Komunale të Numërimit ka shtyrë për disa javë shpalljen e rezultateve përfundimtare e certifikimin e tyre.
KQZ-ja pati planifikuar që rezultatet t’i shpallë më herët se 19 janari por më pas ka njoftuar se vetëm procesi i rinumërimit do të zgjasë deri në fund të këtij muaji.