Zgjedhjet 2025

Në Podujevë abuzimi më i madh me vota ndodhi brenda LVV-së

Edhe Komuna e Podujevës ka shpërfaqur vjedhje të organizuar të votave për kandidatët për deputetë. Nga 10 për qind të numërimit në këtë komunë, abuzimi më i madh është bërë në votat e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Nëpërmjet manipulimit më së shumti ka përfituar Ejup Maqedonci, të cilit i ishin përshkruar rrejshëm 288 vota

Edhe komisionerët e Llapit e tjetërsuan votën e qytetarëve të kësaj komune. Rinumërimi i vetëm 10 për qind të votave në Podujevë shpërfaqi në masë të madhe vjedhje të votave brenda kandidatëve të partisë. 

Nga rinumërimi i vetëm 11 prej 110 kutive të votimit, kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje u kanë devijuar më së shumti votat. Në këtë parti janë tjetërsuar plot 1.062 vota. 

Përfituesi më i madh nëpërmjet manipulimit të votave në Qendrën e Numërimit në Podujevë del të jetë Ejup Maqedonci, të cilit i ishin përshkruar 288 vota më tepër sesa ka marrë realisht.

Maqedonci ka përfituar nga keqnumërimi 11.3 për qind të votës së partisë.

Pos Maqedoncit, 246 vota u vodhën për kandidatin Vendenis Lahu, 174 për Adelina Stubllën, 65 për Drita Pajazitin e 58 për Fitim Hazirin.

Pos LVV-së, devijime të votës pati edhe në PDK. Në këtë subjekt u abuzua me 120 vota të kandidatëve. Më së shumti përfitoi Ditjona Statovci, së cilës iu përshkruan 85 vota më shumë në QKN. Ajo përfitoi rrejshëm 14.1 për qind të votës së partisë.

Edhe në LDK pati abuzim të 103 votave të kandidatëve. Përfituesi më i madh nga votat e vjedhura është Qëndrim Softolli me 23 sosh. 
Në AAK gjithsej u vodhën 45 vota.

Devijimet në rezultatin e kandidatëve kanë shtyrë KQZ-në që të bëjë rinumërim të 100 për qind në të gjitha komunat.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, tha se KQZ-ja po planifikon që shpallja e rezultateve përfundimtare të bëhet në fillim të muajit shkurt.

“Aktualisht numri i ekipeve të angazhuara në procesin e rinumërimit gjatë një dite pune është 76. Bazuar në këtë kapacitet dhe numri i vendvotimeve të mbetura për t’u rinumëruar, planifikojmë dhe po bëjmë përpjekje që i gjithë procesi të përmbyllet deri në fund të muajit janar”, ka bërë të ditur Elezi.

Procesi i rinumërimit përfshin në total 2.557 vendvotime.