Ndërprerjet e paparalajmëruara të energjisë elektrike ditëve të fundit në disa komuna kanë shqetësuar edhe anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor, të cilët kanë shprehur drojën se do të ballafaqohen me këtë problem më 28 dhjetor, në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Në mbledhjen e së martës, anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, ka thënë se i gjithë procesi tashmë është i varur nga teknologjia, që nuk funksionon pa rrymë.
“Pra po flasim për procesin e numërimit që bëhet pas orës 19:00, por edhe që ka të bëjë me funksionalitetin e kamerave në çdo vendvotim. Por edhe me kapacitetet ekzistuese të Qendrave të Votimit, shkollave në këtë rast me gjenerator, në qoftë se janë të pajisur me të tillë”, ka thënë Elshani.
Edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Sami Hamiti, ka ngritur shqetësimin për ngarkesat e mëdha në fund të vitit dhe problemet infrastrukturore në disa rajone.
Ndërsa Besnik Buzhala, ushtrues detyre i drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, ka sqaruar se tashmë ka pasur komunikim me KEDS-in dhe se janë identifikuar mangësi në pajisjen e vendvotimeve me gjeneratorë.
Për problemin me mungesën e rrymës, të martën janë ankuar edhe në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë.
Përmes një komunikate për media, në këtë shoqatë kanë thënë se bizneset po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të paplanifikuara të rrymës. Nga kjo shoqatë kanë thënë se kjo po u shkakton rritje të kostove operative, humbje në prodhim e rrezikim të vazhdueshëm të funksionimit.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT-i, ka bërë sërish apel për kursim të energjisë, sidomos gjatë orëve kur konsumi e arrin pikun.
Sipas KOSTT-it, sistemi i transmetimit nuk e përballon dot një ngarkesë aq të lartë, që të hënën arriti 1482 MW mes orëve 16:00 dhe 17:00.
“KOSTT u bën apel qytetarëve, institucioneve publike dhe bizneseve që ta përdorin energjinë me kujdes dhe të kontribuojnë që furnizimi të mbetet sa më i qëndrueshëm për të gjithë. Kujdes i shtuar nevojitet sidomos në zonat: Rahovec, Malishevë, Prizren, Dragash, Gjilan dhe Lipjan”, thuhet në thirrjen e KOSTT-it.
Për vështirësi në shumë komuna shkaku i rrjetit, Ministria e Ekonomisë dhe KOSTT-i kanë paralajmëruar edhe para një viti.
Meqë problemi po përsëritet si vitin e kaluar, KOHA ka pyetur KOSTT-in nëse janë bërë investime në rrjet në komunat më problematike për të shmangur ndërprerjet e energjisë, por deri të martën nuk ka marrë përgjigje.
Për ekspertin e energjisë, Fidan Qerimi, problemet e shfaqura ditëve të fundit kanë qenë të parashikueshme dhe institucionet e kompanitë përgjegjëse kanë pasur një vit kohë për t’i sanuar ato.
“Nuk është e paparashikueshme kur ne i kemi të dhënat e viteve të kaluara dhe në trendin e rritjes së konsumit ne e parashohim sa konsum do të kemi orët dhe ditët në vijim. Por fatkeqësisht këtë punë nuk po e kryejnë si duhet”, ka thënë Qerimi.
Këtë javë, probleme me ndërprerje të energjisë kanë raportuar qytetarë në Gjilan, Ferizaj, Shtime, Lipjan, Rahovec, Prizren e Malishevë.