Nisma Socialdemokrate e ka mbajtur të enjten tubimin hapës të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme në Sallën e Kuqe në Prishtinë.
Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka thënë me këtë rast se më 28 dhjetor qytetarët e kanë mundësinë që të rreshtohen krah veprave që e kanë ndryshuar Kosovën.
“Ka dashtë i madhi zot që me qenë krenar me bashkëpunëtorët e mi në një rrugë që nuk ka pasur shpresë. Dikur si një djalë i ri, si një student, bashkë me shumë shokë dhe shoqe jemi bashkuar për ta mbytur terrin në kohën kur në Kosovë mbretëronin errësira e poshtërimi. Ne u rreshtuam dhe u bashkuam një grup i vogël njerëzish, pra asgjë nuk shihej më shumë, por drita dhe progresi kurrë nuk vjen duke qëndruar në vend... Që nga ajo ditë, asnjëherë nuk kam pushuar me qenë krenar. Gjithë ai rrugëtim me shumë sfida. Çdo rrethim e kemi çarë bashkë. Shikoni mirë këta njerëz këtu përballë, kandidatët tuaj. Kjo është Kosova. Kur në momente të vështira bashkohemi, po japim zemrën tonë, dëshirën, vullnetin për ndryshim. Sot dëgjoni, fjalë do t’i bëjmë rrugët”, ka thënë Limaj. “Ju e keni përpara vetes njeriun që e ka bërë. Qytetarët e Kosovës e kanë mundësinë që të rreshtohen rreth veprave, rreth atyre që e kanë ndryshuar Kosovën”.
Nga Prishtina, Limaj ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim njerëz të partisë së tij do të vizitojnë secilën familje dhe lagje për ta prezantuar programin e Nismës Socialdemokrate.
“Këto ditë do të vijmë në familjet e juaja, në qytete, fshatra e lagje, jo për të kërkuar votën, por me një kauzë se në numrin 122 është bashkimi, është forca, është ndryshimi. Kush e do bashkimin votoni 122, kujt iu ka thyer zemra që nuk e ka parë bashkimin, le të bashkohet me numrin 122 dhe të shkojmë drejt bashkimit”, ka theksuar ai.
Limaj ka përsëritur se ai nuk do të heqë dorë as nga bashkimi me Partinë Demokratike (PDK) në Kuvend, pas zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor.