Gatishmëri për të vazhduar dialogun Kosovë-Serbi dhe për të arritur njohje reciproke ka shprehur kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ajo ka thënë se mungesa e lëvizjes në këtë proces ka ardhur nga ana e Serbisë.
“Dialogu Kosovë-Serbi, për të ecur përpara, kërkon veprim dhe gatishmëri prej të dyja shteteve. Ju e dini që arsyeja pse ka ngecur dialogu Kosovë-Serbi është për shkak të mosgatishmërisë së Serbisë që t’i përmbahet një marrëveshjeje që në fakt është arritur mes dy palëve në Ohër, si dhe mosgatishmërisë së tyre për të ecur përpara me pikat që janë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Republika e Kosovës ka qenë gjithmonë e gatshme të ecë përpara në procesin e dialogut, duke i paraqitur prioritetet dhe parimet që i ka pasur që nga fazat e hershme të procesit, dhe ne kemi qëndruar nga fillimi e deri më tani duke thënë se jemi për një dialog që përfundon me njohje reciproke dhe se çështja e shkëmbimeve territoriale fare nuk është në diskutim”, ka thënë Kryeziu.
Ajo ka përmendur edhe sukseset që, sipas saj, Qeveria Kurti i ka arritur gjatë këtyre viteve, duke theksuar se me të njëjtin intensitet do të punohet edhe në mandatin e ardhshëm.
“Do të jetë prapë prioritet për Qeverinë Kurti 3 që të punohet edhe më tej për fuqizimin e pasaportës së Republikës së Kosovës. Ju e dini që jemi në vendin e 65 dhe kjo ka ndodhur për shkak se Kosova ka përfunduar me sukses procesin e liberalizimit të vizave, duke u mundësuar qytetarëve lëvizje më të lirë dhe qasje më të lehtë në botë në aspektin global, përfshirë këtu edhe marrëveshjet bilaterale që kemi pasur me shtete jashtë zonës Schengen për liberalizim të vizave. Ndërkohë, marrja e statusit kandidat vazhdon të jetë prioritet i yni dhe do të punojmë fuqishëm që një gjë e tillë të arrihet gjatë mandatit tonë të radhës. Po ashtu, do të angazhohemi të punojmë fuqishëm, ashtu siç kemi bërë gjatë këtyre viteve, me shtetet mosnjohëse, pasi e dimë që ato përbëjnë pengesë brenda Bashkimit Evropian”, ka thënë ajo.
Kryeziu ka shtuar se, përveç këtyre prioriteteve, në planin e tyre është edhe forcimi i shërbimit diplomatik, në mënyrë që Republika e Kosovës të vazhdojë të përfaqësohet ndërkombëtarisht, qoftë në konferenca rajonale apo më gjerë.
Sipas saj, po ashtu është e rëndësishme që Kosova të udhëheqë ndonjërën nga këto konferenca dhe që gjatë mandatit të ardhshëm të rritet bashkëpunimi dhe mirëbesimi me shtetet me të cilat tashmë sipas saj ka nisur një proces i tillë.