Zgjedhjet 2025

Kosova gati për zgjedhjet e reja

Rreth dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë të dielën, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në KQZ konfirmuan se përgatitjet janë përmbyllur që votimi të zhvillohet në 910 qendra gjithandej Kosovës. Numërimi i votave për partitë politike do të nisë menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve dhe para orës 20:00 pritet publikimi i rezultateve të para.

Përbërja e re e Kuvendit do të përcaktohet të dielën kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, meqë pas zgjedhjeve të shkurtit dështoi formimi i qeverisë së re.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1 milion e 999 mijë e 24 persona.

Një ditë para fillimit të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se janë zhvilluar të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit.

“Gjatë ditës së shtunë është shpërndarë materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet nga depo qendrore e KQZ-së për në qendrat komunale të numërimit, nga ku të dielën në mëngjes do të dërgohet në qendrat e votimit në më shumë se 900, të cilat do të hapen në orën 7:00 për qytetarët me të drejtë vote”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Përveç qendrave të rregullta të votimit, në secilën komunë do të ketë nga një qendër për votim me kusht.

“Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 910 qendra të votimit në 2557 vendvotime. Pra në to do të mundësohet votimi i rregullt, ndërkaq në çdo komunë do të kemi nga një qendër votimi me gjithsej 57 vendvotime ku do të mundësohet procesi i votimit me kusht”, ka deklaruar ai.

Numërimi i votave për partitë politike do të bëhet në vendvotime, ndërkaq ai për kandidatët për deputetë do të bëhet në qendrat komunale të numërimit, proces i cili do të nisë të hënën.

Në KQZ njoftuan se rezultatet e para do të fillojnë të publikohen në platformën e rezultateve para orës 20:00 të së dielës.

Mbarëvajtja e këtij procesi zgjedhor do të monitorohet edhe në aspektin e sigurisë nga Policia e Kosovës dhe nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, nga e cila janë angazhuar rreth 100 prokurorë e zyrtarë të sistemit prokurorial.

E në cilësinë e vëzhguesve të këtyre zgjedhjeve, pos organizatave joqeveritare e disa të tjerave ndërkombëtare, i akredituar është edhe Këshilli i Evropës me 23 vëzhgues.

Kosova më herët sivjet ka mbajtur edhe një palë zgjedhje qendrore e edhe ato lokale, në dy raunde.