Zgjedhjet 2025

DnV: Zgjedhjet ishin demokratike, s’kishte incidente serioze

kdi

Eugen Cakolli nga KDI në një konferencë për media ka thënë se këto zgjedhje janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike, në një atmosferë demokratike dhe pa asnjë incident serioz.

Sipas tij, dalja e votuesve ka qenë relativisht e lartë, duke shtuar se fryma e punës në KQZ ka qenë kryesisht transparente dhe në një masë konsensuale.

“Sa i përket fushatës zgjedhore ndonëse më e shkurtër në kohë, ajo është zhvilluar në një atmosferë të qetë. Fushata ka qenë e personalizuar dhe e centralizuar rreth liderëve partiakë. Mungesa e debateve në mes të kandidatëve për kryeministër e ka cunguar të drejtën e qytetarëve”, ka thënë ai.

Cakolli ka shtuar se edhe kjo fushatë është karakterizuar nga vendime që përbëjnë shkelje ligjore, duke theksuar vendimin e qeverisë për ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe për pensionistët që sipas tij, ka pasur ndikim në garën zgjedhore duke krijuar një garë të pabarabartë.

“Çështje e votimit jashtë vendit ka qenë ndër çështjet më të diskutuara dhe polarizuese edhe në KQZ. Sa i përket listës së votuesve e njëjta vijon të mbetet çështje problematike. Ka nevojë për intervenime më afatgjate në këtë drejtim”, ka  thënë ai. “DnV vlerëson se dita e zgjedhjeve ka qenë e rregullt e karakterizuar nga sfidat e mëposhtme: vështirësive për të gjetur qendrën e saktë vëzhguesit tanë kanë raportuar se gati në 2/3 e qendrave ka pasur votues që janë njoftuar se ka pasur ndërrim. Ka pas ulje të ndjeshme të fenomenit( votimit me asistencë). Në 80 për qind në nivel vendi votuesve u janë kërkuar dokumentet mjekësore... Fotografimi i votës mbetet problemi kryesor. 32 raste të raportuara në mbi 20 vendvotime ku ka pas raste të fotografimit të votës. Zhvillimi më pozitiv ishte publikimi i shpejt dhe pa vonesa i rezultateve nga KQZ-ja”.