Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vazhduar aktivitetet për zgjedhjet e 28 dhjetorit në tubime me mbështetës të kësaj partie në Rrafshin e Dukagjinit.
Peja, Gjakova, Juniku e Deçani ishin komunat ku ai zhvilloi takime një ditë para mbylljes së fushatës, duke shpalosur programin e tij qeverisës, me premtime për rritje të pagave e pensioneve, prodhim të energjisë e anëtarësim në NATO.
E nëpërmjet një videoadresimi, Haradinaj foli për rritjen e çmimeve dhe vështirësi me të cilat po përballen qytetarët. Premtoi rritjen e fuqisë blerëse të qytetarëve.
“Edhe rritja e fuqisë blerëse e qytetarit tonë do të bëhet realitet, nuk do të ketë pagë minimale nën 1 mijë euro në vend, nuk do të ketë pension apo shtesë nën 500 euro, sepse këta janë treguesit e ekonomisë sonë dhe ekziston mundësia graduale në Kosovë që të kthehet siguria dhe mirëqenia e qytetarit tonë”, tha ai.
Ai pohoi se çmimet janë rritur dhe jeta është shtrenjtuar. Për këtë, fajtore e bëri rritjen e çmimit të energjisë.
“E si zhvillim ekonomik, mundësi në treg për të gjithë, çmime reale për ekonominë tonë. Rritja ekonomike e Kosovës nga viti në vit, kthimi i investimeve dhe kapitalit vendor edhe të mërgimtarëve, edhe investimeve të huaja, por edhe thithja e fondeve të huaja duhet të ndodhë me urgjencë. Po ashtu e dimë se çmimet janë rritur për shkak të shtrenjtimit të energjisë. Kemi vendosur që të prodhojmë energji në Kosovë me çmime të Kosovës”, u shpreh Haradinaj.
Në takim me veteranët në Pejë, Haradinaj premtoi se nëse e merr pushtetin, partia e tij do të jetë krah veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, “ky takim është një rikujtim se duhet të jemi krah atyre që dhanë gjithçka që Kosova të ekzistojë dhe nuk u dorëzuan as atëherë kur gjithçka dukej e pamundur”.
Haradinaj ka takuar edhe përkrahësit e tij në Junik. Tha se aty dëgjoi hallet e përditshme të qytetarëve, sfidat që po i rëndojnë familjet dhe të rinjtë që kërkojnë perspektivë në vendin e tyre.
Në këtë tubim ai foli për sigurinë, për zhvillimin ekonomik, për dinjitetin e punëtorit, për bujkun, për mësuesin, për mjekun, për veteranin dhe për secilin që, siç ka thënë, e mban këtë vend gjallë me punë e sakrificë.
E në orët e mbrëmjes tubimet i vazhdoi edhe me mbështetësit në Deçan.