Rritje të pagës minimale ka premtuar kandidati i LVV-së për deputet, Hekuran Gashi, derisa ka shpalosur programin e partisë së tij.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ku u diskutua për inflacionin dhe çështjet sociale, Gashi tha se partia me të cilën ai po garon ka paraparë rritjen deri në 500 euro të pagës minimale.
“Ne do të vazhdojmë të ngrisim bazën ekonomike, me ngritjen e pagës minimale në sektorin privat, siç e kemi miratuar në nivel të Qeverisë nga 425 euro... do të shënojë rritje në 500 euro nga 1 korriku, kjo do të ketë ndikim në fuqinë blerëse të punëtorëve në sektorin privat që përbëjnë rreth 80 % të fuqisë punëtore në Republikën e Kosovës”, ka thënë Gashi.
Përveç pagave për punëtorët, LVV-ja sipas Gashit ka paraparë edhe rritje të pensioneve.
“Në programin e tyre parashihet një ngritje si për pensionin bazë, ashtu edhe për pensionistët kontributdhënës. Parashihet një rritje prej 20%, pra për pensionet bazë do të shkojë nga 150 deri në 180 për pensionistët bazë ndërsa për kontributdhënësit rritja do të arrijë në 280”, ka shtuar Gashi.
Sipas tij, Kosova po përballet më një inflacion të importuar pasi ekonomia vendore varet nga importi dhe 80% e këtij inflacioni po vjen prej saj.
Gjatë debatit, Gashi ka kundërshtuar propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për krijimin e një ministrie të posaçme për familjen. Sipas tij, nuk ka nevojë për një ministri të tillë pasi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e mbulon mjaftueshëm një gjë të tillë.
Ai ka theksuar se Qeveria Kurti ka krijuar standard për mirëqenien e fëmijëve, lehonat dhe qytetarët e tjerë.