Zgjedhjet 2025

Abdixhiku premton punësim për secilin të porsadiplomuar

Lumir Abdixhiku

Punësim për secilin të ri të diplomuar, ka premtuar të enjten Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) para qytetarëve në Istog, Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë. 

Në tubimin e mbajtur në Gjakovë në kuadër të ditës së dytë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, kryetari i LDK-së dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka bërë zotimin se të gjithë të diplomuarit do të punësohen për të paktën një periudhë gjashtëmujore. 

“Ne e kemi programin e madh kombëtar, risi në nivel të Kosovës: Punësim i garantuar për secilin të porsadiplomuar gjithandej Kosovës. Pagë 500 euro për gjashtë muajt e parë për secilin të ri e të re që diplomon në Republikën e Kosovës. Nuk ka kuptim që një i ri dhe një e re të diplomojë e më pas të sillet rrugëve pa punë e pa të ardhme”, ka premtuar Abdixhiku. 

Kandidati i LDK-së për kryeministër ka thënë para simpatizantëve të partisë se Qeveria aktuale e ka futur vendin në krizë. Ai ka theksuar se kjo situatë edhe e ka përçarë Kosovën, duke e ndarë në “ne dhe ata”

“Bashkëpunimi është zëvendësuar me ndarje dhe e gjithë kjo ka ardhur si rezultat i një mendësie që pushteti nuk e njeh kompromisin si filozofi, nuk e njeh dialogun dhe nuk e njeh shtetin mbi veten”, është shprehur Abdixhiku. 

Ai është zotuar se po qe se bëhet kryeministër, paga e mësimdhënësve do të rritet në 1.000 euro dhe se do të investohet në qendër spitalore të re me vlerë rreth 500 milionë euro. 

Rritje të pagave, Abdixhiku ka premtuar edhe për sektorët e tjerë. 

“Paga e infermierit do të jetë 975 euro, gjersa polici, ushtari e zjarrfikësi do të marrin nga 900 euro dhe në këtë pikë më duhet të them që do të përkujdesemi edhe për pensionistët tanë. Ata që e bënë këtë shtet të zhvillohet e të ndërtohet atë që e kemi si trashëgimi sot. Prandaj, zotohemi që brenda tre vjetëve pensionet do të rriten për 100 për qind, përkatësisht, në vitin e parë të bëhen 200 euro, në vitin e dytë 250 euro dhe në vitin e tretë 300 euro për secilin pensionist në Republikën e Kosovës”, është zotuar ai. 

Vizionin e LDK-së për qeverisjen e katër vjetëve të ardhshëm, Abdixhiku e ka quajtur të shpresës dhe të bazuar në plan e përgjegjësi.

“Kosova ka një shpresë jo naive e jo slogani, por një shprese reale ndërtuar me punë, plan, përgjegjësi dhe me një ekip që pa dyshim e ka Lidhja Demokratike e Kosovës dhe këtu vjen LDK, që nuk është parti e çastit e as e rastit, por është parti që e ka ndërtuar shtetin në kohët më të vështira. Është forcë që ka ditur të udhëheqë, të bashkojë qytetarët në kohë përçarjeje dhe të ruajë mbi të gjitha orientimin euroatlantik. LDK nuk premton mrekulli, premton normalitet, rend dhe ligj. Ne jemi forca që e shohim qytetarin në qendër të politikës”, është shprehur Abdixhiku.

E për Gjakovën, ai ka thënë se ka qëndruar gjithmonë në anën e drejtë të historisë.

“Gjakova ka qenë gjithmonë në anën e drejtë të historisë në ditët e errëta të pushtimit, në ditët e rezistencës së Rugovës, në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në përpjekjet për shtetndërtim. Ka qenë qytet i njerëzve punëtorë, i kulturës, i dijes, i tregtisë, i familjes që kanë ditur të mbajnë shtyllat e shtëpisë edhe kur shteti ka munguar. Gjakova e di mungesën e shtetit dhe ajo e ndjen sot më shumë se çdokush tjetër nevojën për një shtet funksional, të fortë e të përgjegjshëm për qytetarët e vet. Sot Kosova ndodhet në një nga momentet më të vështira politike që nga shpallja e pavarësisë dhe nuk e them për të ngjallur ndjenjën e pasigurisë, por e them për të qenë i sinqertë me ju dhe nuk mund të ketë shpresë pa një të vërtetë të shpallur. Nuk mund të ketë ringritje pa diagnozë të saktë të gjendjes në të cilën jemi sot dhe problemet që përjetojmë janë të dyfishta”, ka theksuar Abdixhiku.

Pas Gjakovë, LDK-ja ka mbajtur tubim elektoral edhe në Malishevë.

“Këtu është ditur të luftohet kur ka qenë e domosdoshme, të punohet në heshtje kur shteti ka munguar dhe të qëndrohet drejt edhe kur koha ka qenë e padrejtë. Prandaj, të flasim në Malishevë për zgjim dhe shpresë nuk është thjesht akt politik – është përgjegjësi morale”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. 
 

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e dytë e fushatës