Zgjedhjet 2025

5.762 vota u vodhën për kandidatët në Malishevë, më së shumti përfituan ata të PDK-së

Edhe në Komunën e Malishevës është tjetërsuar vullneti i qytetarëve për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë brenda subjekteve politike. 5.762 vota u vendosën rrejshëm për kandidatët. Devijimi më i madh u bë brenda PDK-së

5.762 vota janë tjetërsuar nga komisionerët në Malishevë për përfitim të kandidatëve për deputetë nga të gjitha subjektet politike.

Abuzimi më i madh ka ndodhur brenda Partisë Demokratike të Kosovës.

Në këtë subjekt janë devijuar 8.25 për qind të votave të të gjithë kandidatëve.

Nga mbi 39 mijë votat që i morën kandidatët, në Qendrën Komunale në Malishevë 3.273 u përshkruan rrejshëm.

Kandidati që përfitoi më së shumti nga ky manipulim brenda PDK-së është Gazmend Maliqaj, të cilit iu përshkruan 927 vota më tepër.

Pas tij vjen kandidati tjetër Fetah Paqarizi, të cilit iu dhanë 728 vota pa i marrë fare. E i treti është Adnan Thaqi me 703 vota.

Pas PDK-së, manipulime me votat e kandidatëve u bënë edhe në AAK.

Nga 4.259 u vodhën 273 apo 6 për qind e tyre.

Pa votuar për të, Enver Hotit të AAK-së iu shtuan rrejshëm 128, Albana Bytyqit 40 e Haki Abazit 37.

Nga përqindja e votave të devijuara subjekti i tretë është LDK-ja.

Në këtë parti u ndryshuan mbi 3 për qind të votave të kandidatëve. Nga mbi 20 mijë vota gjithsej u tjetërsuan 625 sosh.

Prin Gëzim Hazrolli me 340 vota të vjedhura, Lumir Abdixhiku me 65 e Xhavit Uka me 46.

E 825 vota janë vjedhur gjithsej edhe brenda LVV-së nga afër 70 mijë sa ka marrë kjo parti në Malishevë.

Nga ky abuzim përfitoi më së shumti kandidati Valon Hoti - 312 vota, pas tij vjen Gani Krasniqi me 271 dhe Adnan Rrustemi me 60 vota.

723 vota u vodhën edhe mes kandidatëve të Nismës Socialdemokrate.

Deri të enjten, KQZ-ja ka njoftuar se e përmbylli rinumërimin në 9 komuna, duke i përfunduar rreth 45 për qind të kutive të votimit.